Përmbytjet që përfshinë disa qarqe të vendit gjatë javës së dytë të janarit nxorën sërish në pah problemet serioze të menaxhimit të territorit dhe infrastrukturës në Shqipëri. Reshjet e dendura dhe vërshimet e ujërave shkaktuan bllokime rrugësh, dëme të konsiderueshme materiale dhe ndërprerje të përkohshme të aktiviteteve në zona urbane dhe rurale.
Sipas të dhënave zyrtare, moti i keq shkaktoi humbjen e një jete, përmbytjen e rreth 1600 banesave dhe dëmtimin e afro 14 mijë hektarëve tokë bujqësore në qarqet Durrës, Shkodër, Lezhë, Berat dhe Korçë. Për të përballuar situatën, qeveria njoftoi akordimin e një fondi prej 50 milionë eurosh për ndihmën e familjeve të prekura.
Megjithatë, vërshimet e ujërave e gjetën vendin të papërgatitur. Situata e krijuar nxori në pah problematikat e përsëritura me sistemin e kullimit dhe kanalizimeve, argjinaturat e amortizuara dhe mungesën e masave parandaluese, duke e bërë të vështirë menaxhimin e një situate që ekspertët thonë se nuk ishte e papritur.
Ndërsa po bëhet bilanci i dëmeve, specialistët paralajmërojnë se fenomene të tilla pritet të shtohen dhe të forcohen për shkak të ndryshimeve klimatike. “Fenomenet e motit kanë qenë dhe do të jenë të pranishme. Fatkeqësisht, reagimi dhe përballimi me sa më pak kosto i ngjarjeve të tilla duket i dobët,” u shpreh Kristi Bashmili, ekspert mjedisor pranë Organizatës Shqiptare të Ornitologjisë.
Sipas Bankës Botërore, rajoni i Ballkanit Perëndimor renditet ndër zonat më të prekura të Europës nga ndryshimet klimatike. Fenomenet ekstreme të motit po sjellin përmbytje, zjarre, thatësira dhe pasoja të tjera negative, ndërsa Shqipëria konsiderohet si një nga vendet me risk të lartë.
Vitet e fundit, thatësirat e zgjatura të ndjekura nga reshje intensive kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe probleme serioze në bujqësi dhe infrastrukturë. “Këtë herë pamë përmbytje masive të shkaktuara jo vetëm nga prurjet e lumenjve, por edhe nga mosmirëmbajtja e argjinaturave dhe kanaleve të kullimit,” tha Besjana Guri, aktiviste mjedisore dhe drejtuese e qendrës mjedisore “LUMI”.
Sipas saj, erozioni i lartë dhe humbja e pyjeve janë ndër faktorët kryesorë që përkeqësojnë situatën. “Humbja e pyjeve në shpatet malore dhe zonat breglumore, si edhe gërryerja e shtretërve të lumenjve dhe marrja e inerteve pa kriter, nxisin vërshime gjithnjë e më të rrezikshme,” theksoi Guri.
Edhe Bashmili vuri në dukje se kanalet kulluese ishin të pakontrolluara dhe të papastruara, duke bërë që zona të tëra të përmbyteshin edhe nga reshje që mund të konsiderohen relativisht normale. Ai theksoi se mungesa e kontrollit paraprak të strukturave kulluese, shpyllëzimet dhe djegiet ndër vite po japin pasojat e tyre në ultësirë përmes përmbytjeve.
Një tjetër faktor i rëndësishëm mbetet keqmenaxhimi i territorit. Ndërtimet pa kriter pranë shtretërve të lumenjve rrisin ndjeshëm dëmet sociale, mjedisore dhe ekonomike gjatë fatkeqësive natyrore. “Ndërtimi i bizneseve apo banesave në shtretërit aktivë të lumenjve sjell kosto të mëdha për komunitetin,” tha Guri.
Sipas ekspertëve, përmbytjet e janarit nuk mund të konsiderohen vetëm si fatkeqësi natyrore, por si tregues i mungesës së masave parandaluese. Ata kërkojnë që institucionet qendrore të ndërmarrin hapa konkretë dhe urgjentë, duke e vënë theksin te ripyllëzimi, mirëmbajtja e kanaleve të kullimit dhe monitorimi i vazhdueshëm i zonave me risk, për të shmangur përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen.








