Nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit të PD Enkelejd Alibeaj e konsideroi projektin e Portit të Durrësit, një vjedhje që i bëhet pasurisë së shqiptarëve. Ai tha se çdokush që jep votën pro ndaj këtij projekti do të mbajë përgjegjësi ligjore.
Duke folur në seancën e sotme, Alibeaj deklaroi se nëpërmjet këtij projekti Porti i Durrësit rezulton mall pa zot dhe falet e shpërdorohet.
“I keni votat do ta votoni. Si ka mundësi që ky investitori që mund të jetë një emër i nderuar, se nuk e di, si ka mundësi i vetmi investitor strategjik nga 34 që keni dhënë deri tani, nuk ia keni mbuluar me ligj klientelizmin dhe tutelën që po i bëni që po jepni pasuritë e shqiptarëve. Këtij i dhënkemi dhe një mbulesë ligjore. Arsyeja e thjeshtë. Të shpërndajë përgjegjësinë penale dhe me ju të tjerët, me të gjithë ata që do ta votojnë këtë ligj. Se ndryshe nuk ka si të shpjegohet. na vjen një investitor me qilim fluturës me 80 mln euro për 818 mijë metra katrorë. E ndërkohë sa fitojmë ne, sa fitojnë shqiptarët, në rastin më të mirë 280 mln euro, është një pasur e vlerësuar sot 780 mln. Pas 20 vitesh jallah po të marrim 280 mln euro. Kjo është të përdorësh portin e Durrësit, Shqipërinë si mall pa zot. Dhe vjen këtu me pathosin e madh patriotik me bejte të dikurshme duke shitur këtu aktin e madh që po bën për të mirën e Shqipërisë, për ta zhvilluar. Siç bëri me inceneratorët, plehrat ishin, plehrat janë. Ca njerëz do duhen t’i nënshtrohen drejtësisë. Thirrja ime është për ju, deputetë të maxhorancës, që thjesht merrni kartonin për të votuar, kujdes, jo vetëm fajësimi publik, turpi moral, por edhe përgjegjësia penale do bjerë mbi ju, nëse nuk votoni në interes të zgjedhësve tuaj dhe pasurisë publike. Garë moj garë!
Ç’qenka ai njeri me gjithë gamilet e veta, me gjithë qilimin e vet që ti i fal 60 mln për strehimin social, që duhet të shkojë për të pastrehët e Durrësit. Nuk mund të bëhesh avokati mbrojtës i Alabaar. E ke për detyrim kushtetues, ligjor, moral të jesh mbrojtës i pasurisë së shqiptarëve. Ti ke ndërruar rolet, je bërë avokat i atyre. na takon ne ta mbrojmë. Në fakt do u takonte këtyre deputetëve të cilët kanë kërcitur e kanë ikur”, deklaroi Alibeaj.
Ai theksoi se ka një gjë tjetër pas kësaj historie. “Ky investitori i madh kishte një vit e ca që lutej e përgjërohej, ky njeriu vjen dhe sjell vetëm 160 mln, 80 i ka në xhepin e djathtë, 80 të tjera do i marrë kredi. Kaq asnjë më shumë. Po 1.9 mld euro sa është parashikuar investimi, ku do dalin, kush do i sjellë, kush i ka. Asnjë nuk thuhet në marrëveshje. Pyes ministren e Transportit, zero përgjigje. Do të vijnë nga burime të treta, cilat janë këto? A mos janë këto burime të treta, burime që kanë ndërtuar gradaçelat në Tiranë. A mos janë këto mjeti për të infiltruar dhe penetruar në Shqipëri që është e shkallmuar nga të gjitha anët paratë e krimit. Alternativë tjetër nuk ka, kjo ngelet. 1.9 mld euro të projektuara për t’u hedhur në Durrës, do të vijnë nga paraja e krimit, se nuk kanë nga të vijnë.
Si mund t’i gëzohesh që në këtë vend po vjen paraja e krimit, ndërkohë që bashkë me të është shkatërrimi i ekonomisë, i shtetit, rrëzimi i BE-së. Humbasim pasurinë publike, na e shet pasurinë publike, e hedh Shqipërinë në honet më të errëta të botës së Perëndimit”, u shpreh Alibeaj.