Pas ngjarjes së rëndë ku 21 vjeçari vrau me armë zjarri nënkomisarin Saimir Hoxha, në prangat e policisë ditën e sotme ka rënë xhaxhai i tij, Baki Rama.
Rama u arrestua nga policia pasi kishte thyer masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai ishte lënë nga Gjykat “arrest shtëpie” pasi ishte arrestuar për tregti të lëndëve narkotike.
Mungesa e tij u vu re në momentin kur policia ushtroi kontroll në banesë, ditën kur vdiq Aldi Rama. Aty u mësua se Baki Rama nuk ndodhej në shtëpi, duke thyer në këtë mënyrë masën e sigurisë.
Dyshohet se familjarët i thanë policisë se ai kishte shkuar në Tiranë për të marrë trupin e pajetë të nipit. Ditën e sotme Baki Rama do të dalë para gjykatës në Durrës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Aldi Rama është autori i vrasjes së nënkomisarit Saimir Hoxha. Ai ka ndërruar jetë tre ditë më parë në spitalin e Traumës në Tiranë. I riu u soll me urgjencë nga spitali i Lezhës, por nuk mundi që t’i mbijetonte plagës me armë zjarri që kishte marrë në zonën e fytit. Ai ekzekutoi me armë zjarri nënkomisarin Saimir Hoxha. Rama ishte me precedent të mëparshëm penal, kishte përfunduar në burg që në moshën 18-vjeçare dhe ishte prangosur sërish pas 2 vitesh. Njëherë për vjedhje dhe dhunë ndaj të dashurësh, e njëherë tjetër për mbajtje pa leje e armëve të ftohta.