Artan Shkëmbi, Drejtori i Drejtorisë Hetimore Qendrore në Policinë e Shtetit, që drejton njëkohësisht edhe Operacionin Forca e Ligjit, u pezullua nga detyra ditën e djeshme me vendim të Gjykatës së Posaçme.
GJKKO pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për pezullimin nga detyra të drejtuesit të lartë të Policisë, deri në përfundim të hetimeve.
SPAK po e heton për ‘Shpërdorim detyre’, për nxjerrje të sekretit hetimor nga Artan Shkëmbi.
Mbetet ende mister dosja që është nxjerrë sekreti hetimor, por të dhënat flasin për një dosje me rëndësi, ku hetime po bëhen edhe në Gjermani.
Shkëmbi vetë ka shërbyer për 6 vjet me radhë si oficer kontakti në shtetin gjerman.
Artan Shkëmbi, i cili mbante edhe detyrën e numrit 2 të Operacionit Forca e Ligjit, dyshohet se ka dekonspiruar një informacion të kërkuar nga një agjenci ligjzbatuese e huaj për një hetim pasuror që po kryhej në ngarkim të një shtetasi me precedentë penalë.
Shkëmbi në të kaluarën ka mbajtur edhe detyrën e kreut të TaskForcës së krijuar kundër krimit, në kohën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Fatmir Xhafaj.
Shkëmbi i dekoruar me ‘medalje nderi’ nga Sandër Lleshaj
Nga ana tjetër, Artan Shkëmbi, i cili kaloi me sukses tri kriteret e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë më 28 shkurt nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, rezulton i pajisur me certifikatë sigurie CSP, “Tepër Sekret”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka komanduar në vend të tij oficerin e lartë të Policisë, Hekuran Bregu, i cili ishte një ndër 19 oficerët që morën “Medalje Nderi” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në janar të këtij viti, për kontributin e dhënë në ditët pas tërmetit.
Përgjegjësia e Lleshajt
Vetë Sandër Lleshaj, pati deklaruar se mban përgjegjësi për zyrtarët drejtues të Policisë, dhe për të shkuarën e tyre.
Diçka e tillë, i ndodhi me kreun e OFL-së, Artan Shkëmbin, që u pezullua nga detyra për dekonspirim informacionesh, as më shumë e as më pak, nga agjencitë gjermane policore.
Tani presim të shohim edhe fjalën e ministrit të Brendshëm, për përgjegjësinë që do të mbajë për këtë skandal të madh në Policinë e Shtetit, dhe për kreun e OFL-së, operacion që e quan arritje të madhe.
Dorëheqje e Sandrit?
Zërat për një dorëheqje të parapritur të Sandër Lleshajt, bënë që gazetarët ta pyesnin sot direkt në konferencë ministrin.
Në vend të përgjegjësisë apo një përgjigje direkte, ai u bën leksion gazetarëve që të verifikojnë burimet se çfarë dëgjojnë.
“Unë nuk ju mësoj dot mjeshtërinë tuaj, që duhet të verifikoni vetë burimet që besoni burimet apo jo. Nëse ju besoni është përgjegjësia juaj. I kam dëgjuar vonë, lajmet për shkak të angazhimit dhe nuk e kam zakon lajme që nuk kanë kuptim. Unë jam në detyrë dhe po e kryej me përkushtim maksimal. Nuk ka pasur asgjë të vërtetë në këtë histori, e cila vetëm sa provon sa rëndë e kemi gjendjen e informimit apo dezinformimit në Shqipëri” – u shpreh Lleshaj.
/GazetaReforma.com/