Një leje ndërtimi në zonën e “Ali Demit” në Tiranë ka shkaktuar reagime të forta, pasi një pallat shumëkatësh po ngrihet vetëm pak centimetra larg një ndërtese ekzistuese, duke bllokuar dritaret e saj.
Pallati po ndërtohet nga kompania “Keam International shpk“, e cila është në pronësi të vëllezërve Astrit dhe Sali Xhebrahimi, të cilët zotërojnë nga 50% të aksioneve. Leja e ndërtimit parashikon një objekt 6 dhe 8 kate me 2 kate parkim nëntokë dhe është dhënë nga Bashkia e Tiranës.
Në banesën ngjitur me kantierin jeton ish-futbollisti i njohur i kombëtares shqiptare, Igli Allmuça, i cili ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke denoncuar publikisht situatën.
Sipas Allmuçës, pallati i vëllezërve Xhebrahimi i ka bllokuar dy dritare të banesës së tij dhe dy të tjera të fqinjëve. Ai thekson se shtëpia në fjalë është ndërtuar rreth viteve 1920 nga stërgjyshi i tij dhe është rikonstruktuar vite më parë, duke ruajtur strukturën dhe format origjinale.
Allmuça shprehet se ndërtimi që po bëhet në mënyrë të tillë i privon familjes së tij dritën natyrale dhe e kthen një nga dhomat, ku qëndrojnë fëmijët e tij, në një ambient të errët si burg.
Ai thekson se prej 8 muajsh familja e tij po përballet me stres të vazhdueshëm për shkak të kësaj situate dhe se, së bashku me të atin, kanë nisur të ndjekin rrugën ligjore për të mbrojtur të drejtën e pronës.
“Nuk e di si është dhënë kjo leje ndërtimi, por jam i habitur ashtu si çdokush që e ka parë. Ky është përdhunim i pronës,” shkruan ish-futbollisti.
Allmuça shprehet se nuk do të ndalet deri në institucionin e fundit për të kërkuar drejtësi dhe për të ndalur këtë që ai e cilëson si një padrejtësi të rëndë. Deri tani nuk ka reagim nga Bashkia e Tiranës apo kompania ndërtuese për rastin në fjalë.
Denoncimi i plotë:
“Dua te pasqyroj kete situate qe po ndodh ngjitur me shtepin time ne lagjen Ali Demi. Ne keto foto qe kam hedhur,nje firme ndertimi ka mar leje kallkan 0 meter me shtepin time duke me bllokuar dy dritare, dy dritaret e tjera ne foto jane te pronareve te tjere. Ne nje nga keto dritare esht dhoma e femijeve te mi, te cilen e kam pasqyruar ne video.
Kjo shtepi esht ndertuar rreth vitit 1920,ku ka jetuar stergjyshi, gjyshi, babai im dhe se fundmi un me familjen time bashk me prinderit. Me themelet, muret, çatin dhe forma e dritareve te pandryshuera,thjesht pas viteve 90 kemi nderruar çatin e vjeter me te ren,dritaret e vjetra me te rejat, suvatimet lyrjet. Unë se di ku janë bazuar njerezit kopetent (inspektor apo drejtora) qe kanë ardhur ne terren per te verifikuar dhe kan dal ne konkluzion qe nuk cenohet prona e tjetrit.
Kjo qe shihni ne foto nuk quhet cenim, por ne menyrë figurative ‘perdhunim’ i prones se tjetrit, sepse eshtë e padrejtë qe te jesh rehat ne shtepinë tende dhe nje ditë te bukur vjen dikush dhe te ven betonin tek dritaret e ta ben ate dhome si burg. Si familje kemi gati 8 muaj me stresin e ksaj gjeje. Bashk me babain tim do bejm te gjitha perpjekjet ligjore per te drejten deri ne fund ne te gjitha institucionet shteterore.
Se fundi kam dicka per këte ndertues apo dhe nqs ka ndonje ortak apo mentor qe e ndihmon dhe i jep fetva(them nqs se vetem emri ktij ndertuesi figuron ne leje). Unë se di si eshtë mar kjo leje dhe jam i habitur ashtu si çdokush qe e ka par dhe besoj çdokush qe do e shofi. Padrejtesin ndaj tjetrit nuk e lan as haxhi e as veper tjeter. Nqs me drejtesin e ZOTIT kjo esht e drejtë, jeni shum te nderuar dhe u lartesofshi. Nqs kjo quhet Padrejtesi,jeni shumë te ulet e Zoti ju turperoft e ju poshteroft publikisht,e ju ardht hakut me bela pas belaje. Do jeni ne Duat e familjes time nga femijet e deri tek prinderit e mi.”