Deputeti i Eno Bozdo ka denoncuar se maxhoranca po tenton të kalojë një projektligj të dytë për Parkun Teknologjik “Durana”, i cili sipas tij bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe ligjin për transparencën.
Bozdo deklaron se prej muajsh ka kërkuar informacion nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për kompanitë e regjistruara virtualisht në park, përfitimet e tyre fiskale dhe pronarët, por nuk ka marrë përgjigje, ndonëse ligji detyron kthimin e përgjigjes brenda 15 ditësh.
Sipas tij, projektligji i ri synon të legalizojë funksionimin “virtual” të parkut, duke pranuar në thelb se ky model ka qenë i paligjshëm deri më tani dhe se lehtësitë fiskale të dhëna mund të jenë gjithashtu të paligjshme.
Ai thekson se dhënia e lehtësive fiskale për kompani që operojnë virtualisht bie ndesh me standardin BEPS të OECD, i cili është i detyrueshëm edhe për Shqipërinë dhe kërkon që përfitimet fiskale të lidhen me aktivitet real, punësim dhe shpenzime të verifikueshme.
Në deklaratën e tij, Partia Demokratike ngre shqetësimin se kuadri aktual i “Durana Park” krijon konkurrencë të pandershme dhe përbën ndihmë shtetërore të palejuar, pasi disa kompani përjashtohen nga taksat vetëm përmes regjistrimit virtual.
Gjithashtu, sipas opozitës, projektligji hap rrugë për marrëveshje jo transparente mes enteve publike dhe zhvilluesve të parkut, si dhe për krijimin e kompanive të përbashkëta që mund të cenojnë interesin publik.
Një tjetër pikë kritike lidhet me përfshirjen e datacentreve brenda parkut. Bozdo argumenton se ky sektor kërkon rregullim të posaçëm ligjor dhe standarde të rrepta europiane për sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave, të cilat aktualisht mungojnë në Shqipëri.
Opozita akuzon qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se po kalojnë ligje me shpejtësi dhe pa transparencë, duke dëmtuar procesin e integrimit europian të vendit.







