Partia Demokratike ka prezantuar ditën e sotme programin e saj për rininë, me të cilin do të kandidojë në zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë fjalës së tij kryedemokrati Basha ka thënë se të rinjtë duan të largohen nga vendi, por me ardhjen e PD në pushtet kjo do të ndalet.
“Ne angazhohemi të sjellim ndryshimin që i duhet Shqipërisë. Dhe ju garantoj se do ta bëjmë realitet. Vetëm në këtë mënyrë Shqipëria do të fitojë, të rinjtë tanë do të fitojnë!”
Të dashur bashkëqytetarë,
Për shkak të kësaj situate të paprecedentë, qeverisja e Partisë Demokratike që pas 25 prillit, do të përqendrohet më së pari dhe mbi të gjitha tek brezi i të rinjve tanë, që përbën dhe 1/4 e popullsisë.
Ne do të zgjidhim çështjen e papunësisë: nuk mund të lejojmë që rinia jonë të rrijë në shtëpi, pa as edhe një shpresë për punësim. Kjo nis që me shkollat, ku ata do marrin më shumë mundësi arsimimi dhe mbaron me krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonomi për ta. Do të ulim emigrimin e rinisë. E thashë edhe më parë, do ta them përsëri: po humbim një brez të tërë. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë.
Do të rrisim cilësinë e arsimit: në planin e arsimit që prezantuam fola për rëndësinë që ka arsimi. Ky është thelbi. Pasi t’u kemi dhënë më shumë mundësi të rinjve përmes sistemit arsimor, ata do të kenë më shumë besim dhe mundësi për të ardhmen e tyre këtu.
Inovacioni – nxitja e Inovacionit. Ne do ta vendosim INOVACIOININ në krye të listës së përparësive. Ne duhet t’u japim të rinjve të gjitha mundësitë që meritojnë për t’ia dalë në jetë.”, ka thënë Basha.
Më tej ai ka vazhduar me prezantimin e pikave kryesore me të cilat mendon ta vërë në zbatim këtë plan. Basha tha se 9 nga 10 studentënga familje më të ardhura më pak se 64.000 lekë të reja në muaj, nuk do të paguajnë tarifë studimi. Ai gjithashtu ka thënë se studentët do të bëjnë praktika të paguara jo më pak se 30 mijë lekë të reja për 12 muaj.
“Ja edhe disa nga pikat e planit se si Shqipëria do ta rifitojë rininë!
Angazhohem se të gjithë studentët shqiptarë, 9 në 10 prej tyre që vinë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për bachelor dhe master. Pjesa tjetër, që vinë me të ardhura mbi 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë përgjysmimin e këtyre tarifave universitare. Ndërsa 5000 bursa të plota në vit do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta. Nuk do të ketë te rinj, nuk do të ketë bija dhe bij shqiptarësh që do të mbeten pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre.
Angazhohem ndaj studentëve, se do të kenë praktika të paguara prej 30 000 Lekë në muaj për 12 muaj për 10.000 më të mirët prej tyre çdo vit.
Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijoj 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin në vend. Skema financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit që duan të nisin një sipërmarrje.
Angazhohem që asetet e sekuestruara në bazë të ligjit anti-mafia, do të kalojnë në duart e të rinjve që ngrenë biznese me benefite sociale për shoqërinë.
Angazhohem që ta bëj brezin e ri përparësi të qeverisjes sonë! Punë, arsim, mundësi, profesion. Rinia do të jetë e para.
Të dashur miq,
Këto janë zgjedhjet më jetike që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Ose do të ndryshojmë Shqipërinë, ose s’do të kemi të ardhme.
Ose do të fitojë Shqipëria, ose do të fitojë një njeri i vetëm.
Ose do ta shpëtojmë një brez të tërë shqiptarësh ose do ta humbim atë përgjithmonë.
Kjo është është në dorën tonë.
E gjithë rinia shqiptare e ka mundësinë që me 25 prill të dëshmojë se nuk pranon të jetë një brez i humbur. Vota e të rinjve do të jetë ndëshkimi për ata që u kanë marrë peng të ardhmen. Vota e të rinjve do të jetë vota e shpresës me të cilën do të fitojë çdo shqiptarë.
Me ndihmën tuaj, Shqipëria do të fitojë!
Ne mund të bëjmë më mirë dhe do të bëjmë më mirë për të gjithë, për çdo shqiptarë e në veçanti për rininë tonë.!
Ju faleminderit!”, ka përfunduar Basha.