Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar sot në Kuvend mocionin për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Demokratët kanë kërkuar zyrtarisht që Kuvendi të nis procedurën parlamentare për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Sinaj, pasi e akuzojnë se në 9 transaksione përfitoi 36 mijë euro nga Buxheti i Shtetit.
Në Mocionin e firmosur nga 14 ligjvënës opozitarë, evidentohet përmes 30 provave shoqëruese, se deputeti Sinaj ushtron mandatin në kundërshtim me pikën 3, të nenit 70 të Kushtetutës, që i ndalojnë deputetit që të përfitojë fonde nga Buxheti i Shtetit apo pasuri të shtetit.
DEKLARATA E GRUPIT PARLAMENTAR TË PD:
Nga verifikimi i të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton se deputeti i Partisë Socialiste, z. Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit. Shoqëritë ‘BIGALB GROUP’ sh.p.k., ‘BIG LISUS’ sh.p.k., ‘BIG DURRËSI’ sh.p.k., ‘BIG PESHKOPIA’ sh.p.k., ‘BIG ROI’ sh.p.k., ‘BIG LEO’ sh.p.k., ‘BIG LEZHA’ sh.p.k., ‘BIG DRINI’ sh.p.k., ‘BASHKIMI’ sh.p.k., ‘TIRANA CASH & CARRY’ sh.p.k., që janë në pronësi apo bashkëpronësi të deputetit Vullnet Sinaj, përmes vetëm 9 transaksioneve të verifikuara, kanë përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit në shumën totale 3.689.814 lekë.
Shoqëritë e mësipërme kanë vazhduar të jenë në pronësi të deputetit Vullnet Sinaj edhe pas fitimit prej tij të mandatit të deputetit dhe gjithashtu edhe pas emërimit prej tij të dy personave zj. Elona Koshi dhe z. Eduart Koshi si ‘person i besuar i ortakut të vetëm z. Vullnet Sinaj’, përmes akt-marrëveshjeve të datave 20.07.2017, 29.03.2018 dhe 31.10.2018. Përmes këtyre marrëveshje rezulton se është bërë vetëm transferimi i kuotave dhe jo tjetërsimi i tyre, duke kaluar nga ‘zotërues aktiv i aksioneve’ në ‘zotërues pasiv i aksioneve’ për shkak të caktimit të ‘një personi të besuar’.
‘Personi i besuar’ siç qartësisht përcaktohet edhe në Akt-marrëveshjet e sipërcituara i ka kaluar vetëm e drejta e vendimmarrjes mbi 100% të kuotave të zotëruara nga deputeti Vullnet Sinaj, me qëllim menaxhimin e përgjithshëm të aktivitetit të shoqërive. Por në asnjë rast, deputeti Vullnet Sinaj nuk humb të drejtën për të marrë fitimet nga shoqëria, sepse kjo jo vetëm buron nga ligji, por përcaktohet qartësisht edhe në pikën 3, të nenit 3 të secilës Akt-Marrëveshje, ku specifikohet:
‘Z. Vullnet Sinaj, pavarësisht kalimit në zotërues pasiv të kuotave të tij, gëzon në mënyrë individuale të drejtën e përfitimit të fryteve civile të pronësisë që gëzon mbi kuotat e saj në shoqëri, përfitime të cilat do të jenë të pasqyruara hollësisht në Pasqyrat Financiare të shoqërisë, por në çdo rast, nuk mund të ushtrojë asnjë veprim tjetër civil mbi këtë pasuri’.