Pandemia e Covid-19 ka prishur ekuilibra dhe duket se sporti po vuan më shumë.
Goditjet që sporti në vendin tonë ka marrë nga qeveria janë të shumta dhe që do të kenë pasoja pë vazhdimin, pasi kur një ekipi i ndalohet stërvitja dhe fillimi i ndeshjeve zyrtare nuk mund të presësh më asgjë prej tyre. Që prej 10 marsit Ministria e Shëndetësisë bdaloi zhvillimin e sporteve në ambientet e brendshme, pasi përbënin rrezikk për përhapjen e koronavirusit.
Por sikur të mos mjaftonte kjo janë mbyllur të gjitha palestrat dhe impiantet dhe lojtarët stërviteshin duke i shuar të gjitha mundësitë për një rikthim të mundshëm. Në lidhje me këtë ka reaguar dhe sekretari i Federatës së Basketbollit, Korab Llazani, thotë se edhe pse datat janë gati ata nuk kanë ku të stërviten.”
“Gjendemi përpara një skandali, jo vetëm profesional, por edhe ndërkombëtar, pasi FIBA ka sjellë datat e aktiviteteve ndërkombëtare, por ne nuk kemi as ku përgatitemi, jo më të marrim pjesë.Nuk e kuptojmë guximin e hekurt të autoriteteve shëndetësore për të mos kthyer përgjigje. Nuk besojmë se pallatet e sportit ne Shqipëri janë vatrat e rrezikshme europiane apo botërore të Covid-it, apo të jemi ne Wuhani.”
Ndërkohë para pak ditësh Ministria e Shëndetësisë i dha një goditje tjetër sportit dhe lojërave me dorë, duke e pezulluar përsëri vazhdimin e tyre.
“Aktivitetet sportive, përfshirë këtu edhe basketbollin konsiderohen aktivitete me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit “COVID-19”.Gjithashtu, ju sjellim në vëmendje se grumbullimet masive në vende të mbyllura apo të hapura janë të ndaluara sipas Urdhrit nr. 351, datë 29.05.2020 Për “Marrjen e masave të veçanta dhe kufizimeve për parandalimin e përhapjes së ‘COVID-19’ të ndryshuar.
Kërkesa juaj është shqyrtuar edhe në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, i cili duke vlerësuar situatën epidemiologjike në vendin tonë, shtimin e rasteve të reja, vendosi se aktualisht nuk është e mundur hapja e aktivitetit sportiv të volejbollit për shkak të rrezikshmërisë që paraqet në përhapjen e infeksionit ‘COVID-19″, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Por a nuk duket një situatë paradoksale kjo pasi prej kohësh në vendin tonë janë lejuar gjithçka, duke nisur që nga baret, restorantet, palestrat, transporti urban etj.Dhe thujase të gjitha ekipet prej muajsh stërviten normalisht në palestra, e madje nuk kanë munguar as ndeshjet miqësore. Gjithashtu, nuk kanë qenë të pakta rastet kur palestrat dhe ambientet e mbyllura janë shfrytëzuar për fushata elektorale.
Ekipi kombëtar femra, duhej të fillonte grumbullimin në mënyrë që të fitonte kohën minimale për përgatitjet në prag të ndeshjeve më datë 12 dhe 14 nëntor 2020, kundër ekipeve kombëtare të Turqisë dhe Lituanisë. FSHB në bashkëpunim me FIBA dhe MASR ka hartuar të gjitha procedurat Anti Covid-19 për zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, edhe pse vendet fqinje po kalojnë në fazë për zhvillimin e procedurave për rikthimin e tifozerisë.
Ekipi kombëtar meshkuj duhet të grumbullohet sa më parë për përfaqësimin e Shqipërisë më dt.26 dhe 28 nëntor 2020, kundër ekipeve kombëtare të Bjellorusisë dhe Portugalisë.
Përfaqësimi i Shqipërisë në aktivitetet ndërkombëtare është detyrim i FSHB-së i përcaktuar sipas Ligjit të Sportit të hartuar nga shteti Shqiptar. Organizimi i ekipeve kombëtare faturon një kosto të majme për FSHB, në funksjon të grantit vjetor që akordohet nga MASR për Basketbollin.
Pjesëmarrja ka kosto të mëdha, por MOSPJESËMARRJA ka kosto edhe më të mëdha… të llogaritura deri në 100 mij euro, një faturë më e madhe se granti vjetorë për basketbollin në Shqipëri.
Ndërkohë që në vendet e tjera të rajonit në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe vendet europiane ka filluar sezoni i ri, sporti në Shqipëri dhe veçanërisht volejbolli dhe basketbolli marrin një tjetër goditje të rëndë, që prej 8 muajsh ende nuk kemi parë ndeshje zyrtare.