Tre ditë më parë presidenti i Republikës Ilir Meta depozitoi në SPAK një kallëzim penal ndaj ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kjo e fundit reagoi pas këtij kallëzimi dhe me anë të një sërë statusesh në Twitter u shpreh se është gati t’i përgjigjet jo vetëm SPAK-ut ligjërisht po dhe atij vetë publikisht, institucionalisht dhe ligjërisht, me kulturë dhe etikë.
Ditën e sotme ministrja e Drejtësisë, ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur më gjerë rreth padisë së Metës.
Gjonaj tha se nuk ka qëllim të komentojë fjalët e padenja që janë vënë në drejtim të saj përmes presidentit apo zëdhënësit të tij, por për të dhënë argumenta mbi gjithë pretendimet e Metës.
“Dal të shtjelloj me përgjegjësi të plotë politike, profesionale e qytetare një cështje që është thirrur në temë për protestë nga Presidenti. S’e kam bërë kete shtjellim më parë se kam gjykuar që i duhej lënë presidentit koha dhe hapësira mediatike për të ezauruar seritë e spektaklit të tij për grupin armiqësor dhe kriminal në Ministrinë e Drejtësisë. S’e bëj për t’ju përgjigjur presidentit për morinë e akuzave dhe fjalëve të padenja që ka lëshuar në drejtimin tim personalisht apo përmes zedhenesit te tij. Une u rezervoj të gjithë keqardhjen time për hallin e madh që i motivion në luftën kunder reformes ne drejtesi por akuzat ndaj meje nuk ua lehtësojnë këtë hall. Presidenti ka krijuar këtë kauzë fiktive në funksion të betejave të tij që s’janë në përputhje me interesat e tij kushetuese në momentin më të rëndësishëm që po kalon Shqipëria, në prag të negociatave”, tha Gjonaj.
Po ashtu, ministrja i ka dalë në mbrojtje edhe Arta Vorpsit, teksa tha se Meta nuk u shpreh brenda 30 ditëve duke bërë që Vorpsi, e renditura e para nga KED, të kalojë automatikisht si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Ajo theksoi se afati 30 ditor i përcaktuar nga ligji është bërë me qëllim që të mos lejohet bllokimi i emërimeve në Gjykatën Kushtetuese nga vullnete politike.
Por nuk ka vonuar as reagimi i opozitës jashtëparlamentare.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi me anë të një statusi në “Facebook” shkruan se Gjonaj duhet të gjejë një avokat, në vend që të mashtrojë qytetarët, pasi sipas tij, edhe nëse vetë Edi Rama do ta drejtojë mbledhjen SPAK, ajo është e pambrojtshme.
“Në vend që të mashtrojë qytetarët, Etilda Gjonaj bën mirë të gjejë një avokat. Sikur Edi Rama vetë të drejtojë personalisht mbledhjet e SPAK-ut, ajo është e pambrojtshme. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur Kushtetutën, ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë pjesë në një akt mafioz për asgjesimin e Gjykatës Kushtetuese. Provat e paraqitura nga Presidenti për grabitjen e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga ana e qeverisë, edhe përmes veprimeve të paligjshme të Ministres së Drejtësisë, janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Etilda Gjonaj duhet të japë llogari para drejtësisë! Është një test i rëndësishëm për SPAK-un, i cili do të tregojë, nëse reforma në drejtësi ka dështuar me gjithçka apo jo”, shkruan Bardhi.
Më datë 21 shkurt, Meta deklaroi se ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka shkelur ligjin dhe se priste prej saj dhënien e dorëheqjes.
Kujtojmë se mes ministres dhe presidentit ekziston gjithashtu edhe një lidhje familjare që e zbuloi vetë Monika Kryemadhi e cila nuk i kurseu akuzat ndaj Gjonajt.
“Halabakja e rrugës është kushërira e presidentit”! Monika Kryemadhi shpërthen ndaj ministres Gjonaj
Nga ana tjetër, presidenti Meta ka ftuar të gjithë qytetarët në një revoltë kundër qeverisë më 2 mars.