Situata politike në Kosovë është e paqëndrueshme prej kohësh, teksa gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pas rrëzimit të qeverisë Kurti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar herë pas here presidentin Hashim Thaçi se po bashkëpunon me Serbinë për ndarjen e Kosovës.
Më 7 maj, Kurti u shpreh në ‘Opinion’ se midis dy presidentëve, të Kosovës e Serbisë, ka një marrëveshje të fshehtë dhe i pyetur se si ai ka rënë në dijeni të kësaj marrëveshjeje, Kurti tha se një këshilltar i Presidentit Thaçi ja ka parashtruar atë si propozim një këshilltari të tij.
Së fundmi, Daniel Serwer, një prej ekspertëve më të njohur amerikan dhe një njohës i mirë i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, thotë se kjo verë do të jetë vendimtare për shtetin e Kosovës.
Ai ka zhvilluar një diskutim me një panel të Universitetit të Kolumbisë, ku ishte i pranishëm edhe David Philips, ka folur për të ardhmen e Kosovës.
Sipas tij administrata aktuale e SHBA, administrata Trump ka braktisur politikën tradicionale të Amerikës karshi Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht Republikën e Kosovës, duke u bërë partner me Serbinë.
“Gjëja kryesore për të kuptuar është se amerikanët e kanë braktisur politikën e vendosur mirë në Ballkan në veçanti për Kosovën. Politika e vendosur në Ballkan kishte tre shtylla: Mbrojtja e popullatës së Kosovës dhe simpatia për aspiratat e pavarësisë së Kosovës, si dhe përkushtimi ndaj sovranitetit të Bosnjës; Mbështetje për demokracinë liberale në të gjithë Ballkanin; dhe angazhim për të vepruar në të njëjtën kohë me evropianët, veçanërisht me Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Më në fund, është shumë e qartë që Beogradi, jo Sarajeva ose Prishtina, është sot partneri i preferuar i Ballkanit në Uashingto. Emisari i Trumpit, Richard Grenell, është duke shtyrë përpara një marrëveshje përmes korrigjimit të kufijve, është fatkeqësi që edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, tani për temën e kufijve ka të njëjtin qëndrim sikurse paraardhësja Federica Mogherini.”- ka thënë ai.
Ndër të tjera ai thotë se shmangia e ndarjes së Kosovës mund të evitohet deri më 1 tetor për sa kohë nuk ka ndodhur Akoma dhe se një vendim i Gjykatës Kushtetuese që do të vendoste kundër krijimit të një qeverie të re pa zgjedhje të reja do të ishte një vonesë e mirëseardhur.