Ky shkrim është pjesë e një serie që analizon draftin e ri të Kodit Penal të Shqipërisë. Në çdo pjesë, ndalemi tek nenet e ndryshuara që do të ndikojnë jetën tonë... në mënyrën më të keqe të mundshme!
Drafti i ri i Kodit Penal është një alarm për lirinë e fjalës dhe të shtypit në vend. Nën pretekstin e luftës ndaj shpifjes, lajmeve të rreme apo “nxitjes së përçarjes”, projektligji qëndron me shpatë mbi çdo qytetar që ka guximin të flasë. Dhe më shumë se të mbrojë dinjitetin apo rendin publik, ai hap rrugë për shtypje selektive, censurë, vetëkontroll mediatik dhe ndëshkim të kritikëve të pushtetit.
Shpifja dhe fyerja kthehen në krime penale – përsëri
Me draftin e ri, shpifja dhe fyerja rikthehen si vepra penale. Konkretisht:
-
Neni 233 i draftit parashikon se: “Shpifja ndaj një personi tjetër, me çdo mjet a formë, përmes deklaratave të rreme për fakte që cënojnë dinjitetin e tij apo e paraqesin në mënyrë të rreme para publikut, dënohet me gjobë ose burgim deri në një vit.”
Në versionin aktual të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja janë çështje civile, dëmshpërblimi i kërkohet përmes gjykatave civile dhe nuk parashikohet burgim. Ky është një standard europian, sepse krimininalizimi i fjalës është konsideruar mjet presioni ndaj shtypit të lirë. Shqipëria bëri një hap drejt civilizimit ligjor kur i hoqi si vepra penale. Tani, me një dorë, ky përparim po fshihet. Kush përfiton nga ky kthim prapa?
“Lajmet e rreme” si armë për të heshtur mediat
Një tjetër nen problematik është ai për “përhapjen e informacionit të pavërtetë”:
-
Sipas nenit 232 të draftit: “Përhapja me dashje e lajmeve të rreme që krijojnë panik apo pasiguri në publik, dënohet me burgim deri në tre vjet.”
Por çfarë është “pasiguri në publik”? A është shqetësimi për ndotjen, kritika ndaj qeverisë, një opinion në rrjet, një koment për mungesën e barnave në spitale? Termat janë të paqartë dhe të rrezikshëm. Kushdo që botoi ndonjëherë një investigim, një alarm, një analizë të ashpër ndaj ndonjë zyrtari, tashmë mund të konsiderohet kërcënim publik. Ky nen hap derën për të ndëshkuar çdo kritikë që nuk i shkon për shtat qeverisë.
Ndalohet të mos kesh besim te shteti (aromë diktature)
Dhe për ata që guxojnë të vënë në dyshim institucionet?
-
Neni 233/1 parashikon se “Nxitja e mosbesimit ndaj institucioneve publike në mënyrë që të dëmtohet funksionimi i tyre apo të krijohet destabilizim shoqëror, dënohet me burgim deri në 4 vjet.”
Ky formulim e kthen kritikën në krim. Në thelb, të thuash që një gjykatë është e korruptuar, që një ministri ka shpërdoruar fonde, që policia ka përdorur dhunë, mund të përbëjë vepër penale nëse “krijon mosbesim”. Kjo është një klauzolë që i takon sistemeve autoritare, jo një vendi që aspiron BE-në.
Komentet kritike në rrjetet sociale – burg për një status
-
Neni 232/1 i draftit parashikon se “Publikimi, shpërndarja ose mbështetja publike e ideve, fjalëve, simboleve ose përmbajtjeve që nxisin përçarje, urrejtje, mosbesim, dhunë ose diskriminim ndaj institucioneve shtetërore, për shkak të rolit të tyre publik apo funksioneve të tyre, dënohet me burgim deri në dy vjet.”
Pra, një postim në rrjet, një meme, një status sarkastik që ironizon ministrin, parlamentin apo ndonjë zyrë publike, mund të konsiderohet “nxitje përçarjeje”. Ky nen përpiqet të mbulohet me retorikën e ndalimit të gjuhës së urrejtjes, por në realitet është një thikë ndaj çdo forme kundërshtimi publik, ndaj çdo fryme proteste.
Rreziku real për secilin prej nesh
Këto ndryshime janë formula për kontroll, frikë dhe heshtje. Pasi zyrtarët e korruptuar u çliruan nga ndjekja penale (siç e pamë me “shpërdorimin e detyrës”), tani po heshtet edhe kush i denoncon. Lufta ndaj gazetarit, analistit, qytetarit që flet, është faza e dytë e kësaj strategjie. Ndëshkimi nuk do të vijë vetëm nga pushteti politik, por edhe nga kodi penal.
Nëse ky draft miratohet, gazetaria investigative do të goditet në rrënjë. Mediat do vetëcensurohen. Opozita do ndëshkohet. Qytetarët do hezitojnë të flasin. Dhe e vërteta do kthehet në krim.
Ky është momenti për të folur. Për të kërkuar përgjegjësi!
Na shkruani mendimin tuaj. Debati nuk është luks, është nevojë. Nëse heshtim tani, nesër do të jetë vonë. Dhe atëherë, ligji nuk do të jetë më një mjet drejtësie, por një armë mbrojtëse për të ata që kemi zgjedhur të na drejtojnë.