Në qytetin e Elbasanit, një shkëmbim me armë zjarri ka ndodhur ndërmjet efektivëve të Policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) me disa persona të panjohur.
Sipas informacioneve të para, të shtënat me armë zjarri kanë shkaktuar frikë dhe panik te qytetarët e Elbasanit.
Mësohet se drejt efektivëve është qëlluar nga një automjet. Grupi hetimor ka identifikuar autorët që kanë qëlluar mbi policinë, ku bëhet fjalë sipas informacioneve se është shtetasi Lefter Zhidru, 71 vjeç.
Burimet për GazetaReforma.com, bëjnë me dije se personi vijon që të qëllojë me armë në drejtim të Policisë. Ngjarja ndërkohë po ndodh në lagjen “5 maji” të qytetit.
Mësohet se si pasojë e të shtënave janë palgosur, por jashtë rrezikut për jetën, dy kalimtarë të rastit në momentet e para kur ka filluar që të qëllonte personi në drejtim të Policisë.
Ndërkohë autori vijon që të qëllojë me armë duke bërë rezistencë, ndërsa forcat e policisë kanë vendosur menjëherë perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjne thirrje autorit që të dorëzohet.
Banesa ku është strehuar dhe po qëllon për momentin autori i ngjarjes, është rrethuar nga Forcat Shqiponja dhe në ndihmë po mbërrijnë forcat speciale Renea dhe FNSH.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që grupet kriminale në Elbasan qëllojnë me armë mbi policinë. Edhe gjatë qershorit 2016 ndodhi një sulm ndaj Policisë së Elbasanit.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Informacion paraprak
Më datë 24.09.2020, rreth orës 13:20, në lagjen “11 Nëntori”, Elbasan shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar dhe vijon të qëllojë me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.
Forcat Shqiponja dhe Patrullat e Përgjithshme janë pozicionuar dhe kanë vendosur perimetrin e sigurisë dhe vijojnë t’i bëjnë thirrje këtij shtetasi të dorëzohet, i cili vijon të bëjë rezistencë duke qëlluar vazhdimisht në drejtim të Policisë.
Si pasojë e të shtënave janë plagosur jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, L. S., 22 vjeç dhe A. K., 21 vjeç, kalimtarë të rastit, në momentin që ky shtetas ka filluar të qëllonte me armë në drejtim të Policisë.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur menjëherë forcat e FNSH dhe të RENEA-s, për të bërë neutralizimin dhe kapjen e shtetasit që vijon të qëllojë me armë në drejtim të Policisë.
Shtetasi Lefter Zhidru vijon të qëllojë me armë duke bërë rezistencë edhe pas thirrjeve të pandërprera të Policisë.
Banesa nga e cila po qëllon ky shtetas është e rrethuar dhe Policia ka vendosur një perimetër të gjerë rrethimi, për të parandaluar dëmtimin e kalimtarëve të tjerë të rastit.