Pse paketa e re fiskale kundërshtohet në tërësi nga industria prodhuese? Cilat janë efektet nga rritja e taksave sipas Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe sipërmarrjes së prodhimit të çimentos? Sa do të jetë rritja e çmimeve të ushqimeve nga 1 janari 2022, nëse Parlamenti miraton rritjen e taksave të propozuara nga qeveria
Dorina Azo
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Qendra e Eksportuesve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë – Tiranë, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit dhe përfaqësues të sektorit të çimentos, i kundërshtojnë njëzëri ndryshimet e propozuara me Paketën Fiskale 2022. Ndryshimet propozohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në një kohë kur sipërmarrësit po vuajnë shtimin e kostove, nga shtrenjtimi i lëndës së parë, energjisë, gazit dhe transportit në tregjet ndërkombëtare, për shkak të krizës nga Covid-19. Rritja e taksave, sipas tyre godet drejtpërdrejt prodhimin vendas, pasi shton kostot prodhuese dhe tkurr mundësitë financiare për investime. Bizneset paralajmërojnë se nga shtimi i taksave do të rriten importet dhe do të bien eksportet.
Me paketën e re është propozuar heqja e TVSH-së së rimbursueshme nga 6% që është aktualisht për agroindustrinë bujqësore. Parashikohet që skema e rimbursimit të TVSH-së të zëvendësohet me skema subvencionuese, por ende nuk është prezantuar projekt konkret. Ndryshimet fiskale propozojnë edhe vendosjen e akcizës për gazin 6 lekë/litri, nga zero aktualisht (më parë taksohej vetëm gazi që përdorej për automjete).
Mbështetur në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), është propozuar heqja e rimbursimit për lëndët djegëse, të cilat përdoren për nevoja teknologjike për sektorë, si: farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto. Projektligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, përjashton nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave të investimeve me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë aktualisht.
Shoqatat e biznesit ngrenë shqetësimin se projektligjet e paketës së re fiskale, jo vetëm që nuk e ndihmojnë sipërmarrjen të rimëkëmbet nga kriza e Covid-19, por do ta detyrojnë atë që, për të mbijetuar, të rrisë çmimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore. Sipërmarrësit paralajmërojnë se nëse këto ndryshime miratohen nga 1 janari 2022, çmimet e produkteve ushqimore do të rriten 30%. Grupet e interesit propozojnë se në këtë periudhë është më i përshtatshëm hartimi i një platforme kombëtare në ndihmë të prodhimit vendas, zbatimi i fondeve subvencionuese, krijimi i një fondi për të lehtësuar kreditimin, si dhe ulja e TVSH-së në 5% për produktet ushqimore.
Si penalizohet prodhimi vendas nga ndryshimet fiskale
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është kundër ndryshimeve të paketës fiskale, pasi sipas sekretarit të përgjithshëm, Arben Shkodra, goditet prodhimi vendas dhe nuk janë të përshtatshme për këtë kohë, kur prodhuesit po vuajnë shtimin e kostove nga çmimet e larta në tregjet e huaja.
“Propozimet fiskale për 2022-n godasin 90% të prodhimit vendas dhe vijnë pas gati 3 vitesh të vështirë që kaloi sipërmarrja nga ngjarja e tërmetit dhe pandemia. Këtë vit po ashtu ka pasur rritje të lartë të çmimeve të lëndëve të para, transportit, energjisë dhe gazit në tregun botëror. Prodhimit vendas i vendosen barra fiskale që nuk i ka pasur më parë, ndërkohë që për 2021, qeveria duhet të kishte nisur bisedimet me sipërmarrjen, jo për paketën fiskale, por për hartimin e një platforme për të mbështetur dhe për të lehtësuar prodhimin vendas”.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë (DHTIT), z. Nikolin Jaka, e konsideron paketën fiskale një politikë të nxituar nga qeveria dhe e pakonsultuar më parë me biznesin. “Është një politikë e njëanshme, thjesht për të mbushur boshllëqet e buxhetit të shtetit, por pa llogaritur dhe pa marrë fare në konsideratë goditjen që do të pësojë industria prodhuese. Është një veprim që shkon në kundërshtim me strategjinë e biznesit dhe të investimeve, ku vetë qeveria deklaron se synon dhe pretendon ‘që do të rrisim konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve, që industria prodhuese të bëhet konkurruese me vendet e rajonit etj’”.
Kreu i DHTI thotë se nga ndryshimet fiskale do të frenohen investimet në teknologji dhe se shtimi i kostove do të përkeqësojë të gjithë sektorët e ekonomisë. “Duke marrë në konsideratë faktin se po përjetojmë një situatë të përshkallëzimit të frikshëm të rritjes së çmimeve në tregun global, për shumë lëndë të para, qeveria në vend që të ndihmojë dhe të lehtësojë sipërmarrjen, me këto projektligje ndikon negativisht dhe shton barrën e kostove të prodhimit dhe me pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për sipërmarrjen vendase dhe ekonominë në tërësi.
Një rritje e paparashikuar e këtyre taksave, pa dyshim do të ndikojë edhe në përkeqësimin e treguesit të eksporteve, të produkteve të këtyre industrive, sidomos agroindustria, përpunimi i qumështit, industria e materialeve të ndërtimit, e çimentos etj. Një tjetër ndikim tepër negativ dhe frenues do të ketë për investimet në teknologji, që aq shumë ka nevojë industria prodhuese. Në këto kushte do të thellojmë më shumë hendekun në konkurrueshmëri me vendet e rajonit”, nënvizon Jaka.
Edhe presidenti i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, pohoi se ndryshimet e propozuara godasin në tërësi agroindustrinë bujqësore dhe ushqimore. Zusi veçon se rritja e taksave do të shtojë kostot e prodhimit vendas, do të rrisë produktet e importit dhe çmimet e produkteve ushqimore. “Nëse miratohen, ndryshimet e propozuara godasin rëndë gjithë agroindustrinë, përfshirë edhe atë ushqimore. Kostot për prodhimin vendas do të shtohen, nuk do të jenë të konkurrueshme. Rritja e taksave do të ndikojë edhe te rënia e eksporteve.
Të gjitha ndryshimet godasin prodhimin vendas. Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% rrit koston e prodhimit vendas. Në draft thuhet se skema do të zëvendësohet me skema subvencioni, por deri tani nuk është prezantuar asnjë e tillë. Ndryshimet në projektligjin për akcizën do të shtrenjtojnë më shumë gazin që përdorin prodhuesit. Përjashtimi nga TVSH-ja për importin e makinerive për investimet rrit automatikisht koston e blerjes së tyre”, tha Zusi.
Nga 1 janari 2022, çmimet pritet të rriten rreth 30%
Rritja e taksave pritet të sjellë shtrenjtim të çmimeve të produkteve ushqimore dhe bulmetit. Përfaqësues të Shoqatave të Bizneseve parashikojnë se efektet e drejtpërdrejta të paketës do të jenë shtrenjtimi i çmimeve që mund të nisë nga 1 janari 2022.
“Nuk dëshirojmë të rrisim çmimet dhe të ulet konsumi, por jemi të detyruar t’i ndryshojmë çmimet nëse propozimet miratohen, sepse duhet të mbijetojmë. Nga rritja e taksave ngarkesa pritet t’i shkojë fermerit ose konsumatorit që do të paguajë, çmime deri në 25% më të larta.
Në tre vitet e fundit që ka nisur zbatimin skema e ndryshuar e kompensimit të TVSH-së nga 20 në 6%, 1,5 L qumësht nga 130 lekë që është shitur në 2018 (para ndryshimit të skemës) sot tregtohet me çmimin e 150 lekë/litër. Ndryshim të çmimeve ka pasur edhe për produktet e tjera bazike të bulmetit, si kosi, gjiza, djathi etj.”, nënvizon kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka.
Rritja e taksave me Paketën Fiskale 2022, edhe sipas kreut të DHTIT, Nikolin Jaka, do të shtojë kostot e prodhimit vendas, do të rrisë produktet e importit dhe për rrjedhojë do të rriten të gjitha çmimet e produkteve ushqimore dhe industriale në tregun vendas.
Nëse ndryshimet fiskale të propozuara do të miratohen, kreu i Qendrës së Eksporteve Shqiptare, Alban Zusi, paralajmëron se nga 1 janari 2022 do të ndikojë te rritja e çmimeve. “Miratimi i paketës fiskale do të sjellë rritje të çmimeve për të gjitha produktet ushqimore me të paktën 30% nga 1 janari 2022. Prodhuesit nuk mund ta përballojnë rritjen e taksave, teksa kostot e tyre janë shtuar nga rritja e çmimit të karburanteve, gazit, energjisë dhe lëndëve të para. Rritja e çmimeve do të ketë edhe ndikim social te shoqëria, pasi shtrenjtimi i çmimeve nuk do të përballohej”.
Efektet nga heqja e TVSH-së së rimbursueshme
Nga 1 janari 2019 nisi zbatimin skema e re e rimbursimit të TVSH-së nga 20% në 6%. Ndryshimet ndikuan negativisht tek industria përpunuese, sidomos te prodhuesit e produkteve të bulmetit. Në paketën e re fiskale propozohet heqja e TVSH-së së rimbursueshme me 6%. Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Luis Ndreka, nënvizon se paketa fiskale është në favor të mbledhjes së të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe jo në ndihmë të sektorëve të ekonomisë.
Sipas drejtuesit të Shoqatës së Përpunuesve, për sektorin e përpunimit të qumështit, është shqetësuese disbalanca e TVSH-së ku në blerje të lëndës së parë, sektori nuk kompensohet dhe TVSH-ja për shitje është 20%. “Sektori i përpunimit të qumështit është më i penalizuari nga ndryshimet e paketës fiskale, sepse ne jemi të vetmit që nuk eksportojmë. Eksportet janë në nivele shumë të ulëta. Për shkak të moseksportimit, TVSH-ja paguhet në vend dhe për blerjen e lëndës së parë nuk kompensohemi. Jemi të vetmit në rajon që kemi TVSH 20% për shitjen e produkteve të shportës dhe bulmetit, ndërkohë që Italia e ka 8%, Maqedonia e Veriut dhe Kosova 8%, ndërsa subvencionet për fermerin janë zero.
Në kohën e krizës, kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së plastikës dhe lëndës ushqyese për kafshët në tregjet e huaja, nga qeveria propozohet shtim më shumë i kostove nga rritja e taksave”. Kreu i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, z. Ndreka thotë se në këtë kohë kur industria po vuan shtrenjtimin e lëndës së parë nevojitet barazimi i TVSh-së, si në blerje, edhe në shitje, si dhe të jepen 10 lekë/litër qumësht të faturuar për fermerin. “Këto masa formalizojnë sektorin, rrisin bazën e tatueshme dhe shteti brenda vitit ka për të mbledhur më tepër të ardhura. Zbatimi i këtyre masave do të formalizonte në vitin e parë 50% të bujqësisë, dhe pas vitit të dytë, deri në 70 – 80%”.
Sipas përllogaritjeve të përfaqësuesit të kompanisë prodhuese të bulmetit, “Erzeni”, Sajmir Begaj, heqja e TVSH-së së rimbursueshme do të rrisë automatikisht kostot dhe çmimet e mallrave të bulmetit 24 lekë më shumë. “Nëse për një blerje të lëndës së parë, pagesa do të ishte 100 lekë dhe shitet 120 lekë, me heqjen e TVSH-së së rimbursueshme, në fund çmimi do të jetë 144 lekë. Në rastin kur TVSH-ja rimbursohet e plotë për një blerje të lëndës së parë me vlerë 100 lekë, nga të cilat 20 lekë TVSH e kreditueshme, shitej 120 lekë + 24 lekë TVSH e pagueshme, çmimi në fund do ishte 124 lekë”.
Heqja e TVSH-së nuk do të shtojë vetëm kostot, por edhe produktet e importit dhe informalitetin në bujqësi, sipas kryetarit të DHTI, Nikolin Jaka. “Heqja e TVSH-së së rimbursueshme 6% për prodhuesit bujqësorë / fermerët, do të ndikojë në rritjen e kostos së prodhimit bujqësor, do të ndikojë negativisht dhe në rritjen e importit të produkteve bujqësore, pasi vendet e rajonit zbatojnë politika subvencioni për prodhimin bujqësor. Kjo masë mbi të gjitha do të ndikojë në rritjen e informalitetit në sektorin e bujqësisë”.
Sekretari i bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, Arben Shkodra, pohon se kjo masë do të godasë agroindustrinë bujqësore në tërësi. “Me këtë propozim, agropërpunuesit nuk do të marrin vetëm koston e 14% të mbetur të TVSH të pakreditueshme, por të totalit të TVSH-së 20%. Përpunuesit kanë kërkuar ta kthenin rimbursimin në masën 20% (siç ka qenë para vitit 2019) i kontrolluar, ndërkohë që projektligji e zeron rimbursimin e TVSH-së”.
Efektet e propozimit për akcizën e gazit
Vendosja e akcizës 6 lekë/litri nga zero aktualisht për gazin që përdoret nga bizneset parashikohet t’i rrisë 180,000 euro shpenzimet vjetore një fabrike prodhuese, sipas përllogaritjeve të sekretarit të përgjithshëm të Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra. “Ndryshimet për vendosjen e akcizës 6 lekë/litri nga zero aktualisht prek një pjesë të madhe të prodhuesve që përdorin gazin si lëndë djegëse për të prodhuar.
Sipas llogaritjeve të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, një fabrikë në vend konsumon 10,000 litra gaz në ditë (fabrikë që punon 24 orë) x 6 lekë/litri akciza = 60,000 lekë apo 500 euro. Kostoja e shpenzimeve mujore të gazit llogaritet 15,000 euro, ndërsa kostoja vjetore rreth 180,000 euro. Pse duhet ta ketë prodhuesi vendas një shtesë prej 180,000 eurosh në një kohë kur duhej të lehtësohej nga kostot? Nëse qeveria do të vendosë këto tarifa, duhet nga ana tjetër të zbatojë mekanizmin e rimbursimit”.
Heqja e rimbursimit të akcizës të lëndëve djegëse
Projektligji “Për akcizën” përjashton nga rimbursimi 50% që është aktualisht të akcizës për lëndën e parë djegëse që përdorin fabrikat tullave, çimentos, birrës, sektori i naftës bruto dhe farmaceutika. Sipas Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë nga propozimi për heqjen e rimbursimit të akcizës të lëndës djegëse preken rreth 11 fabrika të prodhimit të tullave dhe të çimentos në vend. “Nga qeveria argumentohet se numri i tyre është i ulët dhe efekti nuk është i lartë. Por në tërësinë e tyre, këto fabrika përbëjnë 2 sektorë prodhues të ekonomisë. Me heqjen e rimbursimit të lëndës së parë djegëse goditen disa sektorë të ekonomisë dhe kjo është e patolerueshme”, nënvizon Arben Shkodra.
Efektet për sektorin e çimentos
Ndryshimet fiskale të propozuara për 2022 pritet të ndikojnë drejtpërdrejt tek aktiviteti i industrisë së prodhimit të çimentos. Heqja e akcizës së rimbursueshme për lëndën djegëse do të ndikonte në tkurrjen e eksportit të çimentos, sipas Dritan Nakos, drejtori ligjor/ i marrëdhënieve me jashtë të kompanisë më të madhe të prodhimit të çimentos në vend, “ANTEA CEMENT”.
Drejtori ligjor i “ANTEA CEMENT”, z. Dritan Nako, argumenton se pse rimbursimi i akcizës nuk mund të klasifikohet në grupin e përjashtimeve jo standarde apo trajtimeve preferenciale, sikurse dhe efektin negativ të akcizës, si një prej taksave indirekte në procesin e prodhimit të çimentos dhe konkurrueshmërisë në eksport. Sipas tij, kostoja e lëndës djegëse të ngurtë që kjo industri përdor në prodhim, varion nga 20-35% të kostos totale të prodhimit. Taksat indirekte (taksa e karbonit dhe ajo e akcizës) janë sa 80% të vlerës së lëndës djegëse para taksimit, ndërkohë që industria synon që rreth 50% të prodhimit ta destinojë për eksport.
“Shqetësimi ynë kryesor për paketën fiskale të propozuar lidhet me nenin 1 të projektligjit “Për ndryshime në ligjin për akcizat”, në të cilin synohet “heqja e rimbursimit për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale dhe agroindustriale, të cilat përdoren për nevoja teknologjike të prodhimit të produkteve në këta sektorë (farmaceutika, tullat, çimento, birra dhe nafta bruto).”
Në relacion thuhet se “ky propozim vjen në kuadër të hartimit të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, ku Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka rekomanduar që të gjitha përjashtimet jo standarde, normat e reduktuara dhe trajtimet preferenciale duhet të eliminohen nga TVSH-ja, akcizat dhe taksat kombëtare”.
Ajo çka kuptuam edhe gjatë takimit që zhvilluam me ministren e Financës dhe Ekonomisë, znj. Delina Ibrahimaj, është se rimbursimi i akcizës për lëndët djegëse të konsumuara në serat me ngrohje, për prodhimin e produkteve industriale, konsiderohet nga ana e qeverisë shqiptare si përjashtim jo standard ose si një trajtim preferencial dhe në këtë kuadër, sikurse nisur edhe nga rekomandimet e FMN, do të duhet të hiqet.
Ligji nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, ka përafruar këto akte të BE-së: Direktivën e BE-së nr. 2008/118; Direktivën e Këshillit 2003/96/ datë 27 tetor 2003; Direktivën 92/83/KEE, datë 19 tetor 1992; Direktivën 92/84/KEE, datës 19 tetor 1992; Direktivën 92/12/EEC, 25 shkurt 1992; Vendimin e Komisionit nr. 428, datë 22.06.2006; Rregulloren e Komisionit EC 2008/450. Direktiva e Këshillit 2003/96/ datë 27 tetor 2003, sikurse është transpozuar në ligjin shqiptar, por edhe në të gjitha legjislacionet europiane dhe ato të rajonit, sa i takon akcizës për produkte energjetike të përdorura në procese mineralogjike, parashikon PËRJASHTIM nga pagesa e akcizës.
Ne të njëjtën kohë edhe Ligji nr. 61/2012, datë 24.05.2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, Neni 10, Rastet e përjashtimeve, pika 3, përmban parashikime identike: “Neni 10. Rastet e përjashtimeve: Përfitojnë përjashtim nga pagesa e akcizës edhe: c) produktet energjetike me përdorim të dyfishtë. Një produkt është me përdorim të dyfishtë kur është i destinuar njëkohësisht si lëndë djegëse dhe për përdorim të ndryshëm nga ai i karburanteve ose i lëndëve djegëse. Përdorimi i produkteve energjetike për reduktimin kimik dhe elektrolizën, si dhe procese metalurgjike konsiderohen si një përdorim i dyfishtë; ç) produktet energjetike të përdorura në proceset mineralogjike;”
Ky parashikim i Ligjit nr. 61/2012, datë 24.05.2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë”, është tërësisht në përputhje me Direktivën e BE-së 2003/96/KE, datë 27 tetor 2003, ristrukturimi i kornizës së Komunitetit për taksimin e produkteve energjetike dhe elektricitetin[1] Neni 2 pika 4 shkronja (b) paragrafi pesë i cili parashikon shprehimisht: “procese mineralogjike janë proceset të cilat klasifikohen në Nomenklaturën NACE nën kodin DI 26 “fabrikimi i artikujve të tjerë minerale jo metalike” në Rregulloren e Këshillit (EEC) Nr. 3037/90, datë 9 tetor 1990 mbi klasifikimin statistikor të aktiviteteve ekonomike në Bashkimin Europian”.
Nomenklatura NACE, sipas Rregullores së Këshillit (EEC) Nr. 3037/90, është tranzpozuar në legjislacionin shqiptar me VKM nr. 327, datë 18.7.1994 “Për miratimin e zbatimit të Nomenklaturës së Veprimtarive Ekonomike” dhe Nënseksioni DI 26, Fabrikimi i artikujve të tjerë minerale jometalike, ndër të tjera, përfshin 26.5 Fabrikimi i çimentos, gëlqeres, dhe allçisë etj.
Në kundërshtim me sa më lartë, nga viti 2012, kur Ligji nr. 61/2012, datë 24.05.2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” është miratuar e deri aktualisht, në zbatim të gabuar të parashikimeve ligjore, industrisë përpunuese shqiptare të prodhimit të produkteve minerale jometalike i është mohuar padrejtësisht e drejta ligjore për të përfituar përjashtim nga akciza e produkteve energjetike të përdorura në procese mineralogjike, sikurse kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë konkurrentët në rajon dhe në Bashkimin Europian.
Rrjedhimisht, akciza e paguar, ndër të tjera, për koksin e naftës së prodhuar në vend ka dëmtuar industrinë përpunuese shqiptare të prodhimit të produkteve minerale jometalike, pasi prodhuesit e çimentos edhe në Republikën e Shqipërisë do duhej të ishin përjashtuar nga akciza, në përputhje me bazën ligjore të sipërcituar.
Mundësia e rimbursimit të akcizës, në masën 50%, sikurse aplikohet sot në asnjë rast nuk përbën një përjashtim jostandard apo trajtim preferencial për industrinë e çimentos, sikurse konsiderohet nga qeveria shqiptare, por thjesht dhe vetëm një mekanizëm gjysmak, i cili ndryshe nga sa udhëzon direktiva në fjalë dhe modelet e rajonit dhe të vendeve europiane e ka vënë në mënyrë të vazhdueshme në disavantazh këtë industri, duke i mohuar përfitimin legjitim të saj. Industria e çimentos, në mirëkuptim të nevojave të buxhetit të shtetit, ka pranuar që të ndihmojë, duke pranuar të jetë në rolin e kreditorit (fillimisht kur rimbursimi mundësohej në masën 100%) e më pas edhe në atë të kontributorit në masën 50% (kur rimbursimi filloi të mundësohej në masën 50%).
Nëse edhe kjo mundësi rimbursimi synon që të eliminohet, ndërkohë që pretendohet që në kundërshtim të të drejtave të kësaj industrie për përjashtim nga akciza (sipas ligjit dhe direktivës përkatëse), kjo industri të paguajë në mënyrë të pakthyeshme akcizë për lëndët e ngurta djegëse që përdoren në procesin e saj teknologjik, në masën 100%, kjo do të godiste seriozisht konkurrueshmërinë e këtij produkti vendas dhe do të dërgonte një mesazh dekurajues për këtë industri, e cila deri më tani, në frymën e mirëkuptimit dhe të partneritetit, ka lënë mënjanë pretendimin e saj legjitim për përjashtim të plotë nga akciza sipas ligjit.
Kostoja e lëndës djegëse të ngurtë që kjo industri përdor në procesin e saj prodhues, varion nga 20-35% të kostos totale të prodhimit. Taksat indirekte (taksa e karbonit dhe ajo e akcizës) janë sa 80% të vlerës së lëndës djegëse para taksimit, ndërkohë që industria synon që rreth 50% të prodhimit ta destinojë për eksport.
Në frymën e përafrimit të legjislacionit europian dhe për rrjedhojë atë të krijimit të kushteve sa më konkurruese e minimalisht të barabarta me ato ekzistuese në rajon, si dhe në vendet europiane, kërkojmë që deri në përjashtimin e plotë të akcizës sipas ligjit, mundësia e rimbursimit të akcizës në masën 50% të mos hiqet e njëkohësisht të konsiderohet mundësimi i rimbursimit të saj në masën 100%, për produktet energjetike që përdoren në proceset mineralogjike, ku bën pjesë edhe industria e prodhimit të çimentos”.
Heqja e TVSH-së së makinerive, si do të ndikojë tek investimet
Një tjetër ndryshim fiskal, i cili pritet të shtojë sërish kostot e industrisë, është ai në projektligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku përjashtimi nga TVSH-ja për importimin e makinerive dhe pajisjeve në funksion të realizimit të kontratave do të jetë për investimet me vlerë të barabartë, ose më të madhe se 500 milionë lekë nga 50 milionë lekë aktualisht.
“Edhe me këto ndryshime vë në vështirësi bizneset për investimet dhe për rimëkëmbjen e aktivitetit të tyre të prekur nga pandemia. Në këtë situatë do të ishte shumë më e përshtatshme që qeveria t’i linte edhe këtë vit prodhuesit të rimëkëmbeshin dhe më pas të bisedonin me sipërmarrësit për ndryshimet”, thotë Arben Shkodra, nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.
Sipas Nikolin Jakës, rritja 10-fish e këtij tavani do të ndikojë në uljen e interesit të investitorëve vendas dhe të huaj, për të investuar në teknologji, veçanërisht në të gjitha industritë prodhuese, në një kohë kur sipërmarrja prej kohësh i ka kërkuar qeverisë stimuj fiskalë për të nxitur investimet në teknologjitë e prodhimit me efekt në rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve./Monitor