Pas refuzimit të mazhorancës për zhvillimin e një mocioni me debat mbi fondet e programit IPARD në bujqësi, opozita ka kërkuar zyrtarisht ngritjen e një Komisioni Hetimor në Kuvend. Kërkesa vjen pas raportit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimeve (OLAF), e cila ka konstatuar shkelje në administrimin e fondeve të Bashkimit Evropian për bujqësinë shqiptare.
OLAF ka rekomanduar që Komisioni Evropian të konsiderojë si të papranueshme 33 milionë euro nga fondet e thirrjeve të para dhe të dyta të programit IPARD II, duke çuar në pezullimin e këtyre fondeve. Pas këtij vendimi, u pezulluan edhe 112 milionë euro të tjera nga programi pasues IPARD III, duke ngritur dyshime për menaxhimin e ndihmës financiare të BE-së në sektorin bujqësor.
Në kërkesën e dorëzuar, opozita thekson se Komisioni Hetimor duhet të shqyrtojë nëse janë respektuar marrëveshjet e nënshkruara mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, si dhe proceset e përzgjedhjes dhe financimit të projekteve që kanë përfituar nga fondet IPARD II. Hetimi do të përfshijë edhe mënyrën se si janë zbatuar projektet nga përfituesit dhe nëse ka pasur shkelje ligjore apo abuzime nga institucionet përgjegjëse.
Qëllimi kryesor i Komisionit, sipas opozitës, është të sigurojë transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian në bujqësi, si dhe të propozojë masa ligjore për të shmangur në të ardhmen raste të ngjashme me ato të evidentuara nga OLAF. Në përfundim të hetimit, Komisioni pritet të propozojë masa konkrete për të rikthyer besimin e institucioneve evropiane dhe për të mundësuar zhbllokimin e fondeve të IPARD III për Shqipërinë.
Sipas propozimit, Komisioni Hetimor do të përbëhet nga 11 anëtarë, pesë prej të cilëve nga Partia Demokratike, përfshirë kryetarin, dhe gjashtë nga Partia Socialiste.








