Ndërkohë që pandemia Covid-19 i ka dhënë një goditje tepër të rëndë ekonomisë dhe shëndetit të shqiptarëve, për ta rënduar edhe më shumë situatën ka menduar Ministria e Shëndetësisë, e cila gjatë gjithë periudhës së pandemisë deri më tani, nuk ka patur një strategji të qartë efikase në luftën ndaj Covid-19.
Gjatë të gjithë këtyre muajve, shtabi i punës anti-Covid-19, e kryesuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka bërë shumë shkelje ligjore, në dëm të qytetarëve taksapagues të vendit.
Deri më tani transparenca e qeverisë dhe dikasterit të ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë zero në raport me qytetarët, të cilët po e paguajnë deri edhe me jetët e tyre pasojat nga pandemia.
Oligopol me testet serologjike!
Ndër hapat më të rëndësishëm në luftën kundër pandemisë, është testimi i qytetarëve dhe gjurmimi i kontakteve, pikë kjo në të cilën Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë dështuar me sukses. Domosdoshmëria e vëllimit të lartë të testimeve është theksuar disa herë në mënyrë të veçantë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), që u ka bërë thirrje të gjithë shteteve të bënin sa më shumë teste të ishte e mundur.
Në momentin kur pritej që Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP të rrisnin numrin e testimeve, ndodhi e kundërta. Qeveria zgjodhi që këtë shërbim, i cili ofrohet falas, sikundër e parashikon ligji shqiptar, ta kalonte në struktura private. Rezulton se shërbimi i testit të Covid-19 në laboratoret private, shkon sa “qimet e kokës” me çmimin e vendosur me ‘marrëveshje’ nga laboratorët, prej 4000 lekë të reja.
Vendosja e njëkohshme nga këto laboratore e çmimeve për kryerjen e testit serologjik, ngre dyshime për shkelje të kushteve të konkurrencës dhe marrëveshje të ndaluara në treg, siç janë të ashtuquajturat “Kartele”.
Theksojmë se kartelet janë marrëveshje që bëjnë bashkë dy ose më shumë biznese me qëllim që të shmangin konkurrencën e lirë në treg. Ato gjithnjë formohen për qëllime të caktuara si p.sh. karteli i çmimeve ka për qëllim që anëtarët e kartelit të mos konkurrojnë me njëri-tjetrin në uljen e çmimeve.
Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka bërë “një sy qorr dhe një vesh shurdh”, duke mos ndërmarrë prej kaq kohësh asnjë masë për të ndaluar rritjen e njëkohshme në grup të çmimeve të testeve serologjike, teksa as Ministria e Shëndetësisë nuk është kujtuar të rregullonte këtë problematikë gjatë kësaj kohë pandemie.
Sakaq me vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që prej datës 19 korrik 2020, laboratoret private ka nisur testimi serologjik për Covid-19 për shtetasit shqiptarë.
Pas këtij vendimi, u vu re një vendosje e njokohësishme nga këto laboratore private të çmimeve të njëjta për kryerjen e testit serologjik, duke ngritur kështu dyshime të arsyeshme për shkelje të kushteve të konkurrencës, marrëveshje të ndaluara në treg, dhe krjimin e karteleve klanore së bizneseve.
Dikur i ofronin falas, sot 4 mijë lekë të reja! Çfarë po ndodh me testet serologjike
Në këtë situatë hyjnë në lojë rrjetet e laboratorëve si “Intermedica”, që deklaron se është i vetmi laborator në Shqipëri,që kryen konfirmimin e rezultatit me dy metoda të ndryshme dhe me dy kompani të ndryshme, që janë më të mëdhatë në tregun botëror, me vlerën e 4 mijë lekëve të reja.
Por, çfarë deklaronte “Intermedica” dikur?
Drejtuesi i këtij laboratori, Vasil Llajo, në muajin prill deklaroi në dy intervista të dhëna për Neës 24, se ishin të gatshëm të ofronin falas 4 analiza për të prekurit me Covid-19. Po ashtu, ai i ofroi publikisht edhe pajisjen ‘Roche 4800’ Institutit të Shëndetit Publik, për kryerjen e analizave serologjike dhe PCR, me qëllim përballimin e situatës. Në bisedë e sipër, ai madje është shprehur se janë të gatshëm të ofrojnë edhe kryerjen e tamponit falas, teksa e ka konsideruar si jo të sigurtë kryerjen e PCR në laboratoret private, duke u shprehur se në të gjithë botë kjo analizë bëhet nga shteti.
Mirëpo, diçka ka ndryshuar përgjatë këtyre muajve dhe Llajo e “Intermedica” nuk janë më të këtyre mendimeve, pasi duket se i janë bashkuar pazareve. Megjithatë, shqetësimi ynë nuk lidhet me këtë laborator, sa lidhet me fenomenin shqetësues të ‘dallavereve’ me çmimet e kiteve dhe tam,poneve për qytetarët shqiptarë.
Çfarë parashikon ligji shqiptar në këto raste?
Një akt apo fenomen i tillë, nuk është thjesht i gabuar në planin moral dhe etik, por bie në kundërshtim të plotë me ligjin që mbron konkurrencën e lirë në Republikën e Shqipërisë. Ligji Nr.9121, datë 28.7.2003 “PËR MBROJTJEN E KONKURRENCËS” neni 4 dhe neni 9 e ndalon qartazi diçka të tillë dhe parashikojnë penalitete të larta për shkelësit.
Autoriteti i Konkurrencës deri më sot nuk ka bërë asnjë lëvizje për të marrë iniciativën rreth hetimit apo vëzhgimit të rastit të laboratorëve privatë që bëjnë testet serologjike për Covid-19 dhe të cilët deri tani i ‘kanë rrjepur” qytetarët shqiptarë. Me këtë heshtje Autoriteti i Konkurrencës vazhdon të tregojë se po i mban ‘ison’ propagandës qeveritare.
Tenderat për blerjen e kiteve
Sakaq “surpriza e radhës” mund të lexohet në buletinin e Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP), ku janë hapur dy tendera të ri për blerje kitesh me vlerë prej 138.2 mln lekësh.
Sipas raportimit të Shqiptarja.com, tenderi i parë është hapur nga Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza, me fondin limit 67.3 milionë lekë pa TVSH, me objekt kontrate: “Blerje kite reagente dhe materiale mjekësore për analizat e matësit ne gjak astrupograma (SET për 1 (një) Analizë)”.
Kështu vihet re që në tenderin e hapur është vendosur edhe çmimi për çdo njësi që do të blihet. Një njësi për kryerjen e testit nuk duhet të kushtojë më shumë se 305,5 lekë pa TVSH, dhe fituese do të shpallet kompania me ofertën më ekonomike të favorshme. Kompanitë e interesuara duhet të dorëzojnë ofertat deri më datë 28 shtator, dhe kohëzgjatja e kontratës është 24 muaj.
Ndërkohë tenderi tjetër i hapur është nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit te Gjakut Tiranë, me fond limit prej 70.8 milionë lekë.
Denoncimi i gazetarit: Kitet për testet e Covid-19 merren me nga 2 dollarë dhe shiten me 100-200 dollarë
Gazetari i njohur i ekonomisë, Klodian Tomorri, para disa javësh ka denoncuar rastet flagrante dhe lojën korruptive që bëhet me kitet e testeve të Covid-19 duke thënë se realisht kitet vijnë nga Kina dhe kushtojnë vetëm 2 dollarë copa, ndërkohë që në Shqipëri kushtojnë 200 dollarë.
Tomorri ka publikuar gjithashtu një faturë ku shihet se se në total 100 kite që shërbejnë për testet për Covid-19, kanë kushtuar deri në 200 dollarë. Faturën, Tomorri e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, ku shkruan se një kit kushton vetëm dy dollar, e ndërsa njerëzve në spitale private, të cilat tashmë janë të licensuar për të bërë testet për koronavirusin, po ua shesin me nga 100 dollarë.
Aparatura e bërjes së tamponeve
Aparatura prodhimi i firmës zviceriane “Roche”, e quajtur “Cobas 6800”, mund të kryejë tamponin.
Kjo lloj aparature kushton 320 mijë euro dhe kryen 384 teste në orë, që përkthehen në 9,240 teste në ditë.
Kjo do të thotë se një laborator në Shqipëri, me çmimin 95 euro të tamponit arkëton 877,800 euro në ditë që për 30 ditë përkthehet 26,334,000 euro. Kështu laboratorët e lidhur me njëri-tjetrin “kartelët” përfitojnë shifra marramendëse, kur kostot duken të papërfillshme.
Abuzimi me testet serologjike dhe tamponin!
Që në momentin që Ministria e Shëndetësisë bashkë me Komitetin e Ekspertëve vendosën lejimin e zhvillimit të analizave të Covid-19 edhe në klinikat private, taksapaguesit shqiptarë rezultojnë se po po paguajnë më shumë se kushdo në rajon për kryerjen e analizave serologjike dhe tamponit.
Nëse do të mendonte realisht për qytetarët, Ministria e Shëndetësisë mund të kishte investuar në burime njerëzore dhe materiale për të përballuar fluksin në kryerjen e analizave që ia ka kaluar laboratorëve privatë, duke i kursyer kështu një barrë të madhe shtesë shqiptarëve.
Minimalisht, gjëja që duhet të bëjë shteti në këtë rast është të ndërhyjë për të bërë rolin e vet si “rregullator dhe kontrollor”, duke rregulluar çmimet për testet serologjike, të cilat qartësisht falë skemave korruptive të oligopoleve, janë shumë të kriputra për xhepin e shqiptarëve dhe njëkohësisht më të lartat në rajon.