Ditën e sotme pas akuzave të Sali Berishës nga Bajram Curri se Lulzim Basha po mblidhte firma duke premtuar poste në drejtori dhe në kabinetin qeveritar Rama, vjen një reagim nga kryetari i PD-së.
Përmes një mesazhi në Twitter, Basha thekson se Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme.
REAGIMI I BASHES
Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD. Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët.
Kujtojmë deklaratën e fortë të Berishës:
“Detyra jonë është që këtë narkoshtet ta përmbysim njësoj si përmbytëm diktaturën komuniste. Për të realizuar këtë mision ne duhet të shndërrohemi në opozitë të vërtetë. Sepse në 8 vite peng kryetari në çoi nga dështimi në dështim. Me qëndrimet e tij defaktorizoi PD. Dy ditët e fundit peng kryetari me një grusht vasalësh po përpiqet të mbledhë firma duke ofruar poste drejtorash dhe zëvendësministrash në kabinetin e Edi Ramës. Le ti themi futuni në qeveri si tradhtarë , por do ju përmbysim në një kohë të shkurtër. Ne jemi në prag të një ngjarje historike, të rithemelimit të PD sepse udhëheqja është marrë peng. Pa parti Demokratike dhe pa opozitë të fortë nuk ka pluralizëm në Shqipëri. Më lejoni zoti kryetar i dashur deputet të falënderoj të gjithë delegatët e rrethit të Malësisë së Gjakovës për firmat e tyre historike. Përse Berisha u angazhua tani dhe jo më parë? Kam kërkuar të falur që kur i kërkova peng kryetarit të japë dorëheqjen…dhe më tha jo, unë duhet të hiqja dorë nga vendimi im i largimit pa kthim, por nuk e bëra. A ka lidhje kjo siç duan ta paraqesin me masë që ka marrë Departamenti i Shtetit, ju them që jo. Blinken njoftoi në ‘Twitter’ se më kishte shpallur non-grata dhe unë i thashë që kjo është vepër e lobimit korruptiv i Xhorxh Soros dhe Edi Ramës”, tha Berisha.