Lleshaj minon nismën e Ramës anti-KÇK dukë bërë gati shkrirjen e OFL-së. Kryeministrin Rama me rastin e miratimit të paketës së ligjeve në këtë kuadër do të shprehej se “anti-KÇK dhe Operacioni Forca e Ligjit (OFL) do të jenë një thikë në zemër të krimit pasi godet atë që ky i fundit ka më të shenjtë, pasurinë”. Sot, nisma e tij del e magët. sipas vetë ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ministri: Paketa nuk funksionoi
Por mbrëmë, ministri Lleshaj në një intervistë televizive, ka dhënë sinjalet e tërheqjes dhe të dështimit të paketës anti-KÇK. “Ligji Antimafia nuk ka funksionuar. Është amenduar dhe është hapur mundësia që të funksionojë në të ardhmen. Pandemia ka sjellë ngarkesë të madhe do na duhet të mendojmë për një amendim të ligjit. Do të kërkohet shtyrje e afatit që të mbyllen çështjet që janë në gjykatë. Janë mbi 1500 pasuri që presin një vendim nga gjykata. Do të lihet pak kohë, do të kushtëzohen me mbylljen e çdo procesi të nisur”, ka thënë Lleshaj. Më tej Lleshaj tha se do të shikojnë mundësi të tjera se si do të vijojë procesi i OFL-së kur të zbardhet pasuria e çdo kujt që dosja iu është dorëzuar në gjykatë.
Dështimi i OFL-së
Operacioni Forca e Ligjit nisi punën në janar të këtij viti me aktin normativ numër 1 datë 31 janar 2020 dhe në nenit 38 të tij parashikon afatin e efektit të përkohshëm deri më 31 dhjetor 2020. OFL u propagandua nga qeveria si një goditje fatale ndaj krimit, por deri më tani nuk ka rezultuar në bllokimin e asnjë pasurie madhore, përveç atyre që janë sekuestruar si pasojë e akteve kriminale që kanë kryer subjektet dhe prokuroria për rrjedhojë ka bllokuar pasuritë e tyre, por jo në verifikim dhe zbulim të pasurive të krimit. Përveç kësaj, OFL u përfshi nga skandali i nxjerrjes së sekreteve nga kupola drejtuese.
Në janar, Lleshaj duhet t’i raportojë Ramës
Por cili është bilanci që do t’i paraqesë Lleshaj Ramës më 1 janar 2021? Çdo janar ministri i Brendshëm duhet t’i raportojë Këshillit të Ministrave mbi pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi. Sipas amendimeve në ligji antimafia, 60% e fondit të siguruar nga agjencia që administron pasuritë e krimit, do t’i kalojë Policisë së Shtetit. Ndërsa 5% do të shkojnë për shpërblime për policët.
Aktualisht janë 189 pasuri të sekuestruara nga krimi i organizuar me vendim gjykate. Në të përfshihen llogari bankare, prona të luajtshme dhe paluajtshme dhe vlera e tyre llogaritet 26 milionë euro. 59 të tjera janë konfiskuar me vendim të formës së prerë me një vlerë rreth 6 milion euro. A do të kënaqet Rama me këtë performancë të dobët. Shumica dërrmuese e sekuestrove të OFL-së kanë përfunduar në gjykatë ku një pjesë janë rrëzuar.
/GazetaReforma/