Policia e Korçës ka arrestuar një shtetas 61-vjeçar, pasi akuzohet për dhunë në familje. Në prangat e policisë, ka rënë shtetasi me inicalet R. M., i cili ka dhunuar fizikisht kunatën e tij. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal për një 63-vjeçar, pasi nuk ka njoftuar policinë se në banesën e tij, ishte vetë varur bashkëshortja e tij, shtetasja F. M., 61 vjeçe.
Njoftimi i Policisë së Korçës:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. M., 61 vjeç, banues në Korçë, pasi dyshohet se në banesë, ky shtetas ka dhunuar fizikisht kunatën e tij, shtetasen D. M., 51 vjeçe, banuese në Korçë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Dhuna në familje”.
Maliq – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, filluan procedimin penal për shtetasin F. M., 63 vjeç, banues në fshatin Kolanec, Maliq, pasi ky shtetas nuk ka njoftuar organet e Policisë se në datën 17.06.2021, në banesë, ishte vetëvarur bashkëshortja e tij shtetasja F. M., 61 vjeçe, duke konsumuar elementë të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.