Deputeti Enkelejd Alibeaj njoftoi sot largimin e tij nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duke zbuluar arsyet që e shtynë drejt këtij vendimi në një intervistë për News24. Alibeaj kritikoi ashpër drejtimin e PD-së nga Sali Berisha dhe theksoi nevojën për ndryshime të thella brenda partisë.
“Unë e kam mbajtur qëndrimin në vazhdimësi mbi qëndrimin që grupi i PD duhet të mbante më parë për zotin Berisha. Ngjarjet e sollën që të vendoseshim para një testi gjatë këtyre tre viteve. Për këtë arsye e kam konsideruar një vlerë të qenit në politikë. Para njerëzve nuk duhet të ndryshojnë qëndrimet dhe kam mbajtur të njëjtin qëndrim gjatë këtyre tre viteve,” tha Alibeaj, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj parimeve të tij.
Ai kritikoi PD-në e drejtuar nga Berisha si një parti që nuk respekton demokracinë e brendshme dhe rregullat partiake, duke e quajtur atë një “parti e një individi.” “PD e Sali Berishës, është një parti e një individi. Hidhur apo ëmbël, ajo është parti e një individi. Është një parti që nuk njeh demokracinë e brendshme, as rregullat…kjo historia e zgjatur e gjyqit ishte në thelb mosrespektim i rregullave partiakë. Është parti me një kulturë të vjetër me simptoma komuniste. Nuk është një ofertë,” u shpreh ai.
Alibeaj pranoi përgjegjësinë e tij për situatën e PD-së gjatë kohës që ishte pjesë e saj dhe shprehu përpjekjet e tij për të modernizuar partinë. “Unë kam përgjegjësi, e pranoj dhe marr aksionin tim. Nuk i shmangem përgjegjësisë dhe nuk bëj sikur harroj. Nuk lëpij atë që kam pështyrë. A ka nevojë PD që të pësonte ato ndryshime që kam thënë, të jetë e aftë të jetë joshëse, të paraqesë një fytyrë tjetër,” tha ai.
Duke reflektuar mbi performancën e PD-së në zgjedhjet e kaluara, Alibeaj theksoi se partia ka dështuar të jetë një alternativë fituese që nga viti 1992. “Nga ’92-shi PD nuk ka mundur të jetë fituese në episodet elektorale. Nga koha kaloi nga një dështim në tjetrin. Për çdo mendje të arsyeshme kjo duhet të ndizte një llampë të kuqe që diçka nuk po funksiononte,” shtoi ai.
Në fund, Alibeaj kërkoi falje për dështimet e partisë dhe theksoi nevojën për një ndryshim radikal për të rikthyer besimin e qytetarëve shqiptarë. “Fakti që PD për 12 vjet ende të mos shihet si një alternativë dhe shpresë, ka një problem të madh. Ku ishte përgjegjësia ime për sa kohë isha brenda. Ishte një përpjekje e imja dhe ndodhi të isha në krye të saj për një segment kohor. Ishte përpjekja ime të modernizohej partia, të linte pas të shkuarën dhe të perceptonte cilat janë nevojat e shqiptarëve sot,” përfundoi ai.