Ditën e sotme u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare arkitekti dhe piktori i njohur Maks Velo, i cili ishte i shtruar prej disa ditësh në QSUT, pasi vuante nga anemia e theksuar.
Pas këtij lajmi të hidhur ka patur një lumë reagimesh nga politikanë dhe figura publike, që kanë shprehur trishtimin e tyre për ndarjen nga jeta të Velos.
Mes tyre është edhe Blendi Feviu, i cili ka postuar në rrjetet sociale një foto nga intervista e fundit që ka zhvilluar me të në sheshin ‘Skënderbej’, teksa shprehet se i vjen keq që Velo u largua nga kjo botë me bindjen se njerëzit janë të papërgatitur për epokën moderne.
Fevziu thotë se ai nuk jetoi asnjë sekondë si një njeri i zakonshëm dhe nuk kishte se si të vdiste si i tillë dhe sipas gazetarit, këtij qyteti do t’i mungojë një artist, një antikonformist dhe mbi të gjitha një qytetar.
‘LAMTUMIRE!
Udhe te mbare Maks! Ti nuk jetove asnje sekonde si njeri i zakonshem dhe nuk kishe si te vdisje i tille. Ketij qyteti do t’i mungoje nje artist me pak, nje antikonformist me pak, nje dashnor i vertete me pak, nje arkitekt me pak, por mbi te gjitha, nje QYTETAR me pak!
Ne kete foto ne Sheshin Skenderbej, ne intervisten tende te fundit ne kete bote, ne Shkurt, me erdhi keq kur ndersa flisje per masakren urbane dhe trashegimine e rrenuar kulturore, te degjova qe the: “Ne jemi njerez te papergatitur per epoken modern”. Me vjen akoma me keq, qe asnje nga ne nuk mundi te ta hiqte kete bindjen, me te cilen u nise per ate bote. Do na mungosh shume Maks Velo’, shkruan Blendi Fevziu.
Maks Velo ka lindur më 31 gusht të vitit 1935 në Paris dhe pas lindjes së tij, familja Velo u kthye përsëri në Shqipëri, në qytetin e Korçës, ku Maksi ka kaluar edhe fëmijërinë.
Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdoi studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe më pas u specializua për arkitekturë dhe në vitin 1960 ka marrë pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.
Ka punuar më tej pranë byrosë së projektimit të Tiranës.
Vitet ’78-’79 përkojnë edhe me periudhën më të vështirë të jetës së tij, pasi gjatë kësaj kohe, ai u arrestua dhe dënua me dhjetë vjet burg.
Po ashtu, Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura ” etj.