Shqiptarët me gjithë numrin e lartë të bankave private që operojnë në vend, përsëri e kanë shumë të ulët kulturën bankare dhe besimin te këto institucione.
Eksperienca e keqe me fajdet e vitit 1997 dhe tani komisionet e larta, apo edhe mbajtja e normave të ulëta të interesit, detyrojnë shumë individë që të vijojnë të mbajnë kursimet e tyre jashtë bankave, apo dhe të qarkullojnë shumë para kash jashtë sistemit.
Vitet e fundit, kur edhe norma bazë e interesit të Leku-t është mbajtur shumë e ulët nga Banka e Shqipërisë, gjithmonë e më shumë është rritur numri i familjeve apo individëve që kursimet e tyre në para i kanë mbajtur jashtë bankave.
Në një anketë të posaçme në mbi 1 mijë familje, për të testuar gjendjen e tyre financiare, Banka e Shqipërisë konstatoi se, përgjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2020, nga familjet që kanë kursime, 25% e tyre i mbajnë ato jashtë bankave.
Paratë jashtë sistemit
Përqindja e familjeve që i mbajnë tepricat monetare jashtë sistemit bankar, arriti në nivelin më të lartë që nga 6-mujori i parë i vitit 2016.
Në 3-mujorin e dytë të vitit, interesi mesatar për depozitat e reja me afat në lekë rezultoi 0.57%, nga 0.61% që ishte në 3-mujorin e parë dhe 0.68% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që inflacioni mesatar në 3-mujorin e dytë të vitit ishte 1.9%.
Me këto zhvillime interesi real i depozitave bankare është në nivele negative.
Në ndryshim nga prirja e tre vrojtimeve të kaluara, në këtë vrojtim konstatohet një rritje e peshës së mbajtjes së pasurisë jashtë sistemit bankar (ku përfshihen kursime në para të mbajtura jashtë banke ose të dhëna hua), kundrejt peshës së rasteve të mbajtjes së pasurisë financiare brenda sistemit (ku përfshihen depozita/llogari bankare dhe investime të tjera), si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë.
Kjo prirje vihet re si në rastin e totalit të kampionit të familjeve dhe në rastin e grupit të familjeve huamarrëse, thekson banka.
Mungesa e instrumenteve për investime
Nga anketimi rezulton se 42% e totalit të familjeve të kampionit të vrojtuar (huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 60% e grupit të familjeve huamarrëse, deklarojnë se ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare’ dhe të dyja këto pesha janë rritur respektivisht me 18 dhe 17 pikë përqindje, krahasuar me vrojtimin e kaluar.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (62% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (77% e rasteve të raportuara).
Të dyja këto pesha kanë rezultuar në rënie krahasuar me 6-mujorin e kaluar (respektivisht me 8.8 pikë përqindje dhe 8.2 pikë %) dhe krahasuar me një vit më parë (respektivisht me 5.1 pikë % dhe 3 pikë %).
Përdorimi i formave të tjera të investimit të pasurisë financiare, të përmbledhura në termin “investime të tjera”12, ka rezultuar disi në rritje në rastin e totalit të kampionit të vrojtuar në terma gjashtëmujorë dhe vjetorë, por ka shfaqur prirje rënëse në rastin e grupit të familjeve huamarrëse.
/Burimi: Monitor.al/ Përshtati: GazetaRefiorma.com/