Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka reaguar në lidhje me “bëmat” e policisë në vend.
Në lidhje me vrasjen brenda komisariatit numër 3 në Tiranë, AMP bën me dije se është bërë arrestimi i efektivit Ludian Zaimi, autor i vrasjes së kolegut të tij.
Nga ana tjetër një ngjarje po kaq e rëndë ndodhi dhe në Kombinat, ku inspektori i policisë Lavdosh Gjyla qëlloi me armë Murteza Likën, me të cilin ndodhej në një tavolinë duke pirë alkool. Theksojmë se ngjarja e kombinatit hedh hije dyshimi dhe mbi policinë e Tiranës, që në njoftim thanë se Lika ishte plagosur në rrethana të paqarta, dhe se ishte një person me probleme të shëndetit mendor, gjë e cila nuk përmendet nga AMP.
Ngjarjet e fundit nga efektivët e policisë na kujtojnë edhe njëherë shprehjen: Kë duhet të telefonojmë kur policia vret?!!
Njoftimi i AMP:
Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka qenë e angazhuar maksimalisht për hetimin dhe dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura në qytetin e Tiranës, si më poshtë vijon;
Më datë 24.05.2022, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. Z., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.
Arrestimi i punonjësit të policisë L. Z. u krye pasi më datë 23.05.2022, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Ç. S., me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.
Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor L. GJ, 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e N.SH. Vaqarr Tiranë.
Arrestimi i tij u krye pasi më datë 23.05.2022, në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi L. GJ., ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një Bar Kafe dhe në gjendje të dehur, ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim të shtetasit M. L., në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.
Si pasojë, shtetasi M. L. ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Për sa më sipër, shtetasi L. GJ. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.
Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në DVP Tiranë.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.