Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.
Çela është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 9 prill 2019, ndodhur në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Policia e Elbasanit ka futur në ngërç procesin gjyqësor ndaj të shumëkërkuarit Talo Çela. Prej më shumë se një muaj Gjykata e Posaçme i ka kërkuar bluve të Elbasanit, që në banesën e 51-vjeçarit, të ngjisë njoftimin se ndaj tij ka nisur një proces gjyqësorë, por ky veprim procedurial nuk është kryer ende nga policia.
Pikërisht mosnjoftimi dhe kryerja e këtij veprimi nga ana e autoriteve ligjësbatuese ka bërë që procesi gjyqësor në mungesë ndaj Çelës të mos nisë, duke shtyrë 7 seanca njëra pas tjetrës. Policia e Elbasanit ka vënë në dijeni gjykatën me një shkresë, që fleta e njoftimit nuk është ngjitur ende në banesën e personit që është kthyer në “fantazmën”, e autoriteteve.
Fleta e njoftimit, është veprimi i fundit njoftues, që do zhbllokonte procesin dhe do niste gjykimin në mungesë nga togat e zeza të GJKKO-së, përsa i përket dosjes së grabitjes së Rinasit, ku u vodhën gati 5.5 mln euro. Pas vënies në dijeni të gjykatës për moszbatimin e urdhrit të saj, policia e Elbasanit nuk ka dërguar asnjë shkresë tjetër në gjykatë, duke mos e shpjeguar as arsyen e moskryerjen e kësaj procedure.