Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit ka hapur një tjetër tender miliona euro, këtë herë për ngritjen e një sistemi të ri me emrin ACRIS, një platformë që supozohet të menaxhojë në mënyrë elektronike të dhënat për titujt akademikë, gradat shkencore dhe projektet kërkimore në Shqipëri. Kontrata e parashikuar është me një fond limit prej 250 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 2.57 milionë euro. Në çdo vend normal kjo do të ishte një përpjekje për modernizim, por në Shqipëri kjo është thjesht një tjetër fature publike për një platformë që me shumë gjasë nuk do të funksionojë, nuk do të përdoret dhe do të përfundojë në listën e gjatë të dështimeve luksoze të AKSHI-t.
Ndërsa qytetarët përballen me platforma që nuk funksionojnë, me shërbime publike që bien përditë nga sistemi dhe me mungesë totale transparence për çdo qindarkë të harxhuar, AKSHI vazhdon të përthithë fonde me ritme të frikshme. Mbi 166.6 milionë lekë janë planifikuar për “implementimin” e sistemit dhe 83.3 milionë lekë për “mirëmbajtje”. Në letër, projekti zgjat 9 muaj për ndërtim dhe 24 për mirëmbajtje. Në realitet, këto janë thjesht shifra për të justifikuar një tjetër tender të stërfryrë, në një institucion ku askush nuk mban përgjegjësi për asgjë.
E njëjta histori është përsëritur për çdo projekt që ka dalë nga kjo agjenci: platforma që prezantohen me pompozitet, që shfaqen në ekrane propagande si “zgjidhje evropiane”, por që nuk sjellin asnjë ndryshim real për përdoruesin final. Kemi parë se si 200 milionë lekë u shpërdoruan për “riformatimin” e e-Albania, ndërkohë që faqja qëndroi jashtë funksionit për ditë të tëra, me shërbime të pazbatueshme dhe sisteme të pambrojtura që u goditën në mënyrë spektakolare nga sulmet iraniane në vitin 2022. Deri më sot, asnjë auditim nuk ka sqaruar se si ndodhi, sa dëme u shkaktuan dhe kush mban përgjegjësi.
AKSHI, nën drejtimin e Mirlinda Karçanajt, ka krijuar një monopat digjital ku rrjedhin miliona euro në mënyrë të centralizuar, të pakontrolluar dhe të padukshme për publikun. Raportet zyrtare flasin për 79 institucione që ende nuk janë të integruara në sistemet e agjencisë, megjithëse kjo duhej të kishte përfunduar që në vitin 2017. Nuk ekzistojnë dokumentime teknike të hapura, nuk ka akses mbi kodin burimor të platformave, nuk ka transparencë mbi përzgjedhjen e kontraktorëve, nuk ka logjikë ekonomike pas ndarjes së kostove dhe nuk ka asnjë efekt të matshëm në cilësinë e jetës për qytetarët.
Tenderat publikë të teknologjisë janë kthyer në çezma të arta për një grusht kompanish të lidhura me qeverinë, të cilat i fitojnë të gjitha procedurat, me çmime të fryra dhe pa konkurrencë reale. Kjo platformë e re, ACRIS, pritet t’i bashkohet të njëjtit cikël: një projekt i njoftuar me entuziazëm, me synime të mëdha për “vizibilitet ndërkombëtar”, për “automatizim”, për “transparencë të të dhënave”, por që në fund nuk do të ketë asnjë përdorues real, asnjë statistikë të vlefshme, dhe do të mbetet një dështim i radhës me faturë milionash.
Ndërkohë që qeveria flet për inovacion dhe integrim në BE, Shqipëria renditet ende në vendin e 62-të në botë për qeverisje elektronike dhe eksporton vetëm 240 milionë dollarë në sektorin ICT, krahasuar me miliarda euro që eksporton Serbia apo vende të tjera të rajonit. Këtu, teknologjia nuk përdoret për zhvillim, por për pastrim fondesh.
AKSHI është shndërruar në një instrument të sofistikuar për vjedhje të ligjshme me vulë shteti. Çdo projekt i ri, çdo platformë e re, çdo “digjitalizim” është një “thelë” tjetër që përpihet nga kjo strukturë, ndërsa qytetarët vazhdojnë të paguajnë me taksat e tyre një farsë të kushtueshme. Një sistem i ngritur mbi mashtrim, mbrojtur nga propaganda dhe financuar pa ndërprerje nga buxheti i shtetit.
Dhe ndërsa SPAK ka nisur të trokasë në dyert e disa prej kompanive që kanë ndërtuar këtë piramidë tenderash, si në rastin e Ermal Beqirit dhe “Soft & Solution”, fatura e vërtetë për gjithë këtë sistem mashtrues mbetet e paprekur. Sepse për aq kohë sa AKSHI mbetet i paprekur, vjedhja do të vazhdojë, dhe çdo platformë e re nuk është asgjë më shumë se një formë tjetër e vjetër për të zhdukur para publike.