Në një nga flotat më të fuqishme ushtarake në botë, një shqiptar ka marrë një detyrë të lartë e të rëndësishme. Më 27 qershor 2025, Alban Dervishi është emëruar zyrtarisht komandant i anijes amfibe amerikane “USS Pearl Harbor”.
Sipas traditës së Marinës Ushtarake të SHBA-së, ylli që simbolizon komandën vendoset në anën e djathtë të gjoksit nga bashkëshortja e komandantit.
Dervishi, i cili ka nisur karrierën e tij në Marinë që në moshën 18-vjeçare, e cilësoi këtë post si një përgjegjësi të madhe: “Të bëhesh komandant i USS Pearl Harbor është një nder dhe privilegj që bazohet në detyrën ndaj vendit tonë dhe përgjegjësinë ndaj qindra marinarëve që shërbejnë këtu në Paqësor.”
Emërimi i tij është përshëndetur edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, e cila në një postim në Facebook shkruan: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon Alban Dervishin për rolin e tij të ri si Komandant i USS Pearl Harbor! Ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego javën e kaluar.”
Anija “USS Pearl Harbor” mban emrin e bazës detare amerikane në Hawaii, e cila u sulmua nga Japonia më 7 dhjetor 1941 – një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë ushtarake të SHBA-së, që çoi në hyrjen e saj në Luftën e Dytë Botërore.
Mëngjesin e asaj të diele të vitit 1941, aviacioni japonez ndërmori një sulm të befasishëm që zgjati rreth një orë e 15 minuta dhe ndodhi në dy valë. Pasojat ishin të rënda: 2,403 amerikanë humbën jetën, përfshirë edhe civilë, ndërsa 1,178 të tjerë u plagosën. U fundosën 8 anije luftarake, përfshirë USS Arizona, që shpërtheu dhe u fundos me 1,177 viktima, si dhe USS Oklahoma dhe USS West Virginia. Po ashtu, rreth 200 avionë amerikanë u shkatërruan ose u dëmtuan rëndë. Nga ana tjetër, Japonia humbi vetëm 29 avionë dhe 5 nëndetëse xhepi.
Emërimi i Alban Dervishit në krye të një anijeje me një histori kaq të rëndësishme përbën një moment krenarie për komunitetin shqiptar në SHBA dhe më gjerë.