Në një botë ku ritmi është i pandalshëm, 15 qershori sjell një moment reflektimi për një figurë shpesh të heshtur, por themelore, babanë.
Kjo ditë nuk është për dhurata apo fjalë të mëdha, por për falënderime të thjeshta: për durimin, sakrificat pa zë dhe forcën që shpesh fshihet pas një përqafimi të ngurtë apo një fjale të kursyer, por me peshë.
Në një shoqëri që shpesh e ngurtëson figurën e babait në role tradicionale apo klishe, kjo ditë na kujton se edhe ai është prind që rrit me përkushtim, përkujdesje dhe dashuri, edhe kur nuk e thotë me fjalë.
Është dita për t’i thënë “faleminderit” njeriut që, në mënyrën e tij, është kthyer në shtyllën e heshtur të shtëpisë.
Nëse je me fat ta kesh pranë, thuaja sot: “Faleminderit që je forca ime e qetë.” Nëse nuk është më, kujtoje me buzëqeshje, sepse kujtimi për një baba nuk zbehet kurrë.
Si lindi Dita e Babait?
Ndonëse Dita e Nënës ka një jehonë më të gjerë, edhe baballarët kanë një ditë të tyre, zakonisht e diela e tretë e qershorit, e cila këtë vit bie më 16 qershor në shumicën e vendeve.
Festa e parë e organizuar e Ditës së Babait u mbajt më 5 korrik 1908, në Fairmont të West Virginia-s, SHBA.
Ajo u iniciua nga Grace Golden Clayton, për të nderuar 210 baballarë që humbën jetën në një tragjedi minierash në dhjetor 1907, një ngjarje që njihet si “Tragjedia Mononga”.
Clayton zgjodhi një të diel të afërt me ditëlindjen e të atit për ta përkujtuar me një ceremoni publike. Por për shkak të ngjarjeve të tjera në qytet atë ditë, kjo iniciativë nuk u shndërrua në një traditë të qëndrueshme.
Në vitin 1910, një tjetër grua, Sonora Smart Dodd nga Spokane, Washington, nisi përpjekjet për të krijuar një ditë në nder të baballarëve.
E frymëzuar nga Dita e Nënës dhe nga babai i saj, një veteran i Luftës Civile që rriti i vetëm gjashtë fëmijë, Dodd organizoi një ngjarje më 19 qershor , që u pranua gjerësisht në qytetin e saj dhe mori mbështetje më të gjerë në vitet në vijim.
Megjithatë, përpjekjet për ta kthyer Ditën e Babait në një festë zyrtare hasën në vështirësi për dekada.
Kongresi amerikan refuzoi disa herë ta zyrtarizonte për shkak të shqetësimeve për komercializimin e saj. Vetëm në vitin 1966, Presidenti Lyndon B. Johnson lëshoi një dekret që caktoi të dielën e tretë të qershorit si Ditën Kombëtare të Babait në SHBA. Ky vendim u bë zyrtar në vitin 1972 nga Presidenti Richard Nixon.
Sot, kjo ditë shënohet në mbarë botën si një kujtesë: pas çdo fëmije të fortë, qëndron një baba që ka dhënë më shumë sesa duket.