Një ngjarje e rëndë ka nodhur gjatë natës në Dibër, ku dy vëllezër janë përfshirë në konflikt, teksa njëri prej tyre ka mbetur i vdekur. Vëllai i madh, 26-vjeç, ka goditur me thikë vëllain e tij, 23-vjeç, duke e lënë të vdekur. Autori është Florian Tonuzi, ndërsa vëllai i mbetur viktimë quhet Benard Tonuzi.
Sipas dëshmive të fqinjëve, familja e dy vëllezërve ishte e qetë dhe nuk ishte shfaqur asnjëherë probleme. Fqinjët kanë treguar se autori, 26-vjeçari, Florian Tonuzi kishte vetëm pak muaj që kishte dalë nga burgu (3-4 muaj), ndërkohë që dyshohet se ishte përdorues i lëndëve narkotike.
Sipas fqinjëve, familja kishte vetëm këta dy djemë, ndersa autori pas daljes nga burgu kishte shfaqur probleme me shëndetin mendor. Mësohet se vëllai ka goditur disa herë me thikë të riun, ndërkohë që ky i fundit ka ndërruar jetë në spitalin e Dibrës.
“Janë familje e mirë. Në hallet dhe punët e veta. Shihnin hallet të veta. I vogli iu shtrua punës. Nuk kanë pasur konflikte, ne nuk dimë gjë. Me aq as kemi parë, sjellja ka qenë e mirë. Vetëm këta dy djem kanë familja. Ishin të pamartuar. E morëm vesh ngjarjen kur u zgjuam në mëngjes, s’dimë gjë gjëra të tjera”, tha një prej fqinjëve.
Kronologjia e ngjarjes: 26-vjeçari Florian Tonuzi dhe vëllai i tij 23-vjeçar, Benard Tonuzi, kanë qëndruar deri në mesnatë në një lokal në Maqellarë dhe më pas janë kthyer bashkë në shtëpi, me makinën e tyre, ku autori ka qenë në timon dhe vëllai i vogël në vend të parë. Kur kanë mbërritur në shtëpi, djemtë i kanë thirrur babait që t’iu hapte portën. Ky i fundit ka dalë jashtë, iu ka hapur portën fëmijëve, të cilët kanë hyrë në oborrin e shtëpisë dhe pikërisht aty ka ndodhur dhe ngjarja tragjike. 26-vjeçari e ka qëlluar vëllanë e tij me thikë brenda makinës, ndërsa i ati ka parë gjithë ngjarjen e tmerrshme.