Tregu i sigurimeve ka vazhduar rritjen edhe gjatë muajit tetor, duke u mbështetur kryesisht nga produktet e sigurimit të detyrueshëm.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), përfundimi i 10-mujorit ka sjellë një rritje prej 7.6% të primeve të shkruara bruto, duke arritur në 20.3 miliardë lekë.
Megjithatë, kjo rritje është më e ngadaltë në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të forcimit të lekut dhe ndikimit të kursit të këmbimit valutor.
Për gjysmën e parë të vitit, rreth 33% e primeve ishin të llogaritura në valutë të huaj, kryesisht në Euro, ndërsa rritja e tregut ka pasur një karakter organik dhe të ngadaltë.
Sigurimet e detyrueshme, veçanërisht ato motorike, mbeten shtyllat kryesore të tregut të sigurimeve, duke përbërë rreth 66% të primeve në tregun e Jo-Jetës.
Ndërkohë, dëmet e paguara janë rritur me ritme të shpejta, duke shënuar një rritje prej 22.7% krahasuar me vitin 2023, një ritëm tre herë më të lartë.
Kjo ka ndikuar në strukturën e dëmeve, ku sigurimet motorike dominonin me 70% të dëmeve të paguara bruto./Monitor