Pas shpërthimeve të fuqishme në Teheran dhe nisjes së një sulmi ajror masiv nga Izraeli ndaj Iranit, tregjet ndërkombëtare të naftës reaguan menjëherë: çmimi u rrit me rreth 8%. Dhe ndërsa bota është ende në panik për përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, shqiptarët kanë filluar të bëjnë një llogari të thjeshtë, sa do të rritet karburanti këtë herë?
Në Shqipëri, rritja e çmimeve të naftës nuk është lajm. Është zakon. Një refleks automatik që nuk ndalet kurrë. E kemi parë më herët: mjafton një krizë diku në botë, dhe karburanti në Shqipëri shtrenjtohet si me magji, ndonjëherë që në mëngjesin pas ngjarjes. Por kur bursa bie? Aty askush nuk lëviz. Nuk ka ulje, nuk ka transparencë, nuk ka reflektim. Dhe askush nuk jep llogari.
Bordi i Transparencës i krijuar më herët, i shpallur asokohe si mekanizëm kontrolli, nuk e përmbushi asnjëherë funksionin për të cilin u krijua. Roli i tij ka qenë më shumë fasadë sesa mbrojtje për qytetarët. Në vend që të shërbente si një instrument rregullues ndaj tregut dhe abuzimeve të oligarkëve, u shndërrua në një vegël që mbante çmimet fikse kur uleshin dhe i ngrinte menjëherë kur rriteshin në tregjet ndërkombëtare. Një strukturë që në vend të “transparencës”, ka legjitimuar grabitjen e përditshme.
E vërteta është se Shqipëria gjithmonë ka përfituar nga krizat globale për të abuzuar me çmimin e naftës. Një skemë që përsëritet sa herë që ndodh diçka në botë, luftë, tension, embargo apo krizë. Në vend që të mbrojë konsumatorin, shteti ynë krijon kushte që e ekspozojnë atë ndaj abuzimit të kontrolluar.
Nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në Europë. Jo sepse është e vështirë të importohet. Por sepse mbi 60% e çmimit të saj përbëhet nga taksa dhe tarifa të fryra: akciza, TVSH, taksë karboni, tatim qarkullimi, shërbime shoqëruese. Çdo litër është një thes taksash që rëndojnë mbi konsumatorin. Dhe me gjithë këtë barrë, sërish, oligarkët shqiptarë vazhdojnë të qarkullojnë fitime marramendëse, pa konkurrencë reale dhe me bekimin e shtetit.
Nëse sot nafta shitet me 170 apo 180 lekë për litër, nuk do të jetë aspak befasuese ta shohim të kapë shpejt kufirin e 250 apo edhe 300 lekëve. Në të njëjtën kohë, pritet të ketë rritje të ndjeshme edhe te çmimet e ushqimeve bazë. Shqipëria importon më shumë se gjysmën e produkteve që konsumon, dhe një pjesë e madhe e tyre vjen nga zona të prekura ose të afërta me konfliktin. Kjo do të thotë më pak mallra, më shumë kosto dhe çmime gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët.
Ndaj, nuk është çudi nëse këto momente tensioni në Iran shndërrohen sërish në një arsye të re për të mos e ulur më kurrë çmimin e naftës në Shqipëri, e për të abuzuar edhe me çdo çmim tjetër. Ashtu si nuk është çudi që për muaj me radhë nafta të mbetet në nivele të larta, edhe pasi kriza të jetë kaluar. Sepse në këtë vend, rritja është e menjëhershme. Ulja, gjithmonë “në shqyrtim”.