Paratë nuk jepen falas. Shqiptarët këtë mësim duhet ta kishin përvetësuar përgjithmonë pas vitit 1997, kur vendi u zhyt në kaos dhe në prag të luftës civile nga skemat piramidale. Por tre dekada më vonë, historia po përsëritet në një formë të re, këtë herë online, dhe qindra qytetarë po humbin kursimet e jetës duke rënë pre e premtimeve të fitimit të lehtë.
Skemat piramidale, të njohura si firmat rentiere, nisën aktivitetin e tyre në vitin 1991. Thelbi i tyre ishte i njëjtë me atë që shohim sot: marrja e një shume parash nga qytetarët dhe kthimi i një fitimi të lartë në pak kohë, pa asnjë investim real që t’i justifikonte këto shifra.
Hajdin Sejdia ishte i pari që ngriti një piramidë, për t’u larguar më pas me miliona dollarë në Zvicër. Më pas erdhi Sudja e Maksude Kadënës, një punonjëse fabrike këpucësh që ktheu gjithë vendin në radhë për të depozituar kursimet. Pas saj shpërthyen rreth 24 firma të tjera, ndër të cilat më të mëdhatë u bënë VEFA, Gjallica, Demokracia Popullore-Xhaferri, Populli, Cenaj, Silva, Kamberi e M. Leka.
Në kulmin e tyre, në fund të vitit 1996, këto firma premtonin interesa deri në 100%, absurditet i cili paralajmëronte falimentimin e shpejtë. Megjithëse FMN paralajmëroi për mbylljen e tyre, qeveria e asaj kohe jo vetëm që nuk reagoi, por shpesh u akuzua për implikim. Nga 8 deri më 16 janar 1997 shumica e piramidave falimentuan njëra pas tjetrës. Më 22 janar qeveria ngriti fondet e Xhaferrit dhe Popullit, Gjallica ishte tashmë gjysmë e falimentuar, dhe vetëm VEFA vazhdonte aktivitetin falë disa investimeve reale në tregun shqiptar. Humbjet llogariteshin në mbi 1 miliard dollarë.
Pasojat ishin katastrofike. Dy të tretat e familjeve shqiptare humbën kursimet. Protestat u kthyen në kryengritje të armatosur. Depot e ushtrisë u hapën dhe popullata u armatos. Shqipëria u zhyt në anarki, rendi publik u shemb dhe vendi përjetoi muajt më të errët të historisë së pasluftës, duke rrezikuar realisht ekzistencën e tij si shtet. Rebelimi i vitit 1997 është ende një plagë e hapur, një kujtesë e gjallë e asaj çfarë ndodh kur mashtrimi masiv dhe korrupsioni lihen të qarkullojnë lirshëm.
Por duket se kjo histori nuk u mësua kurrë. Sot, në vitin 2025, “Sudja e re” nuk është më në rrugë, por në rrjet. Mijëra shqiptarë po bien pre e skemave piramidale online, ku premtimi është i njëjtë: investo tani dhe merr dyfishin për 45 ditë. Mashtruesit përdorin kriptovaluta që nuk ekzistojnë, aplikacione false dhe reklama joshëse në TikTok, Instagram, Telegram dhe WhatsApp. Ekspertët IT paralajmërojnë se qytetarëve fillimisht u lejohet tërheqja e një shume të vogël për t’i bindur se skema është reale. Më pas, kur shumat rriten, u kërkohet një komision shtesë apo detyrimi për të sjellë një person të ri në sistem. Deri në momentin që vjen falimenti, shumica e pjesëmarrësve mbeten pa asnjë qindarkë.
Rasti më i fundit, TXEX, ka përmasat e një katastrofe kombëtare. Më shumë se 6 mijë shqiptarë kanë humbur mbi 5 milionë dollarë në këtë platformë mashtruese që prezantohej si aplikacion kriptovalutash, por në të vërtetë ishte një skemë piramidale pa licencë dhe pa asnjë kontroll ligjor. Individë anonimë paraqiteshin si “ekspertë tregu” dhe mashtronin qytetarët me fitime false të simuluara, ndërsa realisht fondet zhdukeshin. Kur viktimat kërkonin tërheqjen e parave, u kërkohej një tarifë shtesë prej 400 dollarësh për “verifikim”. Pasi paguanin, llogaritë bllokoheshin dhe administratorët zhdukeshin.
Një pjesë e viktimave kanë humbur mijëra euro, disa kanë marrë borxhe për të investuar, të bindur nga manipulimet psikologjike dhe tërheqjet e vogla fillestare. Përmasat janë aq alarmante saqë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Zelandës së Re e ka shpallur TXEX mashtrim financiar dhe e ka lidhur me rrjete të mëdha ndërkombëtare të tipit “2139 Exchange” që kanë operuar në Azi dhe Afrikë. Denoncimet tregojnë se në Shqipëri administratorë lokalë të skemës janë identifikuar edhe nga Lezha. Deputeti Erion Braçe ka ngritur alarmin se vetëm në Divjakë janë mbi 1000 persona të prekur, duke bërë apel për ndërhyrje urgjente: “Dilni sa më shpejt nga kjo piramidë dhe dorëzoni telefonin tuaj që hetuesit të ndjekin rrjedhjen e parave.”
Institucionet shqiptare ndërkohë heshtin. Banka e Shqipërisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, policia dhe qeveria nuk kanë marrë ende asnjë masë serioze për të ndaluar këtë katastrofë që po zhvillohet në sy të të gjithëve. Njësoj si në vitin 1997, qytetarët po grabiten hapur, kursimet po vidhen, dhe shteti bën sikur nuk sheh. Ky është paralajmërimi më i qartë se historia që nuk kujtohet, përsëritet. Nëse autoritetet nuk reagojnë, rreziku është që humbjet ekonomike të shndërrohen në krizë sociale, dhe Shqipëria të përballet sërish me pasojat e një mashtrimi kombëtar që mund ta çojë vendin në një tjetër humnerë.