Një operacion policor i zhvilluar në zonën e Durrësit ka çuar në arrestimin e katër shtetaseve kineze, të cilat dyshohet se ushtronin aktivitet prostitucioni në ambiente të përshtatura posaçërisht në Golem dhe në Shkëmbin e Kavajës.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Storm 17”, pas një hetimi 4-javor të ndjekur me metoda speciale. Ky operacion u zhvillua për goditjen e veprave penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Në kuadër të këtij aksioni, u arrestuan në flagrancë shtetaset X. Ch., 48 vjeçe, J. L., 36 vjeçe, Y. L., 48 vjeçe dhe L. Sh., 53 vjeçe, të gjitha me shtetësi kineze.
Po ashtu, policia bëri me dije se janë proceduar në gjendje të lirë edhe katër persona të tjerë, për veprën penale “Prostitucioni”, të cilët janë nga Durrësi, Kavaja, Shijaku dhe Kosova.
Gjatë operacionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan katër pasaporta dhe një shumë parash.
Nga hetimet rezultoi se të arrestuarat e ushtronin aktivitetin në dy ambiente të marra me qira në zonat e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit, të cilat i kishin përshtatur për ushtrim prostitucioni.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.







