“Nëse ka dalë në media ka dalë në kazan”, ky ofendim është përdorur nga kryeministri Edi Rama që kur ka ardhur në pushtet.
Marrëdhënia mes qeverisë dhe mediave në Shqipëri ka njohur një përkeqësim të ndjeshëm në vitet e fundit, duke përfshirë sulme verbale dhe sjellje denigruese ndaj gazetarëve. Përdorimi i termit “kazan mediatik” nga kryeministri Edi Rama për të përshkruar disa media, si dhe incidentet e tensionuara mes politikanëve dhe gazetarëve, kanë ndikuar negativisht në perceptimin publik për pavarësinë dhe rolin e mediave në vend. Sulme të drejtpërdrejta ndaj gazetarëve, të tillë si Ambrozia Meta, Klodiana Lala dhe të tjerë, kanë krijuar një atmosferë frike dhe pasigurie në mesin e profesionistëve të shtypit.
Retorika e “kazan mediatik” dhe përplasjet me gazetarët
Termi “kazan mediatik” u fut në diskursin publik nga kryeministri Rama, duke u përdorur për të përshkruar media që ai i konsideron të njëanshme, mashtruese dhe të lidhura me interesa të ngushta politike. Kjo terminologji ka shkaktuar reagime të fuqishme, si brenda radhëve të gazetarëve ashtu edhe në shoqëri. Media të ndryshme janë sulmuar publikisht nga Rama, duke u akuzuar për përhapje lajmesh të rreme ose për ngritje të çështjeve që ai i konsideron të pabaza.
Ambrozia Meta, ka qenë një nga viktimat e kësaj retorike të ashpër. Ajo ka denoncuar faktin se gazetarët shpeshherë etikohen padrejtësisht, përballen me sulme verbale dhe mungesë respekti nga politikanët, çka i pengon ata të kryejnë detyrat e tyre profesionale. Klodiana Lala, një tjetër gazetare e mirënjohur, ka përjetuar të njëjtën presion kur ka ngritur çështje të rëndësishme që përfshijnë përfaqësues të lartë të qeverisë, duke u përballur me refuzimin e tyre për të dhënë përgjigje dhe në disa raste, me përpjekje për të minimizuar rëndësinë e punës së saj. Por ka dhe gazetarë të tjerë që janë sulmuar nga qeveria ose institucione përfaqësuese të qeverisë si: Isa Myzyraj, Ola Xama, Ardit Hoxha, Elton Qyno.
Pengesa fizike dhe denigrimi i mediave
Përveç sulmeve verbale, gazetarët shqiptarë janë përballur edhe me pengesa fizike gjatë përpjekjeve për të mbuluar lajmet. Një rast i tillë përfshin deputetin Pandeli Majko, i cili ka shtyrë gazetarët gjatë një ngjarjeje të mbuluar mediatikisht, duke ngritur shqetësime për trajtimin që gazetarët marrin në terren. Sjellje të tilla shihen si të papranueshme në një vend demokratik, ku roli i gazetarëve duhet të jetë i mbrojtur dhe puna e tyre e lirë nga ndërhyrjet dhe presionet politike.
Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, gjithashtu ka qenë kritike e mediave, duke ngritur pyetje mbi integritetin dhe qëllimet e gazetarëve që punojnë atje. Në disa raste, ajo ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të drejtpërdrejta, duke krijuar përshtypjen se puna e gazetarëve të kësaj mediaje nuk vlerësohet, duke u denigruar si pjesë e një agjende politike të caktuar.
E njëjta sjellje është vërejtur edhe nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila shpeshherë i është kthyer gazetarëve me akuza të drejtpërdrejta se janë “zëdhënës partie”. Kjo retorikë jo vetëm që përçmon punën e tyre, por edhe nxit një perceptim të gjerë negativ për rolin që media luan në informimin e qytetarëve.
Pyetjet e injoruara dhe mungesa e transparencës
Mosdhënia e përgjigjeve për pyetjet e gazetarëve është një tjetër formë denigrimi që politikanët kanë përdorur në mënyrë të përsëritur. Një shembull i kësaj është ish-ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili është akuzuar për tallje dhe përçmim ndaj gazetarëve kur ata e kanë pyetur për çështje të ndjeshme ekonomike. Sjellje të tilla krijojnë një mungesë transparence dhe minojnë rolin e gazetarëve si përfaqësues të interesit publik. Tallja dhe shmangia e pyetjeve të rëndësishme çojnë në një mungesë përgjegjshmërie nga politikanët dhe e bëjnë më të vështirë për gazetarët që të ndriçojnë çështjet me interes publik.
Në një demokraci funksionale, roli i medias është të mbikëqyrë veprimtarinë e qeverisë dhe të sigurojë që qytetarët të jenë të informuar për vendimet që ndikojnë jetën e tyre. Kur gazetarët ndihen të shtypur ose të injoruar, kjo minon pavarësinë e tyre dhe cenon të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të saktë dhe të plotë.
Reagimi i publikut dhe ndikimi në lirinë e medias
Publiku shqiptar ka reaguar ndryshe ndaj kësaj klime të tensionuar mes qeverisë dhe medias. Një pjesë e qytetarëve mbështet qëndrimin e ashpër të kryeministrit dhe disa ministrave, duke argumentuar se media shpeshherë është e njëanshme. Nga ana tjetër, shumë qytetarë dhe organizata ndërkombëtare për lirinë e shtypit kanë shprehur shqetësime serioze për këto sulme, duke paralajmëruar se retorika dhe sjellja denigruese e politikanëve ndaj gazetarëve rrezikon të dëmtojë lirinë e medias në Shqipëri.
Blerjana Bino, përfaqësuesja e Qendrës Scidev, e cila bën kërkime dhe raportime pranë Rrjetit për Gazetarë të Sigurtë, thotë për Zërin e Amerikës, se në Shqipëri janë bërë shqetësim i madh gjuha denigruese kundër gazetarëve, fjalimet kundër mediave, sulmet ndaj gazetareve gra, si dhe rritja e padive gjyqësore ndaj gazetarëve dhe punonjës të medias, deri në dyfishim, nga 33 raste në vitin 2022, në 73 raste në vitin 2023.
“Rastet që ne kemi monitoruar ndër vite tregojnë që pavarësisht se sulmet fizike, të drejtpërdrejta, nuk janë sistematike në Shqipëri, problemi qëndron tek intimidimet, kërcënimet dhe tek presionet jo të drejtpërdrejta, që vijnë si rezultat i marrëdhënieve të ndërsjellta dhe interesave të fshehur ndërmjet politikës, pronarit të medias, shpesh herë edhe krimit të organizuar. Kjo krijon një situatë jo të sigurt, dhe pamundëson gazetarinë e pavarur, cilësore dhe në interes të publikut”, thotë zonja Bino.
Në një raport të fundit, Shqipëria u kritikua për përkeqësimin e klimës së lirisë së shtypit, duke theksuar se sulmet ndaj gazetarëve, si verbale ashtu edhe fizike, po ndihmojnë në krijimin e një mjedisi ku censura dhe autoçensura po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
Sulmet ndaj gazetarëve, si ato verbale, ashtu edhe ato fizike, kanë krijuar një klimë të pasigurt për mediat në Shqipëri. Retorika e përdorur nga kryeministri dhe zyrtarë të tjerë të lartë, së bashku me mungesën e transparencës dhe respektit për punën e gazetarëve, ka çuar në një krizë të statusit profesional të tyre. Në një kohë kur liria e shtypit është e domosdoshme për mbrojtjen e demokracisë, është e rëndësishme që të gjitha palët të angazhohen për të rivendosur një marrëdhënie të shëndetshme dhe të balancuar mes qeverisë dhe mediave.