Partia Socialiste ka nisur sot punimet për Kongresin Zgjedhor, që do mbahet për tre ditë rresht.
Aktiviteti nisi punimet në orën 17:00 në Pallatin e Kongreseve teksa në monitorin gjigant u shfaq fillimisht një video e grave socialiste ndër vite.
Ditën e sotme, Kongresi është fokusuar tek gruaja socialiste dhe nisma më e re “Edhe Një”.
Kështu, e para që mori fjalën ishte deputetja Lindita Nikolla, e cila vuri në dukje nismën e Partisë Socialiste dhe e falenderoi atë për ndihmën që sipas saj u ka dhënë grave.
Pas saj, fjalën e mori Eglantina Gjermeni, e cila preku edhe temën e dhunimit ndaj grave, për të cilën i bëri thirrje kryeministrit që ta trajtonte me prioritet.
Ministra e Arsimit Besa Shahini u ndal kryesisht tek ngacmimet e bujshme seksuale të nxënësve të shkollave që janë publikuar së fundmi në media.
“Sistemi arsimor nuk është ende emancipues. Media patriarkale promovon imazhin e burrit të fortë duke ndërtuar mes imazheve një pabarazi. Viktimat e sistemit patriarkal janë si vajzat dhe djemtë. Gruaja dhe vajza kanë filluar të kenë kurajon të denoncojnë ngacmimet.Media në vend që t’i trajtojë në ndjeshmëri, i nxjerr në emisione dhe spekulojnë me javë. Vetëm për të tërhequr shikueshmëri. Nuk janë të vetëdijshëm për hipokrizinë e tyre, që gjoja brengosen për ngacmim, ndërsa objektivikojë dhe ndoshta ngacmojnë edhe vetë trupat e grave të reja që vallëzojnë aty në emision. Hapësira ku denoncohet abuzimi duhet të jetë e sigurt. Edukimi feminist nuk është kundër burrave por mendësisë patriarkale”, tha Shahini gjatë fjalës.
E më pas mbajti fjalën e saj ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila është shprehur se qeveria ka pasur në vëmendje familjen dhe gratë duke shpalosur edhe arritjet në fushën e Shëndetësisë, teksa u shpreh se fenomeni i dhunës ndaj grave në familje duhet të mbetet një e shkuar apo një kujtim i errët që nuk duhet të kthehet më.
”Një sallë e mbushur me një energji kaq frymëzuese është konfirmimi më i mirë i zgjedhjes që kam bërë unë dhe mijëra gra për tu bërë pjesë e diçkaje shumë të bukur, të grave të partisë socialsite. Një familje e mbushur me nëna të dhembsura, me gra të përkushtuara, me vajza ambicioze. Nisma jonë Edhe një nuk është një slogan kongresi, por është një thirrje kuptimplotë për të thirrur edhe një vajzë, edhe një grua edhe një nënë. Kjo thirrje ka për busull vlerat europiane, të ndërtojmë Shqipërinë që duam. Përpjekja jonë në ndërtimin e shtetit social, ku asnjë grua mos ngelet pas nuk ka rreshtur asnjëherë, nuk ka kthim prapa, tradita e socialistëve e do që përpjekjet të jenë tek fëmija dhe familja. Duke filluar nga ata që kanë më shumë nevojë për vëmendje, nga fëmija i porsalindur deri tek i moshuari. Këtu ka një nënë të re, që ka përfituar bonusin e bebes së bashku me 40 mijë familje. Këtu mes nesh ka një mjeke që sot prek ndryshimet në shëndetësi, që punon në qendër të re shëndetësore falë programit të rindërtimit të 300 qendrave.”- tha Manastirliu.
Po ashtu, e pranishme në Kongres ishte edhe bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, e cila po ashtu ka mbajtur një fjalim, gjatë të cilit u shpreh se Shqipëria Europën e ka tek fëmijët e saj pasi ata janë europianët e vegjël që gratë duhet t’i edukojnë dhe të jenë rojtare të tyre përballë rreziqeve të ndryshme si interneti.
Linda Rama i ka bërë apel grave socialiste të angazhohen tek fëmijët, duke treguar edhe një histori të të birit, Zaho Ramës kur ishte 3 vjeç dhe edukatorja në përvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë e pyeti në kopësht pse e do Shqipërinë.
“Zaho iu përgjigj thjesht ‘Sepse është shtëpia ime’, dhe edukatorja me bashkëshort amerikan u surprizua pasi kishte ikur që e vogël në SHBA dhe kur u kthye me të fejuarin në vitet 2000 i thoshte më vjen keq prej kushteve të Shqipërisë. Më pas bashkëshorti në fluturim për në SHBA i tha të shkruajë 10 arsye pse e donte Shqipërinë dhe arsyeja më e fortë që gjeti edukatorja me emrin Elda ishte se Shqipëria ishte shtëpia e saj. Rrjeti i fuqizuar sot i vajzave dhe grave në politikë për t’i vendosur në dispozicion ambiciet e tyre. Përpara një auditori të tillë jam shumë e tunduar për të folur për çdo temë. është ajo thirrja e fëmijëve, për mua ata janë shëmbëlltyra e europës që kemi brenda nesh. Detyrimi jonë për të folur për ta, apo për të folur për publikun. Flas për dëmin gjë i bëhet kësaj europe brenda nesh, europiani i vogël që lind dhe rritet në familjet tona, duhet të rritet tolerant. Përpara shtrihet një jetë që nuk ka lidhje me jetën që kemi jetuar ne. A bëhet gjithçka duhet, a është kuptuar vërtet se sfidat që do të përballojnë fëmijët nuk do të jenë të njëjtat me ato që përballojmë ne. Le të marrim për një çast ndryshimin epokal që ka marrë interneti dhe telefoni në Shqipëri. Mosha e fëmijëve që fillojnë të përdorin internetin sa vjen dhe ulet. Prindërit janë ende rojet e fëmijëve ndaj rreziqeve të internetit, por 30% e prindërve nuk dinë ta përdorin, duke ja lënë rolin e rojes internetit.”– tha ndër të tjera Linda Rama.
Më pas fjalën e mori kryeministri, i cili nuk i kurseu batutat për bashkëshorten e tij, Lindën, e cila mbajti fjalën më herët.
“Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të gjithë këtyre shoqeve dhe jam shumë i qartë se sonte kusurin do e marr në Surrel, me pasion për gjithçka që nuk u tha këtu. Ju qeshni, por e vërteta është se po të mos e kisha në shtëpi çdo natë këtë opozitën që dëgjuat para meje në variantin më rozë se me atë opozitë që kemi në rrugë, do më dukej vetja më i madhi i krejt në botë, shyqyr Zahon e kemi si Gramozi, nuk ndërhyn në debatin tonë. Kur vijnë ata dy të mëdhenjtë them me vete ku je o Lul se vetëm ti ma bën jetën të lehtë”, tha Rama.
Ndërkaq, përpos batutave kryeministri shprehu falenderimet publikisht për bashkëshorten e tij, por edhe për nënën Anetën, në këtë Kongres që në ditën e parë të tij kishte në fokus gruan.
“Përtej shkakasë unë dua ta falenderoj këtu para jush jo thjeshtë për faktin që më ndihmon të rri me këmbë në tokë, por për faktin që ajo është themeli i patundshëm i shtëpisë tonë. Kemi një shtëpi që falë Lindës është antisizmike dhe përballon edhe tërmetet e mia me shumë qendrueshmëri. Dhe falë saj fëmijëve nuk u mungon në asnjë moment mbrojtja. Por falë saj Aneta, që më shikon aq rrallë ka gjetur një vajzë sikur ta kishte bërë vetë nuk do e bënte dot kaq brenda stamdarteve. Aneta është më e vështirë se BE për standarte, kritere dhe falë Lindës unë nuk kam qenë kurrë vetëm.”, deklaroi Rama.