Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar marrjen e një vendimi për pushtimin e plotë të Rripit të Gazës, duke përfshirë operacione ushtarake edhe në zonat ku Hamasi mban pengje.
Sipas Euronews, Zyra e Kryeministrit i ka përcjellë Shefit të Shtabit një mesazh të qartë: “Nëse kjo nuk ju përshtatet, atëherë duhet të jepni dorëheqjen.” Ky zhvillim vjen pas muajsh bisedimesh në Doha midis përfaqësuesve të Hamasit, Izraelit dhe ndërmjetësve ndërkombëtarë për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi të pengjeve.
Hamasi ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e negociatave me hyrjen e qindra kamionëve me ndihma humanitare në Gazë, ndërkohë që përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar ndihma për civilët në enklavën palestineze kanë qenë intensive.
Gjatë fundjavës, Hamasi publikoi video që tregojnë pengje në gjendje të rënduar shëndetësore, duke pretenduar se ata po vdesin nga uria, pas përhapjes së krizës humanitare në Rripin e Gazës.