Kandidati Zeqir Kordhoni nuk ka ndërmend të tërhiqet nga mandati i deputetit, një veprim që rrezikon të bllokojë hyrjen e Adriatik Lapajt në Kuvend në muajin shtator.
Në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kordhoni deklaron qartë se synon të ushtrojë mandatin nëse shpallet fitues në shpërndarjen e mandateve.
Kordhoni, i renditur i nënti në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Tiranë, shprehet se dëshiron të ushtrojë funksionin e deputetit dhe kërkon që çdo deklaratë tjetër e bërë në emër të tij nga koalicioni të mos merret në konsideratë:
“… dua të vë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve… Kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ose në emrin tim…”.
Ky zhvillim pritet të komplikojë situatën për Adriatik Lapajn, i cili ishte më i votuari nga lista e hapur.
Për të siguruar mandatin, është e nevojshme që të 12 kandidatët e listës së mbyllur ta refuzojnë atë. Aktualisht, mandatari zyrtar është Ana Dajko, por Kordhoni, i nënti në radhë, ka konfirmuar vullnetin për të mos hequr dorë.
Lapaj reagoi me një mesazh të fortë në rrjetet sociale, duke akuzuar ashpër palët e përfshira:
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem”.
“Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani… nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do ndalojnë mua të shkoj në Parlament.”
“Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta ‘të rinjtë’…”.
Në përgjigje, Endri Shabani zgjodhi ironinë përmes vargjeve:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.”
Në një deklaratë të mëvonshme, Shabani shprehu keqardhje për sulmet e Lapajt dhe e akuzoi për mungesë burrërie dhe për përdorim të fushatës në mënyrë të pabesë:
“Tiku mund të jetë mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje, apo pa votat e mia, ai nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!”
“Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë.”
“Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim… Adriatik Lapaj është zotuar publikisht, se nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij.”
“Pas zgjedhjeve Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.”
Shabani thekson gjithashtu se nuk mban përgjegjësi për veprimet e dajës së tij, duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me marrëdhëniet familjare të vetë Lapajt:
“Nëse Lapaj nuk mban përgjegjësi për vjehrrin e tij, pse duhet të mbaj unë për dajën?”
Përplasja mes dy figurave kryesore të koalicionit është thelluar më tej me akuza serioze nga Shabani:
“…kur Zeqiri u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, vendosi të mos kthehej mbrapsh.”
“Në fund të ditës, ne nuk po luftojmë që të zëvendësojmë ujqërit e vjetër me këlyshë të rinj që të vrasin për pushtet. Po luftojmë që politika të ketë një tjetër fytyrë: të ndershmërisë dhe fjalës së mbajtur.”
Përplasjet mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit pritet të vijojnë, ndërsa çështja e mandatit mbetet pezull, në pritje të vendimeve të KQZ-së dhe qëndrimit të kandidatëve të listës së mbyllur.