Teksa ndodhemi më pak se një muaj para zgjedhjeve lokale, kryeministri Edi Rama ka dhënë një premtim edhe për ushtarakët. Rama u shpreh sot se ambicia e qeverisë është që të gjithë ata që veshin uniformën e Republikës së Shqipërisë të paguhen me mesataren e lartë të NATO-s. Në ceremoninë e gradimit ushtarak të kampionëve olimpikë, botërorë e europianë, Rama u shpreh se kjo nuk do të ndodhë pas 10 vitesh, por në pak vitet që vijnë.
“Tri kampionet nga Kosova do të jenë në të njëjtin flamur, në të njëjtin mision me ambicie dhe me vullnet të bashkuar, jo vetëm në funksion të sportit, por edhe të Forcave të Armatosura. Përfshirja dhe gradimi i tyre si kolonelë më të lartë dhe i pjesës tjetër me grada të tjera sipas arritjes së tyre në sport përbën një vlerë të shtuar morale profesionale përtej simbolikës, sepse kampionet dhe kampionët shqiptarë të dalë përfundimisht nga zona e errët e braktisjes dhe harresës, do të jenë mes ushtarëve tanë, mes drejtuesve të tyre do të jenë mes të gjitha përpjekjeve për ta ngritur më lart ushtrinë tonë, duke e vënë forcën e shembullin e tyre në dispozicion të krijimit dhe stërvitjes psiko-fizike të forcave tona.
Unë sot jam shumë i lehtësuar nga një barrë tjetër ku më në fund qeveria jonë e heq nga kurrizi i barrës së madhe i së shkuarës pasi nga sot ne mund t’i shikojmë në sy kampionët dhe kampionet qofshin ato individualë pa e ulur kokën nga keqtrajtimi apo harresa e tyre. Na ka ndodhur në një të shkuar jo shumë të largët se si djem të talentuar dhe të zot kanë ngritur flamuj të shteteve të tjera në aktivitete ndërkombëtare, sepse shteti i tyre nuk u ka dhënë asnjë mundësi që të luftonin për flamurin kombëtar, për shumë vite ato ikën nga Shqipëria dhe u futën në skuadra të tjera kombëtare, në vende që ato mbase i njohën dhe për herë të parë kur morën rrugën, e bënë këtë për një palestër, për një mundësi për t’u përfaqësuar dhe në pamundësi për të përfaqësuar atdheun përfaqësuan talentin e tyre.
Kjo është një histori turpi e shtetit tonë që i përket së shkuarës dhe ne tashmë vijmë këtu për një përpjekje për t’u dhënë dorën sportistëve tanë më të mirë që të ndihen ngrohtë në vendin e tyre. Kjo është e rëndësishme për këta fëmijë që janë rreth podiumit dhe për të gjithë të rejat e të rinjtë e vendit që dëshirën për t’u marrë me sport dhe për t’u ngjarë kampionëve do ta kenë edhe më të motivuar se një ditë do të ngjiten në këtë podium, pas arenave ndërkombëtare të sportit.
Nuk do të jenë kampionë të harruar dhe njerëz të braktisur se nuk do të kenë vetëm një pagë dinjitoze, por edhe një pension përkundër gradës, dhe të garantojnë kontributin e duhur për familjet e tyre. Kjo është një tjetër arsye e fortë për vajzat e dhe djemtë e rinj që t’u bashkohen forcave të armatosura. Sot shpërblimi për një person në forcat e armatosura me arsimin më të ulët është mbi pagën minimale dhe do të shkojë në rritje çdo vit. Ne i kemi rritur pagat e Forcave të Armatosura dhe do t’i rrisim edhe më shumë, pasi kur shkojnë në vendet ndërkombëtare ushtarët tanë të paguhen me mesataren e NATO-s dhe kjo do të ndodhë në pak vite”, tha Rama.