Eralbi Breçani, djali i ish-drejtorit të Policisë, Erzen Breçani, është dorëzuar në policinë e Spanjës, ndërsa ishte në kërkim nga SPAK për çështje të lidhura me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Posaçme, Eralbi Breçani dyshohet për përfshirje në trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt vendeve të Europës, në kuadër të një aktiviteti të organizuar kriminal.
SPAK e akuzon atë për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, të kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit si pjesë e një “grupi të strukturuar kriminal”, si dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.
Po ashtu, ndaj tij rëndon edhe akuza për “Pastrimin e produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, vepër që sipas SPAK është kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani.
Dorëzimi i tij në autoritetet spanjolle pritet të hapë rrugën për procedurat e mëtejshme ligjore në lidhje me këtë çështje.







