Një draftligj për “Për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara” është nxjerrë për konsultim së fundmi nga Këshilli i Ministrave. Në thelb drafti ka përcaktimin e kuadrit të nevojshëm ligjor për identifikimin elektronik të sigurt, nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, dorëzimin e shërbimit elektronik të regjistruar dhe autentifikimin e faqeve të internetit, si dhe garantimin e nivelit të lartë të sigurisë për transaksionet elektronike në Republikën Shqipërisë.
“Projektligji synon përmirësimin e ofrimit të shërbimeve të besuara, duke bërë të mundur një qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet e ofruara nga ofruesit e kualifikuar të shërbimit të besuar, me qëllim garantimin e besueshmërisë dhe sigurisë në përdorimin e shërbimeve të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara nga qytetarët, bizneset dhe administrata publike, për të hyrë në shërbimet on-line ose për të menaxhuar transaksionet elektronike në vend.
Objektivat që synohen të arrihen janë rritja e sigurisë për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm, duke siguruar një bazë të përbashkët për bashkëveprim të sigurt elektronik midis qytetarëve, bizneseve dhe autoriteteve publike, duke rritur efektivitetin, integritetin, sigurinë dhe besueshmërinë në ofrimin e shërbimeve të besuara në Republikën e Shqipërisë” thuhet në relacion.
Kërkesat për ofromin e shërbimit elektronik të kualifikuar
I njëjti përcakton se Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimeve të Besuara privat apo publike(publik në këtë rast është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) do të duhet të ndjekin një sërë procedurash për shërbimet e tyre.
Kështu drafti rendit kërkesat për ofrimin e shërbimit elektronik të kualifikuar të regjistruar të cilët janë:
- ofrohet nga një ose më shumë Ofrues të Kualifikuar të Shërbimeve të Besuara;
- garanton nivel të lartë sigurie për identifikimin e dërguesit;
- siguron identifikimin e të adresuarit para dorëzimit të shërbimit elektronik;
ç) dërgimi dhe pranimi i të dhënave garantohen nga një nënshkrim elektronik ose nga një vulë elektronike e një Ofruesi të Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, në mënyrë të tillë që të përjashtohet mundësia e ndryshimeve të pazbulueshme tek të dhënat;
- çdo ndryshim i të dhënave, i nevojshëm për qëllimin e dërgimit apo pranimit të të dhënave, i tregohet në mënyrë të qartë dërguesit dhe marrësit të të dhënave;
- dh) data dhe ora e dërgimit dhe pranimit të të dhënave, si dhe çdo ndryshim i tyre tregohen nga një vulë kohore elektronike e kualifikuar.
Tarifat
Neni 49 i ligjit parashikon mënyrën sesi do të veprohet për tarifat.
“Këshilli i Ministrave miraton masën dhe llojet e tarifave që personat fizikë dhe juridikë, subjekte të këtij ligji, duhet t’i paguajnë Autoritetit, në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj.
Subjektet ndaj të cilëve aplikohen tarifa, janë Ofruesit e Kualifikuar të Shërbimit të Besuar, Organizmat e Testimit dhe Konfirmimit, si dhe Organet e certifikimit të pajisjeve për nënshkrimin elektronik / vulën elektronike të kualifikuar.
Vlerat e tarifës nuk mund të jenë më të mëdha se kostot e shërbimit të kryer nga Autoriteti” thuhet në draft.