Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi në vendin tonë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të shtyjë detyrimet e bizneseve deri në qershor.
Këtë fakt e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, në një lidhje direkte me emisionin “Dita Jonë”.
“Një nga vendimet e para që do të marrë Këshilli Bashkiak në mbledhjen virtuale do të jetë shtyrja e afatit për të gjitha detyrimet nga bizneset deri në qershor. Unë jam kundër atyre politikanëve populistë që vendimet merren çdo ditë. Ne nuk mund të marrim vendime ditore. Ne kemi pasur vetëm një ditë humbje pune, që ishte e premtja. Më pas do të konsultohemi me qeverinë, sa të zgjasë kriza, në të njëjtën masë do të jetë ndihma”, u shpreh Veliaj.
Përsa i përket mbylljes së parkut të Liqeni Artificial, Veliaj tha se po kthehej në një magnet për qytetarët, sidomos për të moshuarit.
“Në dallim nga një dyqan, nuk ka një qepen, është një hapësirë gjigante dhe kërkohet një sensibilizim i posaçëm. Vumë re se shumë të moshuar vijuan të luajnë domino aty. Arritëm në konkluzionin që të merrnim këtë masë radikale. Parku po kthehej në një magnet për qytetarët, sidomos për të moshuarit. Për të qenë bashkë nesër, duhet të jemi të ndarë sot”, shtoi Veliaj.
Përsa i përket masave të marra nga qeveria, Veliaj tha se fqinjët tanë e morën më lehtë, për këtë arsye kanë një numër të madh të prekurish.
“Kjo është një situatë e jashtëzakonshme. Fakti që kemi mbërritur në këtë ditë është se duhet të marrim masa të jashtëzakonshme. Një nga arsye që disa nga fqinjët tanë kanë shumë të prekur është se e morën më lehtë. Në 97-ën i dëgjonim plumbat, tani është e pamundur të dëgjojmë plumbat virtualë”, vijoi kryebashkiaku.
Përsa i përket qytetarëve me aftësi ndryshe, Veliaj tha se Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion numrin e gjelbër 0800 888.
Bilanci i COVID-19 në vendin tonë është 51 të prekur dhe një viktimë.
Në godinën e Infektivit janë shtruar 20 pacientë, ku tre prej tyre mbahen në terapi intensive.