Policia e Korçës ka vënë në pranga tre persona ë Korçë, pasi akuzohen se ndihmuan 4 shtetas shqiptar për të kaluar ilegalisht drejt Greqisë, nëpërmjet kufirit të Gjelbër dhe nuk iu bindën urdhrit të policisë për të ndaluar.
Në prangat e Policisë kanë rënë shtetasit A. R., 49 vjeç, banues në Pogradec, E. Sh., 21 vjeç dhe J. B., 35 vjeç, banues në Devoll. Nga verifikimet dhe hetimet e kryera rezultoi se tre shtetasit e arrestuar kishin ndihmuar 4 shtetas shqiptarë, kundrejt shpërblimit 2500 euro, që të kalonin ilegalisht drejt Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër.
Njoftimi i Policisë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. R., 49 vjeç, banues në Pogradec, E. Sh., 21 vjeç dhe J. B., 35 vjeç, banues në Devoll.
Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa shtetas do të ndihmonin persona të tjerë, kundrejt shpërblimit, për të kaluar në mënyrë të paligjshme drejt Greqisë, duke përdorur kufirin e gjelbër, në zonën e Trestenikut, Devoll, organizuan shërbimet dhe lokalizuan në qytetin e Bilishtit, tre shtetasit e lartpërmendur, të cilëve iu kanë bërë me shenjë që të ndalonin. Ata nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por janë kapur dhe neutralizuar.
Nga verifikimet dhe hetimet e kryera rezultoi se tre shtetasit e arrestuar kishin ndihmuar 4 shtetas shqiptarë, kundrejt shpërblimit 2500 euro, që të kalonin ilegalisht drejt Greqisë, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Pas shkëmbimit të informacionit me homologët grekë, 4 shtetasit shqiptarë janë kapur nga autoritetet policore greke.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.