Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Edoardo Reja dhe kapiteni i ekipit, Etrit Berisha kanë dalë ditën e sotme në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes së parë eliminatore që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Andorrës, e të vlefshme për Kampionatin Botëror Katar 2022.
Kapiteni Etrit Berisha u shpreh optimist për ndeshjen, teksa theksoi se duhet ta nisin mbarë dhe nuk duhet ta nënvlerësojnë Andorrën.
“Kemi bërë një detyrë të mirë në kualifikimet e kaluara dhe duhet të nisemi nga ai moment. Në ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë, duke marrë fitore. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Pastaj, jemi në ndeshjen e nesërme, që duhet të përgatitemi jashtëzakonisht mirë dhe nuk duhet të lejohet asnjë lloj surprize.
Trajneri na ka treguar ato gabimet që i kemi bërë në atë ndeshje. Nuk kemi qenë të përqëndruar në atë ndeshje, duke bërë gabime që kanë qenë edhe të evitueshme dhe duke futur edhe veten në vështirësi. Kjo nuk na lejohet nesër, pasi është ndeshja e parë dhe duhet të kemi përqëndrim maksimal. Kjo ndeshje na jep motivim dhe qetësi për të përballuar ndeshjet e ardhshme.
Morali do të jetë më i lartë, duke marrë parasysh se do të luajmë me ekipe edhe më të mira dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe. Kemi cilësi në ekip, duhet të rritemi, duhet të përmirësojmë ende disa gjëra. Vullneti është shumë i madh dhe do mundohemi të bëjmë surpriza për të mirë, siç kemi bërë shumë herë.
Është një ndeshje e rëndësishme për ne, e njohim kundërshtarin, duke pasur parasysh se kemi luajtur edhe në kualifikueset e kaluara. Por kjo do jetë ndeshje tjetër” – tha kapiteni Berisha.
Ndërsa trajneri Edi Reja u shpreh mjaft optimist për këtë ndeshje, teksa theksoi se duhet përqëndrim maksimal në ndeshjen e nesërme me Andorrën. Ai foli edhe për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës, ndërsa tha edhe se ekipi duhet të jetë i sigurtë, të ketë ekuilibër dhe të mos ketë frikë.
“Nuk është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion për të përgatitur këtë ndeshje. Gjithsesi, ekipin e kam parë mirë. Ka pasur lojtarë që kanë luajtur edhe të dielën, ka pasur pak lodhje këto ditët e fundit me klubet e tyre. Gjithsesi, ekipin e kam parë mirë. Kam qenë pak i shqetësuar sepse në dy muajt e fundit situata nuk ka qenë mirë me lojtarët që luajnë me klubet e tyre, ka pasur dëmtime. Por situata është qetësuar dhe të gjithë po luajnë tituallarë me ekipet e tyre dhe janë më mirë fizikisht. Kjo është diçka që më jep qetësi, jemi në formë por duhet përqëndrim i madh dhe fokus. Takohemi pas katër muajsh, nuk është shumë e lehtë por ne do të donim ta rifillonim aty ku e lamë në edicionin e fundit të Nations League, sa i përket formës apo edhe rezultatet. E dimë që Andorra është një kundërshtar i fortë dhe nuk duhet kurrsesi ta nënvlerësojmë.
Unë mendoj që ai rendiment, ai edicion i kaluar i Nations League do na japë stimuj më shumë. Sigurisht që përgjegjësia në skuadër është rritur dhe tani kemi përballë skuadra më të forta se ato që kemi pasur në Nations League. Por pas Nations League ne jemi ekip më i mirë dhe pritshmëritë janë për t’u rritur akoma. Tani është momenti i të vërtetës dhe të shohim nëse vërtetë jemi rritur ose jo. Kemi mundësi ta tregojmë këtë ndaj rivalëve të fortë që kemi në grup.
Patjetër që kam një ide të qartë për formacionin që do të hedh në fushë nesër. Ne e kemi formacionin tonë. Por kemi një seancë të fundit për sot dhe të shohim si do shkojnë gjërat. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente në këtë ndeshje. Do të mbështetem te lojtarët që kanë krijuar mentalitetin e duhur dhe te të cilët unë kam besim. Pastaj kemi edhe dy ndeshje të tjera, do bëjmë ndryshime, prandaj kam marrë 28 lojtarë. Do të kem mundësi për të provuar të tjerë. Më vjen keq për Abrashin dhe Balaj. Por unë kam një grup prej 30 e ca lojtarësh në qarkullim dhe sigurisht nuk mund të grumbullohen të gjithë. Sa i përket përgatitjeve, kemi pasur pak ditë. Unë kam bërë një seancë të plotë vetëm ditën e djeshme. Nuk është diçka shumë e mirë, por do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje më të mira me lojtarët që kemi, dhe besoj se kemi punuar mirë.
Nuk mund të bëj parashikime për objektivat që do të ketë Shqipëria në këtë grup, por duhet ndryshim mentaliteti. Duhet më shumë siguri. Ekipi duhet të ketë kurajo dhe aspak frikë, duhet të ketë ekuilibër. Situata është e ndryshme, ne takohemi pas kaq kohësh në këtë grumbullim, por duhet të jemi shumë të fortë psikologjikisht. Është ndryshe Kombëtarja dhe është ndryshe në klub. Në klub të lejohet të bësh edhe ndonjë gabim sepse mund ta rikuperosh, ndërsa gabimi në Kombëtare kushton shumë rëndë. Duhet mbajtur tensioni lart gjatë gjithë kohës, pavarësisht kundërshtarit apo rezultatin në lojë.
Për Bajramin duhet të presim një leje nga FIFA sepse është një situatë e komplikuar. Ai ka lindur në Maqedoninë e Veriut, është rritur në Zvicër dhe ne jemi në pritje të një leje, që mund të vijë sot apo edhe nesër. Është lojtar interesant. Ka shenja që mund të rritet akoma edhe më shumë në të ardhmen dhe mund të na ndihmojë.
Ne kemi pasur probleme jo vetëm në këtë fushë me Andorrën por edhe në fushën tonë. Mund të them që e njoh si skuadër. E kam parë edhe në ndeshjen e fundit me Shqipërinë, por edhe në Nations League. Është një skuadër që të vë në vështirësi, ka karakteristika të veçanta, luan me pressing të lartë. Lë pak hapësira për kundërshtarët, ka lojtarë shumë të shpejtë, sidomos në krah. Duhet të tregojmë kujdes!” – përfundoi trajneri Reja.