Onkologu i njohur, Agim Karaj, ka ndërruar jetë këtë të diel, një ditë para ditëlindjes së tij.
Lajmi është bërë i ditur nga familja, ndërkohë që ende nuk është zbuluar shkaku i vdekjes së mjekut të njohur.
“Me shumë hidhërim dhe dhimbje të thellë, njoftojmë ndarjen nga jeta të babait tonë, Prof. Dr. Agim Karaj. Pritja dhe përcjellja do të bëhen tek funerali në Rrugën Bardhyl, përballë postes shqiptare nr. 32. Homazhet do të nisin sot, të hënën, më 25 nëntor 2024, në orën 10:00. Ceremonia e varrimit do të zhvillohet të martën, më 26 nëntor 2024, në orën 11:00, dhe do të varroset në Tufinë. Me respekt, familja,” thuhet në njoftimin e familjes.
Pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1975, Dr. Agim Karaj filloi karrierën e tij si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku më vonë u specializua në kirurgji onkologjike.
Në vitin 1987, ai u specializua në Institutin “Gustave Roussy” në Paris, një nga qendrat më të njohura në botë për onkologji dhe onkoplastikë. Karriera e tij u zhvillua më tej me trajnime dhe pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, si dhe referime në institucione të njohura si Instituti i Onkologjisë në Milano.
Në vitin 1990, Dr. Karaj emigroi në Kanada, ku me përkushtim dhe sakrificë, ndërtoi një jetë të re për veten dhe familjen e tij.
Pas stabilizimit të jetës, ai u kthye në Shqipëri në vitin 1996 dhe vazhdoi të kontribuonte si shef i kirurgjisë në Spitalin Onkologjik deri në vitin 2015.