Sëmundja e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël, e njohur si PPR dhe që prek dhen e dhi, është konfirmuar në katër zona të Shqipërisë, përkatësisht në Shkodër, Dibër, Bulqizë dhe Skrapar.
Deri tani janë evidentuar 716 kafshë të infektuara, ndërsa 25 prej tyre kanë ngordhur dhe 153 janë eliminuar për të frenuar përhapjen e virusit.
Procesi i eliminimit të kafshëve të tjera të prekura vijon ende.
Kjo sëmundje nuk transmetohet te njerëzit, por shkakton një shkallë të lartë vdekshmërie në tufat e prekura, duke sjellë dëme të mëdha ekonomike për fermerët.
Për të ndaluar përhapjen e murtajës, nga data 9 qershor ka hyrë në fuqi një urdhër i cili ndalon lëvizjen e kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi nga një fermë në tjetrën, si dhe ndalon shtegtimin dhe kullotjen në kullota të përbashkëta, përveç rasteve kur kafshët dërgohen në thertore me dokumentacion të rregullt veterinar.
Gjithashtu, është ndaluar edhe tregtimi i këtyre kafshëve në tregjet e gjalla, panairet dhe grumbullimet e tjera në hapësira publike.
Për të monitoruar situatën, Ministria ka ngritur 39 grupe kontrolli që deri tani kanë inspektuar 983 ferma me një total prej 164,803 krerësh dhen e dhi në gjithë vendin.
Qëllimi kryesor është të identifikohet situata epidemiologjike dhe të rritet ndërgjegjësimi i fermerëve për rrezikun që paraqet kjo sëmundje.
Lajmi për praninë e Murtajës së Ruminantëve të Vegjël është raportuar një nga një në Sistemin e Njoftimit të Menjëhershëm të Sëmundjeve të kafshëve të Bashkimit Evropian, ndërsa autoritetet shqiptare kanë komunikuar me Zyrën e Emergjencave për Sëmundjet e Kafshëve pranë Komisionit Evropian.
Në Tiranë kanë mbërritur dy ekspertë nga BE-ja, të cilët po vizitojnë një nga vatrat e infektuara dhe do të japin rekomandime teknike për menaxhimin e situatës.
Ministria i bën thirrje fermerëve që të zbatojnë rigorozisht masat e biosigurisë, të shmangin çdo lëvizje të pakontrolluar të kafshëve dhe të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta përmes numrit të gjelbër 08003366.
Çfarë është murtaja e ruminantëve të vegjël?
Murtaja e ruminantëve të vegjël është një sëmundje virale, shumë ngjitëse dhe e rëndë, që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura dhe sekrecioneve të tyre, madje edhe në ambiente të mbyllura viruset mund të përhapen përmes ajrit.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, sekrecione nga sytë dhe hundët, inflamacion të mukozës së gojës, vështirësi në frymëmarrje, diarre të rëndë dhe humbje oreksi. Kontrolli i shpërthimeve të kësaj sëmundjeje është jetik për të mbrojtur ekonominë e fermerëve dhe për të ruajtur stabilitetin në sektorin blegtoral.