Trajneri i kombëtares zvicerane, Murat Yakin, pret me padurim përballjen me Italinë, kampionët në fuqi të Kampionatit Evropian. Yakin theksoi rëndësinë e fokusimit te vetvetja dhe përgatitjes mendore për ndeshjen e ardhshme. “Ne nuk duhet të fokusohemi shumë te kundërshtari. Edhe kundërshtari duhet të mendojë për ne,” tha trajneri i Zvicrës, duke shtuar se presioni në fazën e eliminimit direkt është krejtësisht i ndryshëm dhe kërkon përgatitje mendore të fortë.
Yakin beson se ekipi i tij ka përvojë dhe cilësi të mjaftueshme për të përballuar sfidat e ardhshme. “Por ne kemi përvojë dhe cilësi të mjaftueshme për të mbijetuar,” shtoi ai. Italianët kanë pasur paraqitje të përziera në këtë turne dhe vetëm falë një goli në minutën e fundit ndaj Kroacisë siguruan vendin e dytë në grup dhe kualifikimin për në 1/16. “Ata janë të paparashikueshëm dhe mund të luajnë sisteme të shumta,” tha Yakin.
Ndërkohë, Zvicra ka qenë e pamposhtur në shtatë ndeshje në vitin 2024, pas ndryshimit të skemës në 3-4-2-1. Mesfushori Fabian Rieder shprehu vetëbesimin e ekipit duke thënë: “Nuk do të thoja kurrë se jemi më mirë se Italia. Por ne nuk duhet të fshihemi. Kemi një ekip të fortë dhe shumë vetëbesim.” Rieder, i cili mund të jetë një opsion në formacionin titullar për Yakin kundër tre herë kampionëve të Evropës, pret një “lojë interesante”. Pavarësisht historisë, Yakin dhe ekipi i tij janë të vendosur të tregojnë fuqinë e tyre në fushë.