Makineritë po vijnë te të korrat tuaja – të paktën në disa fusha në Amerikë. Këtë vjeshtë, kompania e prodhimit të traktorëve, John Deere, u dërgoi fermerëve flotën e parë të makinave plotësisht vetëdrejtuese, shkruan Thë Economist.
Traktorët janë të pajisur me gjashtë kamera, të cilat përdorin Inteligjencën Artificiale për të njohur pengesat dhe për të manovruar në rrugë. Julian Sanchez, i cili drejton njësinë e teknologjisë në zhvillim të firmës, vlerëson se rreth gjysma e automjeteve që shet kompania John Deere, kanë disa aftësi në Inteligjencën Artificiale.
Kjo përfshin sisteme që përdorin kamera në bord për të zbuluar barërat e këqija dhe më pas spërkasin herbicide, si dhe kombinojnë sisteme korrëse që ndryshojnë automatikisht taktikat për të humbur sa më pak drithëra të jetë e mundur.
Zoti Sanchez thotë se për një fermë mesatare, kostoja shtesë e blerjes së një traktori me Inteligjencë Artificiale, rimbursohet në dy deri në tre vjet.
Për dekada, teknologët e vëmendshëm kanë thënë se Inteligjenca Artificiale do të përmbysë botën e biznesit, duke krijuar përfitime të mëdha për firmat dhe klientët. Kompania John Deere nuk është prova e vetme që kjo gjë më në fund po ndodh.
Një sondazh nga firma e konsulencës McKinsey, zbuloi se këtë vit, 50% e firmave në të gjithë botën, ishin përpjekur të përdornin, në njëfarë mënyre, Inteligjencën Artificiale, nga 20% në vitin 2017.
Modele të reja të fuqishme po lëvizin me shpejtësi nga laboratori në botën reale. Chatgpt, mjet i ri i Inteligjencës Artificiale që është lëshuar së fundmi për testim publik, po bën bujë për aftësinë e tij për të krijuar shaka të zgjuara dhe për të shpjeguar konceptet shkencore.
Entuziazmi është i dukshëm mes korporatave përdoruese të Inteligjencës Artificiale, zhvilluesve të saj dhe mbështetësve të kapitalit të sipërmarrjes të këtyre zhvilluesve. Shumë prej tyre morën pjesë në një mbledhje të gjatë njëjavore të organizuar në Las Vegas nga Amazon Web Services, krahu i shërbimit cloud të gjigantit të teknologjisë.
Veprimtaria, e cila përfundoi më 2 dhjetor, ishte e mbushur me biseda dhe seminare mbi Inteligjencën Artificiale. Stendat më të ngarkuara në sallën e ekspozitës ishin ato të firmave të Inteligjencës Artificiale, si Dataiku dhe Blackbook.ai.
Suksesi i vrullshëm i Inteligjencës Artificiale është një përjashtim në skenën e teknologjisë së përgjithshme, e cila po përjeton rënie të thellë.
Në vitin 2022, kapitalistët sipërmarrës kanë investuar 67 miliardë dollarë në firmat që pretendojnë se janë të specializuara në Inteligjencën Artificiale, sipas firmës së të dhënave, PitchBook. Pjesa e marrëveshjeve të kapitalit sipërmarrës që përfshijnë firma të tilla startup, është rritur që nga mesi i vitit 2021, në 15% deri tani.
Midis janarit dhe tetorit, janë krijuar 28 firma të reja “unicorn” (njëbrirëshe) që përdorin Inteligjencën Artificiale (firmat private startup kanë një vlerë totale rreth 1 miliard dollarë ose më shumë).
Thuhet se Microsoft është në bisedime për të rritur aksionet e veta në Openai, ndërtues i modeleve të Inteligjencës Artificiale. Alphabet, kompania mëmë e Google, thuhet se po planifikon të investojë 200 milionë dollarë në Cohere, rival i kompanisë Openai.
Të paktën 22 firma startup të Inteligjencës Artificiale janë krijuar nga inxhinierë që punonin në kompanitë Openai dhe Deepmind, një nga laboratorët e Inteligjencës Artificiale të Alphabet, sipas një raporti nga Ian Hogarth dhe Nathan Benaich, dy sipërmarrës britanikë.
Ky bollëk nuk kufizohet vetëm në Silicon Valley. Firmat e mëdha të të gjitha llojeve janë të dëshpëruara për talente të reja. Në 12 muajt e fundit, kompanitë e mëdha amerikane në indeksin S&P 500, kanë blerë 52 firma startup të Inteligjencës Artificiale, krahasuar me 24 blerje në vitin 2017, sipas PitchBook.
PredictLeads, ofrues tjetër i të dhënave, vë në dukje se i njëjti grup firmash postoi rreth 7,000 njoftime për punësim në muaj për ekspertë të Inteligjencës Artificiale dhe të mësimit të makinerive në tre muajt deri në nëntor, rreth dhjetë herë më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2020.
Derek Zanutto nga Capitalg, një nga divizionet e kapitalit sipërmarrës të Alphabet, vëren se firmat e mëdha shpenzuan vite duke mbledhur të dhëna dhe duke investuar në teknologjinë përkatëse. Tani ato duan të përdorin këtë “pirg të dhënash” në avantazhin e tyre dhe Inteligjenca Artificiale ofron mënyra për ta bërë këtë.
Natyrisht, industria e parë që përqafoi Inteligjencën Artificiale, ishte sektori i teknologjisë. Nga vitet 2000 e tutje, teknikat e të mësuarit të makinerive e ndihmuan Google që të përmirësonte biznesin e reklamimit në internet. Tani ai e përdor Inteligjencën Artificiale për të përmirësuar rezultatet e kërkimit, për të përfunduar fjalitë e përdoruesve në Gmail dhe për të gjetur mënyra për të ulur përdorimin e energjisë në qendrat e të dhënave.
Nëpërmjet Inteligjencës Artificiale, Amazon menaxhon zinxhirët e furnizimit, udhëzon robotët e magazinës dhe parashikon se cilët aplikantë për punë do të ishin punëtorë më të mirë; Apple përdor asistentin e tij dixhital Siri; Meta krijon postime që tërheqin vëmendjen në mediat sociale; dhe Microsoft bën gjithçka, nga heqja e zhurmës së sfondit në Teams, deri te krijimi i drafteve të prezantimeve në PowerPoint.
Kompanitë e mëdha teknologjike spikatën me shpejtësi një mundësi për t’u shitur klientëve disa nga këto aftësi të Inteligjencës Artificiale. Amazon, Google dhe Microsoft tani ofrojnë mjete të tilla për klientët e divizioneve të tyre të shërbimit cloud. Të ardhurat nga shërbimi cloud i Microsoft për mësimin e makinerive, janë dyfishuar në katër tremujorët e fundit, në bazë vjetore.
Kanë lulëzuar edhe firma të reja të Inteligjencës Artificiale, nga Avidbots, një kompani kanadeze që prodhon robotë që fshijnë dyshemetë e magazinave, te Gong, një aplikacion që ndihmon ekipet e shitjeve.
Përdorimi më i madh i shërbimit cloud, i cili ul koston e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, mundësoi përhapjen e teknologjisë në sektorë të tjerë, nga industria te sigurimet. Këto ditë, Inteligjenca Artificiale është kudo, edhe pse mund të mos duket.
Zbutja e skajeve
Në vitin 2006, Nick Bostrom nga Universiteti i Oksfordit, vërejti se “pasi diçka bëhet mjaft e dobishme dhe e zakonshme, ajo nuk quhet më Inteligjencë Artificiale”. Ali Ghodsi, shefi i kompanisë Databricks, që ndihmon klientët të menaxhojnë të dhënat për aplikacionet e Inteligjencës Artificiale, vëren një shpërthim të tillë të “Inteligjencës Artificiale të mërzitshme”.
Ai argumenton se gjatë viteve të ardhshme, Inteligjenca Artificiale do të vihet në zbatim në gjithnjë e më shumë vende pune dhe funksione kompanie. Shumë përmirësime të vogla në fuqinë e Inteligjencës Artificiale, mund të krijojnë produkte më të mira dhe kursime më të mëdha.
Kjo është veçanërisht e vërtetë në zonat ku firmat po përdorin tashmë një lloj qasjeje analitike, si menaxhimi i zinxhirëve të furnizimit. Kur në shtator, uragani Ian e detyroi Walmart të mbyllte një qendër të madhe shpërndarjeje, duke ndalur fluksin e mallrave drejt supermarketeve në Florida, shitësi me pakicë, nëpërmjet inteligjencës artificiale, përdori një simulim të ri të zinxhirit të furnizimit, për të ridrejtuar dërgesat nga qendrat e tjera dhe për të parashikuar se si do të ishte kërkesa për mallra pas ndryshimit.
Falë Inteligjencës Artificiale, kjo u realizua brenda disa orësh, jo ditësh, tha Srini Venkatesan, nga divizioni i teknologjisë së Walmart.
Vala e ardhshme e modeleve të Inteligjencës Artificiale, ka të ngjarë të jetë shumë më “e mërzitshme”. Algoritmet ofrojnë dy premtime të mëdha për bizneset. I pari është se modelet e Inteligjencës Artificiale janë të afta të gjenerojnë përmbajtje të re.
Stability AI dhe Midjourney, dy firma startup, ndërtojnë modele që krijojnë imazhe të reja për një kërkesë të caktuar. Për shembull, nëse kërkoni pikturën e një qeni hipur mbi një biçikletë në stilin e Pikasos, ose diçka më serioze, si një logo për një startup të ri, algoritmi e krijon atë për rreth një minutë.
Firma të tjera startup ndërtojnë aplikacione të bazuara në modelet e Inteligjencës Artificiale të kompanive të tjera. Firmat Jasper dhe Copy paguajnë Openai-n për akses në GPT3, që u mundëson aplikacioneve të konvertojnë kërkesat e thjeshta në kopje marketingu.
Avantazhi i dytë është se, pasi trajnohen, modelet e Inteligjencës Artificiale mund të kryejnë një sërë detyrash dhe jo një të vetme. Për shembull, GPT3, një model i gjuhës i krijuar nga Openai, i cili përbën bazën për aplikacionin Chatgpt, fillimisht u trajnua në pjesë të mëdha të internetit, më pas u rregullua nga firmat startup për të bërë gjëra të ndryshme, si shkrimi i kopjeve të marketingut, plotësimi i formularëve tatimorë dhe krijimi i faqeve të internetit nga një sërë kërkesash me tekst.
Studimet nga Beena Ammanath, e cila drejton praktikën e Inteligjencës Artificiale të firmës Deloitte, një konsulencë, tregojnë se shkathtësia e modeleve të Inteligjencës Artificiale mund të ulë kostot e një projekti me 20-30%.
Një përdorim i hershëm dhe i suksesshëm i Inteligjencës Artificiale gjeneruese është në fushën e programimit kompjuterik. Disa firma po ofrojnë një asistent virtual të trajnuar në kode. Një shembull është Copilot në GitHub, një platformë në pronësi të Microsoft që mirëpret programe me burim të hapur.
Programuesit që përdorin Copilot e marrin pothuajse 40% të shkrimit të kodit në platformë. Kjo e përshpejton programimin me 50%, thotë firma. Në qershor, Amazon lançoi CodeWhisperer. Thuhet se Alphabet po përdor diçka të ngjashme, të quajtur PitchFork.
Ngjyrim artificial
Në maj, Satya Nadella, shefi i Microsoft, deklaroi: “Ne parashikojmë një botë ku të gjithë, pavarësisht profesionit të tyre, mund të kenë një Copilot për gjithçka që bëjnë”. Në tetor, Microsoft krijoi një mjet i cili automatikisht merr të dhënat për përdoruesit pas kërkesave. Amazon dhe Google mund të përpiqen të prodhojnë diçka të tillë. Disa firma startup tashmë po e bëjnë këtë.
Adept, një kompani kaliforniane e drejtuar nga ish-punonjës në Deepmind, Openai dhe Google, po punon për “një Copilot për punonjësit që punojnë me të dhëna”, thotë Kelsey Szot, bashkëthemeluese e firmës.
Në shtator, kompania publikoi një video të modelit të parë të Inteligjencës Artificiale i cili përdor udhëzime për të shtypur numrat në një fletë dhe për të kryer kërkime në faqet e internetit të kompanive të pronave. Ajo planifikon të zhvillojë mjete të ngjashme për analistët e biznesit, shitësit dhe punë të tjera në korporata.
Përdoruesit e korporatave po eksperimentojnë me Inteligjencën Artificiale gjeneruese në mënyra të tjera krijuese. Zoti Sanchez nga firma John Deere, thotë se kompania e tij po kërkon të dhëna “sintetike” të gjeneruara nga ajri, të cilat do të ndihmonin në trajnimin e modeleve të tjera të inteligjencës artificiale.
Në dhjetor 2021, gjiganti i veshjeve sportive Nike, bleu një firmë që përdor algoritme të tilla për të krijuar modele të reja atletesh. Alexa, asistentja virtuale e Amazon, tani është në gjendje të sajojë histori për t’ua rrëfyer fëmijëve. Nestlé, firma gjigante zvicerane e prodhimit të ushqimit, po përdor imazhet e krijuara nga modeli i inteligjencës artificiale DALLE-2, për të ndihmuar në shitjen e kosit të saj. Disa firma financiare po përdorin Inteligjencën Artificiale për të përgatitur një plan paraprak të raporteve të tyre tremujore.
Si me të gjitha mjetet e reja të fuqishme, bizneset duhet të tregojnë kujdes me Inteligjencën Artificiale. Duke qenë të trajnuar online, shumë modele të Inteligjencës Artificiale pasqyrojnë njerëzimin, me gjithë të metat e tij.
Një studim nga disa akademikë në Universitetin Stanford, zbuloi se kur modelit GPT3 iu kërkua të plotësonte një fjali që fillonte me “Dy myslimanë hyjnë në një…”, rezultati kishte të ngjarë të nxiste dhunë shumë më shpesh sesa kur fraza u referohej të krishterëve ose budistëve.
Meta hoqi dorë nga Galactica, modeli i saj i inteligjencës artificiale mbi shkencën, pas akuzave se ai gjeneronte rezultate kërkimore të rreme. Carl Bergstrom, një biolog në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, e quajti atë një “gjenerues gjepurash”. (Meta thotë se modeli mbetet i disponueshëm për studiuesit që duan të mësojnë rreth punës.)
Probleme të tjera janë specifike për botën e biznesit. Për shkak se modelet e Inteligjencës Artificiale priren të jenë të mbyllura, duke mos ofruar asnjë shpjegim se si arritën në rezultatet e tyre, ato mund të krijojnë detyrime ligjore kur gjërat shkojnë keq. Dhe nuk do të ndihmojnë shumë ato firma të cilave u mungon një ide e qartë se çfarë duan të bëjnë, ose që nuk arrijnë t’i mësojnë punonjësit se si ta përdorin atë.
Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar pse vetëm një e katërta e të anketuarve në sondazhin e firmës McKinsey thanë se kishin përfituar nga Inteligjenca Artificiale. Pjesa e firmave që parashikojnë një përfitim të madh (një rritje e të ardhurave mbi 20%), është në një shifër të ulët dhe shumë prej tyre janë kompani teknologjike, thotë Michael Chui, i cili ka punuar në studim.
Megjithatë, këto shifra do të vazhdojnë të rriten ndërsa Inteligjenca Artificiale bëhet gjithnjë e më e përhapur dhe e zakonshme, dhe si rezultat, edhe më e mërzitshme./ Revista Monitor