Roveta Sadiku, nëna e 12-vjeçarit Leo Sadiku, mori pjesë në protestën e zhvilluar para Ministrisë së Shëndetësisë, ku falënderoi qytetarët që u bashkuan me dhimbjen e saj dhe kërkojnë drejtësi për të birin.
Gjatë fjalës së saj, ajo u shpreh se Leo, një fëmijë plot ëndrra, luftoi me të gjitha forcat për jetën, por u la pas dore nga sistemi shëndetësor.
Sipas saj, një mjeke e mbajti djalin për shtatë orë me të vjella, duke e lënë vetëm me një serum dhe pa ndihmën e duhur mjekësore.
“Unë nuk e solla djalin tim në Tiranë për ta vrarë,” tha ajo me dhimbje, duke theksuar se do të luftojë për drejtësi, pasi këtë ia ka premtuar të birit në momentet e tij të fundit.
“Unë jam mami i Leos dhe për Leon tim do luftoj deri në fundin e ditës sime të jetës. Ishte plot me endrra që ja ndërpretë jetën në mes. Ishte trim i vogël, luftoi shumë për jetën e tij, për një palo mjeke, që e ka emrin Jorgji, e ka lënë në mëshirë të fatit djalin tim. E ka lënë 7 orë duke vjellë, vetëm me një serum me ujë. Vetëm ma futën djalin në dhe, a ke fëmijë ti, mban përgjegjësi për atë që më ke bërë mua? Ti palo mjeke e të tjerë të Tiranës, nuk e dini çfarë krimi keni bërë, çfarë fëmije keni vrarë?!
Nuk e solla Leon në Tiranë për të ma vrarë, e kur po jepte shpirt në krahët e dajës së tij, atëherë kujtohet palo Jorgji, dhe kur Leo ishte në fund, eja më tha. Iku pa pikën e humanizmit e turpit. Ministria ku është, çfarë fëmijësh përkëdhel ti, kur ma përkedhele Leon tim, ma dogje djalin, ma përvëluat djalin.
Prokuroria të mos e neglizhojë rastin e Leos, jam e gatshme për çdo gjë për Leon tim, e kam rritur me sakrifica të mëdha. Prokuroria t’i përshpejtojë kërkesat që kemi bërë, jam një nënë e përvëluar, m’u përvëlua shpirti që ka ikur me Leon tim, me të vocklin tim…Ajo palo doktoreshë tha s’ka gjë, Leos i nxiheshin duart e ajo i thoshte e ka nga të ftohtët. E paaftë, ia them edhe në sy këto gjëra. Veshin rrobat e bardha kur si meritojnë. Me lekë i keni veshur ato rroba të bardha? Pres që drejtësia të vendosë për Leon, mami do vendosë vetë drejtësi për Leon e vet. Do luftojë për Leon e s’do lodhem kurrë, ia kam premtuar deri në momentin e fundit,” tha nëna e Leos.