Gjirokastra është një ndër qytetet, që u prek shumë vonë nga pandemia e COVID-19.
Rastet e para të personave infektuar me koronavirus në këtë qytet u konfirmuan vetëm pak ditë më parë ndërkohë që Minsitria Shëndetësisë ka raportuar vetëm për tre persona të prekur.
Një rast në Gjirokastër, një në Përmet dhe një rast në Tepelenë, megjithëse Fax News mëson se në këtë qark janë rreth 300 persona të karantinuar dhe 270 prej tyre janë shtuar vetëm ditën e djeshme.
Sakaq mësohet se një rast i dyshuar me COVID-19 është nisur me urgjencë drejt Tiranës.
Kujtojmë se gjatë 24-orëve të fundit në vendin tonë janë infektuar 52 persona të tjerë, me numrin më të lartë të të prekurve në Tiranë. Kujtojmë se ditën e djeshme në vendin tonë u regjistruan 33 raste të reja, një numër më i ulët se ky i sotmi.
Njoftimi i plotë i Ministrisë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë bizneseve, qytetarëve, të tregojnë kujdes në zbatimin e masave të vendosura sipas protokolleve të sigurisë pasi virusi ka ende transmetueshmëri të lartë, kemi rritje të rasteve të reja ditore pozitive si dhe të rasteve që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Pavarësisht shërimeve, ka sërish shtrime të reja në spitalin infektiv ku aktualisht po marrin trajtohen 81 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive. Mosha mesatare e të shtruarve është rreth 61 vjeç, ndërsa gjysma e të shtruarve është nga Tirana.
Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 36 qytetarë, duke e çuar në 1195 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 328 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 52 raste pozitive, kryesisht raste të reja ne proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive.
Shpërndarja gjeografike e të identifikuarve pozitivë në 24 orët e fundit është si vijon: 22 të prekur në Tiranë, 9 në Vlorë, 7 në Krujë, 5 në Kurbin, 2 në Fier dhe nga 1 rast në Kamëz, Kavajë, Lezhë, Pukë, Rrogozhinë Delvinë dhe Tepelenë.
Në vendin tonë janë aktualisht 807 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.
Nisur nga rastet pozitive ditore kryesisht në ndërmarrjet me shumë punëtorë dhe kontakte në vendet e punës, i bëjmë thirrje edhe një herë bizneseve të respektojnë protokollet e sigurisë, distancimin fizik, dezinfektimin dhe ajrosjen e ambienteve, mbajtjen e maskave kudo ku ofrohet shërbimi për qytetarët.
Me rihapjen e transportit publik është domosdoshmëri mbajtja e maskës nga të gjithë, ata në shërbim dhe përdoruesit e transportit publik, dezinfektimi i mjeteve të transportit etj.
Task forca anti-covid nuk do të tolerojë shkelje të rregullave të sigurisë duke e konsideruar rrezik për shëndetin e qytetarëve. Edhe një herë një kujtesë për masat e thjeshta që duhet të respektojë çdo qytetar në përditshmëri:
Mbani duart të pastra dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën në ambientet publike; Kudo kur kjo nuk është e mundur, vendosni maskë apo barrierë mbrojtëse; Mos u grumbulloni me shume njerëz pasi është rrezik për përhapjen e infektimit nga Covid19.
Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Kur dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127.
Qytetarët e prekur nga Covid19 pa shenja klinike ose me simptoma të lehta, të kontaktojnë online me mjekun e familjes për keshilla përgjatë kohës së karantinimit. Nëse shenjat rëndohen, telefononi 127.