Situata e zjarreve në vend vijon të jetë alarmante, ndërsa vatra më problematike mbetet ajo në landfillin e Elbasanit, që prej ditës së martë ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore.
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar edhe 21 vatra të tjera zjarri në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë që katër prej tyre mbeten ende aktive.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bëri me dije se aktualisht zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në Elbasan është ende aktiv dhe përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë.
Gjatë ditës së djeshme janë hedhur inerte mbi masat e mbetjeve në përpjekje për të izoluar vatrën, ndërkohë që një grup ekspertësh ka qenë në terren për të matur ndotjen e ajrit. Edhe në Tiranë, në fshatin Bulticë, njësia administrative e Vaqarrit, vazhdon të digjet një sipërfaqe me shkurre dhe ferra.
Forcat operacionale, të ndihmuara nga një helikopter Cougar, janë angazhuar për të vënë zjarrin nën kontroll.
Një tjetër vatër aktive ndodhet në zonën malore mes fshatrave Gjinaj dhe Domaj në Has, në një pyll me pisha ku terreni i vështirë dhe era e fortë po pengojnë ndërhyrjen.
Në bashkinë e Finiqit, ndërkohë, zjarri mes fshatrave Grazhdan dhe Malçan raportohet të jetë nën kontroll të pjesshëm, por situata vijon të monitorohet nga afër.
Zjarret janë regjistruar në 15 bashki të ndryshme të vendit, përfshirë Elbasanin, Librazhdin, Prrenjasin, Vlorën, Finiqin, Tiranën, Kavajën, Lezhën, Kurbinin, Shkodrën, Vaut e Dejës, Malësinë e Madhe, Hasin, Devollin dhe Beratin. Si pasojë e flakëve janë djegur rreth 6 hektarë me bimësi, kryesisht pemë, shkurre dhe barishte.
Në përpjekjet për shuarjen e vatrave janë angazhuar 36 automjete zjarrfikëse dhe 232 forca operacionale. Gjithashtu janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 35 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 4 kamionë vetëshkarkues, një traktor me zinxhirë dhe një helikopter Cougar. Një grup ekspertësh është vendosur në terren për të matur ndotjen e ajrit.
Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme, 4 korrik, niveli i rrezikut për zjarre mbetet i lartë në shumicën e qarqeve të vendit. Përjashtimisht, në qarqet e Korçës dhe Vlorës rreziku vlerësohet si i moderuar, por me disa zona të lokalizuara ku pritet rrezik i lartë.
Në këtë situatë, autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve për të treguar përgjegjësi maksimale. Ndalimi i ndezjes së zjarreve në ambiente të hapura, i djegies së mbeturinave apo i çdo veprimi që mund të shkaktojë flakë është thelbësor për të shmangur përkeqësimin e gjendjes.
Mbrojtja Civile thekson se edhe një pakujdesi e vogël mund të kthehet në kërcënim serioz për jetën, pronën dhe mjedisin. Në çdo rast zjarri, qytetarët duhet të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Vetëm përmes kujdesit dhe bashkëpunimit të të gjithëve mund të parandalohet përhapja e zjarreve dhe të mbrohen komunitetet dhe natyra.