TIRANË
Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kthyer një tjetër ligj, parlamentit.
Këtë herë, Meta ka kthyer ligjin për “shtetësinë”. Ai e ktheu ligjin për shqyrtim.
Në reagimin e tij, Meta shprehet se për këtë ligj, “nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare”.
ARSYET E KTHIMIT TË LIGJIT NR. 113/2020 “PËR SHTETËSINË”
Të nderuar deputetë,
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 29 korrik 2020 ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”. Ky ligj me shkresën me nr. 1989 prot., datë 04.08.2020 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Pas konsultimit të ligjit dhe praktikës parlamentare, vlerësohet me keqardhje se për një ligj kaq të rëndësishëm dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë kombëtare si dhe në politikën e shtetit për dhënien e shtetësisë shqiptare, nuk ka patur një konsultim të mirëfilltë me institucionet përgjegjëse në trajtimin e kërkesave për dhënien apo lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.
Vlen të theksohet se Institucioni i Presidentit të Republikës është thirrur në disa mbledhje gjatë fazës së ndërmarrjes së nismës pranë Ministrisë së Brendshme. Ndërkohë që këto takime dhe diskutime kanë qenë vetëm në fazën fillestare të hartimit të një drafti që ka ndryshime thelbësore nga ai i miratuar dhe ku komentet kryesore të përcjella nga përfaqësuesit e Institucionit të Presidentit të Republikës nuk gjejnë asnjë reflektim.
Sjellim në vëmendjen tuaj se, rëndësia e çështjes së shtetësisë është vlerësuar qartë nga ligjvënësi, që në nenin 81, pika 2, shkronja “b)”, të Kushtetutës, ka kërkuar shumicë të cilësuar për miratimin e ligjit për shtetësinë.
Qëllimi i deklaruar i nismës për rishikimin e ligjit duke synuar qartësimin dhe thjeshtimin e procedurës, qartësimin e të drejtave dhe detyrimeve të aplikuesve gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të tyre, konstatohet se nuk është arritur për shkak të parashikimeve tepër problematike të dispozitave të këtij ligji.
Këto parashikime bien ndesh me nenet 19 dhe 92, shkronja “c” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcaktojnë se:
Neni 19
- Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetvetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.
- Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai/ajo heq dorë prej saj.
Neni 92
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
[…] c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit; […].”
Në mënyrë të detajuar, dispozitat problematike që cenojnë parimet kushtetuese, të drejtat e liritë themelore të shtetasve, si dhe kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës, shtjellohen në vijim të këtij arsyetimi.
- Neni 8 i ligjit nr. 113/2020, përcakton dispozitën e fitimit të shtetësisë me natyralizim dhe rendit kushtet ligjore kumulative që duhen përmbushur. Kriteret e përcaktuara në këtë dispozitë kufizojnë të drejtat e subjekteve për të aplikuar/marrë shtetësinë shqiptare në mënyrë jo proporcionale, ndërsa terminologjia e përdorur në këtë dispozitë është në kundërshtim me nenet 19 dhe 92 të Kushtetutës.
1.1 Vetë terminologjia e përdorur në nenin 8, dhe në tërësi në tekstin e këtij ligji, sa i takon konceptit të shtetësisë si e drejtë që “fitohet”, kur bëhet fjalë për shtetësi me natyralizim, është terminologji e gabuar.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 19, pika 1, përcakton se:
“Kushdo që lind, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera, të parashikuara me ligj.”
Pra, “fitimi” i shtetësisë shqiptare lidhet me lindjen në territorin e Republikës së Shqipërisë, ose me origjinën shqiptare. Në rastin e lindjes, për ilustrim, vetë konstatimi i faktit të lindjes në territorin e Republikës së Shqipërisë bën që të regjistrohet shtetësia shqiptare, si një e drejtë e fituar me konstatimin e faktit.
Ndërsa neni 92 i Kushtetutës, kur referon në kompetencën e Presidentit për dhënien e shtetësisë shqiptare, përdor pikërisht emërtimin “jep” shtetësinë shqiptare.
Ndaj dhe neni 8 i ligjit dhe çdo dispozitë që lidhet me marrjen e shtetësisë shqiptare jo për shkak të lindjes apo origjinës, duhet të jetë në përputhje me dispozitat e Kushtetutës, duke përdorur emërtimin “dhënie” dhe “marrje” e shtetësisë shqiptare, dhe jo me emërtimin “fitim”. Në rastet e fitimit të shtetësisë shqiptare, nuk aplikohet me dokumentacion, ndërsa në rastin e dhënies dhe marrjes së shtetësisë shqiptare, subjekti kërkues nis procedurën e aplikimit drejtuar pranë autoritetit që njeh Kushtetuta për dhënien e shtetësisë shqiptare.
Po kështu, edhe përdorimi i emërtimit “rifitim” i shtetësisë shqiptare, nuk njihet nga Kushtetuta. Në këtë rast, ligji duhet të përcaktojë procedurat për “fitimin” apo përkatësisht “marrjen” e shtetësisë shqiptare.
1.2 Në nenin 8, shkronja “c)” parashikohet si kusht për aplikimin për marrje të shtetësisë shqiptare me natyralizim, fakti që shtetasi i huaj: “Të qëndrojë në mënyrë të ligjshme dhe të banojë për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vite në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt.”
Nëse ligjvënësi ka vlerësuar se nëpërmjet këtij ligji do të kufizojë mundësitë dhe forcojë kriteret që parashikohen në legjislacionin ekzistues për marrjen e shtetësisë shqiptare, kjo kërkon një diskutim më të gjerë me të gjithë aktorët, për sa kohë që lidhet direkt edhe me politikën që ndikon në popullsinë e Republikës së Shqipërisë.
Ndaj, mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës duhet të kishte pasur paraprakisht një diskutim me fokus trajtimin e thelluar të çështjeve rreth kësaj politike.
Mbi të gjitha, kjo çështje me kaq ndjeshmëri nuk mund të lihet, sipas pikës 7 të këtij neni, për t’u detajuar në një udhëzim të një ministri.
1.3 Neni 8, shkronja “ç”, rendit si kusht për marrjen e shtetësisë me natyralizim, kërkesën që i huaji të ketë banesë. Konkretisht, citojmë këtë parashikim: “Ka banesë në përputhje me standardet e miratuara të banimit në Republikën e Shqipërisë.”
Ky lloj formulimi nënkupton që shtetasi i huaj duhet të ketë në pronësi të tij një banesë, duke krijuar kështu një barrë jo proporcionale për fitimin e shtetësisë shqiptare. Kriter i mjaftueshëm për marrjen e shtetësisë, është dhe vetëm fakti i zotërimit të një banesë sipas standardeve të banimit.
1.4 Përfshirja e kushtit të zotërimit të njohurive të gjuhës shqipe, të folur e të shkruar, si dhe të njohurive bazë të historisë së Republikës së Shqipërisë është shumë i mirëpritur, për sa kohë shtetasit e huaj, të cilëve u jepet shtetësia shqiptare, duhet të dëshmojnë njohje dhe lidhje me vendin tonë. Por formulimi i shkronjës “e”, të pikës 1, të nenit 8, është tërësisht evaziv sa i përket mënyrës së përcaktimit të nivelit të njohurive dhe institucioneve që do të vërtetojnë zotërimin e këtyre njohurive si të gjuhës shqipe, ashtu edhe të historisë së Republikës së Shqipërisë.
Për të shmangur konfuzionin si dhe për të garantuar trajtim të barabartë, ligji duhet të përcaktojë, ose të orientojë në përcaktimin e qartë të këtyre dy elementeve.
1.5 Pika 2, e nenit 8, parashikon se:
“2. Në rast se personi është pa shtetësi, ai mund ta fitojë shtetësinë shqiptare nëse plotëson kushtet e përcaktuara në shkronjat “c”, “dh” dhe “ë” të pikës 1 të këtij neni.”
Ndërkohë që, shkronja “c” e pikës 1, përcakton si kusht për dhënien e shtetësisë me natyralizim që shtetasi i huaj:
“c” Qëndron në mënyrë të ligjshme dhe ka banuar për një periudhë të vazhdueshme për jo më pak se 7 (shtatë) vite në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe ka përfituar leje të përhershme qëndrimi, të vlefshme në momentin e paraqitjes së kërkesës, sipas ligjit për të huajt;”.
Parimi i këtij ligji është ai i shmangies së gjendjes pa shtetësi, sanksionuar në nenin 3, shkronja “b”, si dhe garantuar nga Konventa për Statusin e Personave pa Shtetësi, në të cilën Republika e Shqipërisë ka aderuar që në vitin 2003, me ligjin nr. 9057, datë 24.4.2003.
Ndaj, ose referenca e pikës 2 të këtij neni në shkronjën “c” të pikës 1 është një lapsus i ligjvënësit apo gabim në zbardhjen e aktit, ose ndryshe është e pakuptueshme, se si për personat pa shtetësi, kërkohet si kusht që të kenë banuar për një periudhë prej jo më pak se 7 vite në Shqipëri si dhe të kenë përfituar edhe leje të përhershme qëndrimi.
Ky parashikim, që as nuk specifikon qartë se cilës kategori të personave iu referohet (shtetas shqiptarë që kanë hequr dorë nga shtetësia, apo dhe shtetas që nuk kanë pasur kurrë shtetësinë shqiptare dhe janë pa shtetësi), bie në kundërshtim me parimin e shmangies së pashtetësisë dhe të drejtën e çdo personi për të gëzuar të paktën një shtetësi, kur si kriter kërkohet qëndrimi në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë relativisht të gjatë prej 7 vitesh.
1.6 Në nenin 8, pikat 4, 5 dhe 6, duhet të saktësohet procedura e paraqitjes së kërkesës për marrjen e shtetësisë shqiptare me natyralizim për fëmijët nën moshën 18 vjeç. Nga mënyra e formulimit të këtyre dispozitave, kuptohet sikur aplikimi për këto raste bëhet direkt përpara zyrës së gjendjes civile. Ndërkohë që edhe në këto raste, duhet të ndiqet procedura e njëjtë me paraqitjen e kërkesës, shqyrtimit të dokumentacionit dhe përcjelles së propozimit pranë Presidentit të Republikës për vlerësim, deri në shprehjen e tij.
Po kështu, edhe në nenin 10, të ligjit, duhet të saktësohet procedura për marrjen e shtetësisë shqiptare me birësim.
- Neni 9, i ligjit, që trajton dispozitën e rasteve të veçanta të fitimit të shtetësisë shqiptare, shkel nenin 19 dhe 92 të Kushtetutës, si dhe mbivendos organet shtetërore duke dubluar kompetencat dhe fryrë administratën, në shkelje të efiçencës dhe duke shkaktuar kosto direkte në buxhetin e shtetit.
Neni 9, pika 1, përcakton se:
“Shtetësia shqiptare mund të fitohet nga shtetasi i huaj që ka mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, kur nuk përbën kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, edhe në rastet kur Republika e Shqipërisë ka interes kombëtar apo interes në fushën e arsimit, shkencës, artit, kulturës, ekonomisë e sportit.”
Sipas pikës 4, të këtij neni, në këtë rast, nuk zbatohet procedura e zakonshme për paraqitjen dhe shqyrtimin e kërkesës, sipas përcaktimeve të neneve 17 dhe 18 të Ligjit. Pikërisht këto janë rastet kur Presidenti i Republikës mund të ushtrojë kompetencën direkte për dhënien e shtetësisë shqiptare, për shtetas, të cilët nuk përbëjnë kërcënim për rendin dhe sigurinë kombëtare dhe që kanë një kontribut specifik në një fushë të caktuar.
Por pikat 2 dhe 3 të këtij nen përmbajnë një rregullim tërësisht të paqartë. Konkretisht, këto dy pika parashikojnë se:
“2. Për hartimin e programeve të veçanta, përcaktimin e rregullave specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës në standardet më të larta dhe monitorimin e zbatimit të tyre, krijohet një agjenci shtetërore e posaçme në varësi të ministrit. Organizimi dhe funksionimi i agjencisë miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
- Kriteret për fitimin e shtetësisë, sipas programeve të veçanta të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni, procedurat e aplikimit, rregullat e kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me bashkëpropozim të ministrit dhe ministrave përgjegjës, sipas fushës së tyre të përgjegjësisë.”
Nga ky formulim lindin këto paqartësi:
2.1 Cilave “programe të veçanta” iu referohen pikat 2 dhe 3 të nenit 9, kur as pika 1, as ndonjë dispozitë tjetër e këtij ligji, nuk referon apo as nuk rregullon “programet”?! Vetë pika 3, iu referohet gabim: “Programeve të veçanta të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni”, por pika 1 nuk ka një përcaktim të tillë.
2.2 Për cilët subjektet do të aplikohen: “Rregullat specifike të kontrollit të veçantë të sigurisë dhe pastërtisë së figurës”?! Për rastet e veçanta të dhënies së shtetësisë shqiptare, apo për çdo rast? Dispozita nuk e qartëson këtë fakt.
2.3 Cilat janë “Standardet më të larta të pastërtisë së figurës dhe sigurisë”? Kush i përcakton ato dhe ku mbështeten?
2.4 Në këtë rast, cili institucion do të përcjellë propozimin për pranimin, ose refuzimin e dhënies së shtetësisë pranë Presidentit të Republikës, që ka tagrin kushtetues për të dhënë shtetësinë?
2.5 Pse për rastin e dhënies së veçantë të shtetësisë, synohet të përdoret standard i ndryshëm nga fitimi i shtetësisë me natyralizim apo për shkak të origjinës, duke shkaktuar pabarazi në trajtimin e kërkesave? Veçanërisht, kur kjo pabarazi vjen në verifikimin e sigurisë dhe pastërtisë së figurës, kur si fitimi, ashtu edhe dhënia e shtetësisë shqiptare, duhet të garantojnë të njëjtin standard verifikimi dhe kontrolli, kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare.
2.6 Cili do jetë roli dhe funksioni i “agjencisë shtetërore të posaçme”, që për sa kohë krijohet nga ky ligj, duhet të kishte të përcaktuar jo vetëm emërtimin, por edhe rolin dhe funksionin e saj?
Lidhur me këtë agjenci të re që parashikohet të krijohet, sjellim në vëmendjen tuaj se ligji nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore” ka përcaktuar në nenin 4, pika 2, se:
“Administrata shtetërore përbëhet nga këto institucione:
- a) Kryeministria; b) ministritë; c) institucionet në varësi të Kryeministrit ose të ministrave; ç) njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve; d) agjencitë autonome; dh) administrata e prefektit.”
Nëse në rastin konkret, synimi i ligjvënësit ka qenë krijimi i një “agjencie” sipas kuptimit të shkronjës “d)”, të pikës 2, të nenit 4, të sipërcituar, sjellim në vëmendjen tuaj se, sipas nenit 10 të ligjit nr. 90/2012, agjencitë autonome krijohen dhe mbyllen me ligj!
Nëse synimi ka qenë krijimi i një “institucioni në varësi të ministrit”, neni 6, i ligjit nr. 90/2012, sërish disiplinon krijimin e tyre duke përcaktuar se:
“1. Institucionet e varësisë mund krijohen për të kryer ato funksione administrative, të përcaktuara, brenda fushës së përgjegjësisë së përgjithshme shtetërore, kryerja e të cilave kërkon shkallë të lartë specializimi në menaxhim apo drejtim, dhe kanë të bëjnë me zbatimin e drejtpërdrejtë të ligjit, ofrimin e shërbimeve publike për popullatën apo shërbimeve të brendshme për administratën shtetërore, ose mbështetje e këshillim për ministrinë.
- Përveçse kur parashikohen drejtpërdrejt nga ligji, institucionet e varësisë krijohen dhe mbyllen nga këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës apo përkatësisht kryeministrit, si dhe kanë personalitet juridik publik.
- Në vendimin e këshillit të Ministrave për krijimin e një institucioni të varësisë përcaktohen, të paktën: a) emri dhe selia; b) misioni; c) funksionet administrative që i delegohen; ç) ministri përgjegjës; d) organizimi territorial, nëse është i zbatueshëm, si dhe detyrat administrative të degëve territoriale dhe kompetencat e tyre territoriale.”
Në rastin konkret, kur krijohet një institucion i ri duhet të ishin përcaktuar në këtë ligj emri, selia, misioni si dhe funksioni i tij.
Ky parashikim, tërësisht i paqartë dhe në mungesë tërësore koherence me rendin e brendshëm juridik, por dhe me vetë nenin 9 të ligjit, tregon për një mungesë të theksuar të qartësisë në procesin ligjbërës, nxitimit në miratimin e përmbajtjes së dispozitave dhe në vlerësimin e nevojës së krijimit të institucioneve të reja që mbivendosin funksionet dhe detyrat që kryhen nga organe të specializuara (si Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ Shtetëror).
- Neni 12 i ligjit, që përcakton dispozitën e humbjes së shtetësisë dhe neni 15 i tij bien ndesh me nenin 19 dhe 92 të Kushtetutës, Konventën Evropiane për Shtetësinë, dhe përbëjnë kufizime joproporcionale të të drejtave të njeriut, në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës.
3.1 Duke filluar që nga titulli dhe përmbajtja e pikës 1 të këtij neni, përdorimi i termit “humbet” shtetësinë, është në kundërshtim me terminologjinë që njeh Kushtetuta kur flet për “heqjen dorë”, ose “lënien” e saj.
3.2 Ndërsa sa i përket shkronjës “b”, të pikës 1, të këtij neni, dhe nenit 15, këto parashikime shkelin hapur përcaktimet e nenit 19 të Kushtetutës, paragrafi 2, që sanksionon në mënyrë taksative se:
“Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.”
Edhe pse në parim, për rastet e fitimit apo marrjes së shtetësisë përmes dokumenteve të falsifikuara, apo kur shtetasi me veprimtarinë e tij cenon sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Shqipërisë, heqja e shtetësisë mund të ishte një parashikim i nevojshëm për raste ekstreme, një parashikim i tillë duhet të ishte përcaktuar në nivel kushtetues, dhe jo në nivel ligji.
Heqja e shtetësisë, sidomos në formën e parashikuar në ligj kur në shkronjën “b” të nenit 15, për shkak të pakujdesisë së hartuesve të ligjit, kuptohet sikur shtetësia shqiptare i hiqet çdo shtetasi shqiptar, pra edhe atij të lindur në territorin e Republikës së Shqipërisë, për shkak se kryen veprimtari apo është anëtar i organizatave, veprimtaria e së cilave synon cenimin e sigurisë kombëtare dhe të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë, është një parashikim haptazi në kundërshtim me të drejtën dhe lirinë themelore që i njeh njeriut neni 19 i Kushtetuës.
Sjellim në vëmendjen tuaj gjithashtu se me ligjin nr. 8942, datë 19.9.2002, Republika e Shqipërisë ka ratifikuar Konventën Evropiane “Për shtetësinë”, duke e bërë pjesë të legjislacionit të vendit tonë. Neni 4 i kësaj Konvente rendit parimet mbi të cilat duhet të bazohet secili Shtet Palë: “[…] a) Secili ka te drejtën për një shtetësi; b) Pashtetësia do të shmanget; c) Asnjërit nuk do t’i mohohet arbitrarisht shtetësia e tij apo e saj; […]”.
Neni 5, i kësaj Konvente sanksionon parimin e mosdiskriminimit, dhe citojmë:
“1. Rregullat e një Shteti Palë mbi shtetësinë nuk do të përmbajnë dallime apo të përfshijnë ndonjë praktike, e cila rezulton ne diskriminimin mbi bazën e seksit, besimit, racës, ngjyrës ose origjinës kombëtare apo etnike.
- Çdo Shtet Palë do të udhëhiqet nga parimi i mosdiskriminimit ndërmjet shtetasve te tij, pavarësisht nëse ata janë shtetas nga lindja apo e kanë fituar shtetësinë me pas.”
Sa më sipër, parashikimet e neneve 12 dhe 15 të ligjit, cenojnë direkt Konventën Evropiane “Për shtetësinë” ratifikuar nga Republika e Shqipërisë, duke bërë diferencim dhe trajtuar në mënyrë diskriminuese, pas dhënies së shtetësisë shqiptare, shtetasit që nuk e kanë pasur më parë atë, në raport me shtetasit e vetë shtetit. Akoma më problematik është ky parashikim, në rastet kur personit të cilit i hiqet shtetësia, mbetet për rrjedhojë pa shtetësi.
Ky ligj, i miratuar me këtë përmbajtje, veçanërisht në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale, rrezikon të cenojë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të penalizojë Shqipërinë edhe në gjykatat ndërkombëtare, në rastet e aplikimit të parashikimit për “heqjen e shtetësisë shqiptare.”
- Neni 18, pika 3 dhe 5, dhe neni 19, kufizojnë kompetencën e Presidentit të Republikës për dhënien dhe lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare sanksionuar në nenin 92 të Kushtetutës, si dhe pengon aplikuesit që kërkesa e tyre të shqyrtohet dhe të shprehet për themelin e kësaj kërkese Presidenti, si organi i vetëm kushtetues, i cili ka kompentencën për dhënien/lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare.
Pika 5, e nenit 18, parashikon se:
“Në rast se pas verifikimeve të kryera rezulton se nuk plotësohen kushtet e përcaktuara në këtë ligj, ministria nëpërmjet strukturave dhe institucioneve të përcaktuara në pikat 1 e 2 të këtij neni njofton personin e interesuar për refuzimin e kërkesës. Refuzimi bëhet me akt administrativ të ministrit. Kundër këtij akti, personi që ka paraqitur kërkesën mund të bëjë ankim në gjykatën kompetente administrative, në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin përkatës në fuqi.”
Pika 1 e nenit 18, bën fjalë për verifikime që lidhen me vlerësimin e cenimit të sigurisë publike, elemente këto, që në fund merren në shqyrtim dhe vlerësohen sipas kompetencës së tij kushtetuese, nga Presidenti i Republikës.
Autoriteti i vetëm që njeh Kushtetuta për të bërë refuzimin e kërkesës për fitimin/lejimin e lënies së shtetësisë është Presidenti i Republikës, pasi të jetë njohur me aplikimin e plotë dhe verifikimet e kryera nga institucionet përgjegjëse si dhe pasi të ketë vlerësuar kërkesën.
Po në rastin kur sipas parashikimit të kësaj pike, gjykata i jep të drejtë aplikuesit/kërkuesit dhe vendos rrëzimin e “aktit administrativ të ministrit”, cili do ta zbatojë vendimin e gjykatës dhe si do të zbatohet ky vendim? Në këtë rast, ministria do të zbatojë vendimin duke përcjellë propozimin pranë Presidentit dhe këtij të fundit, do t’i duhet të nxjerrë thjesht një akt formal pa asnjë verifikim? Një parashikim i tillë kufizon kompetencat kushtetuese ekskluzive të Presidentit të Republikës për t’u shprehur për miratimin apo refuzimin e kërkesës për dhënien e shtetësisë shqiptare.
Të njëjtin kufizim bën dhe parashikimi i pikës 3 të nenit 18, që parashikon se:
“Me paraqitjen e kërkesës dhe të dokumentacionit shoqërues, sipas pikave 1 e 2 të këtij neni, ministria brenda 6 (gjashtë) muajve shqyrton dokumentacionin e paraqitur, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve të përcaktuara në këtë ligj dhe i përcjell Presidentit të Republikës propozimin për nxjerrjen e dekretit. Procedura për kryerjen e verifikimeve pranë institucioneve përgjegjëse përcaktohet me udhëzim të ministrit.”
Sjellim në vëmendjen tuaj se ministria përgjegjëse mund të përcjellë propozimin “për dhënien ose jo të shtetësisë shqiptare”, apo përkatësisht “për lejimin e heqjes dorë nga shtetësia shqiptare”, por kurrsesi nuk mund t’i diktojë Presidentit të Republikës të “nxjerrë dekretin.”
Institucioni kushtetues që ka tagrin të japë, ose lejojë lënien e shtetësisë shqiptare i ka të gjithë kompetencat për të vlerësuar paraprakisht plotësinë e praktikës dhe shqyrtimit të propozimit, dhe jo thjesht të shndërrohet në një certifikues formal të propozimit të përcjellë.
Të njëjtin kufizim, madje edhe duke përdorur termonologjinë e gabuar, bën dhe pika 2, e nenit 19, të ligjit, që parashikon se: “Në përfundim të kryerjes së verifikimeve, sipas parashikimeve të pikës 1 të këtij neni, ministria i përcjell Presidentit të Republikës propozimin për nxjerrjen e dekretit për heqjen e shtetësisë.”
Edhe në këtë rast, ministria mund t’i përcjellë Presidentit të Republikës vetëm praktikën dhe propozimin e saj për pranimin ose jo të kërkesës për lënie shtetësie, dhe është Presidenti i Republikës, i cili vlerëson plotësinë e praktikës dhe themelin e kërkesës, dhe në fund, mund të shprehet me dekret sipas Kushtetutës për lejimin e lënies së shtetësisë shqiptare, dhe jo me dekret për “heqjen e shtetësisë.”
- Në nenin 20, pika 4, parashikohet se:
“Dekreti për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare regjistrohet në një regjistër të veçantë për qëllime statistikore, për administrimin e të cilit respektohen dispozitat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, formati i të cilit përcaktohet me udhëzim të ministrit.”
Kjo dispozitë bën të paqartë se ku do të krijohet dhe mbahet ky regjistër i veçantë për qëllime statistikore, nëse do të mbahet pranë ministrisë së Brendshme, apo pranë Institucionit të Presidentit të Republikës.
Nisur nga mungesa e qartësisë së kësaj norme, që duke mos specifikuar institucionin përgjegjës, lë të kuptohet sikur regjistri mund të mbahet edhe pranë Institucionit të Presidentit të Republikës, sjellim në vëmendjen tuaj se nuk mundet ky Institucion, të ngarkohet për zbatimin e një udhëzimi të një ministri, që i dikton formatin e mbajtjes së një regjistri.
- Duke vlerësuar në këtë ligj përfshirjen e procedurës së betimit, si një element ceremonial që lidhet pandashmërisht me të drejtën e gëzimit të shtetësisë shqiptare, një propozim dhe qëndrim i tillë nga ligjvënësi ka sjellë jo pak habi për Presidentin e Republikës, për sjelljen me dy standarde të Kuvendit të Shqipërisë, kur së fundmi, me disa ndryshime ligjore në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në rastet e funksionarëve të lartë të drejtësisë, i njëjti Kuvend e pa të panevojshme si dhe shfuqizoi ceremoninë e betimit para fillimit të detyrës.
Megjithatë, Presidenti i Republikës e mbështet këtë parashikim, siç ka mbështetur gjithashtu në disa arsyetime domosdoshmërinë e ceremonisë së betimit si një akt solemn i domosdoshëm për fillimin e një marrëdhënieje të re juridike.
Por kjo dispozitë nuk është formuluar qartë dhe përmban gabime të rënda konceptuale.Konkretisht, pika 1, e nenit 22, parashikon se:
“Dekreti për fitimin e shtetësisë shqiptare nuk do të ketë efekt nëse brenda 6 (gjashtë) muajve nga njoftimi i tij personi nuk është betuar sipas nenit 21 të këtij ligji.”
Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi nuk njeh “humbjen e efekteve” të një dekreti të Presidentit të Republikës.
Dekreti i Presidentit në këtë rast, si një akt administrativ individual duhet të anulohet, në kuptim të parashikimeve të Kodit të Procedurave Administrative.
Për këtë qëllim, ligji duhet të parashikojë qartë se në kryerjen e ceremonisë së betimit, ose merr pjesë një përfaqësuese i Institucionit të Presidentit të Republikës, ose një kopje e njehsuar e aktit të betimit, i përcillet për njohje Presidentit të Republikës.
Në rastet kur me kalimin e afatit ligjor, Presidenti i Republikës nuk ka administruar kopjen e aktit të betimit, pas kryerjes së verifikimeve me insitucionet përgjegjëse, duhet të ndërmarrë nismën për anulimin e dekretit për dhënien e shtetësisë shqiptare, por dekreti nuk mund të humbasë efektet e tij, pa u shprehur organi që e ka nxjerrë atë.
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë!
Për të gjitha sa u parashtruan më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 113/2020 “Për shtetësinë”.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të reflektojë mbi këtë nismë, duke rishikuar atë në tërësi dhe veçanërisht nenet 8, 9, 12, 15, 18 pika 5, 20 pika 5, dhe 22 në përputhje me parashikimet kushtetuese.
Presidenti i Republikës, duke patur tagër ekskluziv kushtetues dhënien dhe lejimin e heqjes dorë nga shtetësia shqiptare, mirëpret çdo tryezë diskutimi për përmirësimin e kësaj nisme ligjore duke adresuar në të problematikat që janë ndeshur nga praktika e deritanishme, ashtu si dhe duke synuar thjeshtëzimin e procesit dhe garantimin njëkohësisht të të drejtave të njeriut, sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Sinqerisht,
Ilir Meta